Tatimet: Nuk ka shtyrje të afateve të Fiskalizimit, po as penalizime

Tatimet: Nuk ka shtyrje të afateve të Fiskalizimit, po as penalizime

07:23, 22/06/2021
A+ Aa A-

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga fillimi i procesit të fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë mes bizneseve, ku duhet të përfshihen 51 mijë subjekte, këta të fundit duket se nuk janë ende gati.

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), vetëm 35% e tyre e kishin marrë deri në 17 qershor certifikatën elektronike, që është hapi i parë për përfshirjen në procesin e fiskalizimit.

Nga 1 korriku 2021 pritet të nisë zbatimin faza e dytë e procesit të fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve. Faza e tretë fillon në 1 shtator dhe përfshin transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.

Më herët, kontabilistët dhe ekspertët kontabël kërkuan shtyrjen e procesit, duke ngritur shqetësimin për vështirësitë e shumta që do të hasen deri te pazbatueshmëria në tërësi e procesit, sidomos për biznesin e vogël.

E kontaktuar nga “Monitor”, drejtoresha e përgjithshme e tatimeve, Delina Ibrahimaj, tha se nuk është në diskutim një shtyrje e afateve.

“Afatet e zbatimit të fiskalizimit do të qëndrojnë. Administrata tatimore, nuk do të ketë qasje penalizuese ndaj tatimpaguesve. Kjo është një reformë madhore dhe ne kuptojmë që mund të ketë problematika në muajt e parë të zbatimit. Për këtë arsye qasja ndaj subjekteve do të jetë informuese për zbatimin e procesit dhe pa penalizime. Ditën e mërkurë, gjithashtu do të zhvilloj një tavolinë të rrumbullakët me kontabilistët për të sqaruar shqetësimit që kanë”, tha znj.Ibrahimaj.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo tha më herët për Monitor se nga konsultimet me tatimpaguesit rezultojnë shumë paqartësi për zbatimin e procesit. Z. Dhamo veçoi disa raste se kur bizneset do të gjenden në vështirësi për lëshimin e faturave elektronike, pasi mungon përcaktimi në legjislacion. Sipas tij me qëllim që procesi të mos dështojë dhe tatimpaguesit të mos dëmtohen është e domosdoshme që nisja e fazës së dytë të shtyhet deri 31 dhjetor 2021 dhe të bëhen rregullimet e nevojshme në legjislacion.

Edhe audituesi ligjor Bujar Bendo e sheh si të parealizueshëm procesin e fiskalizimit, pasi jo vetëm bizneset, por edhe administrata tatimore, doganore, kompanitë e certifikuara për programet software dhe institucionet financiare nuk janë ende gati. Z. Bendo rekomandon që faza e parë duhet të zgjasë 36 muaj, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet e zhvilluara që kanë zbatuar para Shqipërisë fiskalizimin.

Shtyrje të afatit të fiskalizimit për biznesin e vogël rekomandoi edhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë A.E Distribution shpk, z. Bledar Balla. Përfaqësuesi i kompanisë A. E Distrubution të tregtimit të pajisjeve fiskale dhe zgjedhjeve softëare-ike, përmend 6 elementë të procesit, që nga marrja e certifikatës elektronike dhe deri te trajnimet që do të kërkonin më shumë afat për t’u realizuar.

Bizneset ngrenë shqetësimin se ndërsa për më të mëdhenjtë zbatimi mund të jetë më i lehtë dhe kostot më të përballueshme, është më i komplikuar për subjektet e vogla. Nga ana tjetër, mund të krijohet konfuzion te bizneset, teksa në zinxhirin e shitjeve dikush do të faturojë me sistemin e ri elektronik dhe të tjerët me të vjetrin.

Në total faza e dytë që nis në korrik dhe e treta në shtator do të përfshijnë të gjitha subjekteve në vend, me përjashtim të ambulantëve dhe fermerëve (vlerësohet rreth 80 mijë në total). Faza e parë, për transaksionet me organet publike, ka nisur nga 1 janari 2021 / D.Azo/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t22/06/2021 08:35

Kjo eshte reforme e leshit,siç e bere lamsh instatin keshtu po i ben edhe tatimet. Bisneset mos te llapin kot ne fb e tv por te bojkotojne masivisht certif.elektronike.

Shto koment

Denonco