Si lulëzoi kredia për shtëpi në kohë krize

Si lulëzoi kredia për shtëpi në kohë krize

07:37, 19/06/2021
A+ Aa A-

Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme po rritet me shpejtësi. Konkurrenca mes bankave është rritur dhe kreditë janë më të lira se asnjëherë tjetër. Sa janë normat e interesit, në çfarë monedhe ta leverdis të marrësh huanë.

Kriza provoi se tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri shpesh del jashtë skemave dhe projeksioneve më të pritshme. Kur ekonomia u pllakos nga kriza më e rëndë në 23 vjet, pakkush priste që tregu i pronave të vazhdonte të rritej.

Në kushtet e rënies së prodhimit kombëtar dhe të punësimit, ishte e pritshme që individët të shfaqeshin më të tërhequr në kryerjen e investimeve të mëdha, siç është blerja e një pasurie të paluajtshme. Edhe më tepër, kur bëhet fjalë që ky investim të mbështetet nga marrja e huave të mëdha dhe afatgjata, siç janë kreditë për shtëpi. Por, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, familjet shqiptare morën 26.5 miliardë lekë, ose rreth 215 milionë euro kredi për blerje banesash.

Kredia për blerjen e banesave shënoi rritje për të tretin vit radhazi, duke shënuar madje edhe nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit. Rritja e kreditimit në këtë segment duket e destinuar të vazhdojë edhe këtë vit. Për 3-mujorin e parë, bankat dhanë 7.1 miliardë lekë kredi të reja për blerjen e banesave, në rritje me 41% krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Kredia për shtëpi, më shumë se 1 miliard euro

Sot kredia për blerje banesash nga individët është produkti kryesor i kredisë bankare për nga madhësia. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit mars, vlera e portofolit arriti në 129.7 miliardë lekë, ose 1.05 miliardë euro.

Krahasuar me një vit më parë, portofoli është zgjeruar me 6.4%; po ta zhveshim këtë shifër nga efekti i nënçmimit të përkohshëm të kursit të këmbimit në mars 2020, rritja vjetore e portofolit është më e madhe se 9%. Kjo rritje është afërsisht dy herë më e lartë se rritja mesatare e portofolit të kredisë për ekonominë në të njëjtën periudhë.

Në vitet e fundit, oferta e bankave për kredi për shtëpi ka qenë e lartë dhe konkurrenca në këtë segment të tregut është rritur. Vrojtimet e aktivitetit kreditues me bankat tregtare tregojnë lehtësim të vazhdueshëm të standardeve të kreditimit për këtë produkt.

Ky është një nga produktet më cilësore për bankat, sepse ka nivelin më të ulët të kredive me probleme. Nga 8% që është raporti mesatar i kredive me probleme për gjithë huanë bankare, për kredinë për blerje banesash, raporti është afërsisht pranë nivelit 4%.

Krahasuar me kredinë për biznesin, vlerat mesatare të huasë janë më të ulëta, gjë që mundëson shpërndarje më të mirë të rrezikut kreditor. Një faktor tjetër është rritja e çmimeve të pronave, që përkthehet edhe në një siguri më të lartë për vlerën e kolateralit.

“Kohët e fundit, shumica e bankave duket se kanë shtuar ofertat, rrjedhimisht dhe vëmendjen në drejtim të kredive për individë, sidomos atyre hipotekore. Një nga arsyet, besoj se është kërkesa në rritje nga individët, e ndërthurur me rrezikun më të vogël kreditor që ka kjo kategori në krahasim me bizneset.

Edhe rritja konstante e çmimeve ka bërë që bankat të jenë disi më të mbrojtura nga kolateralet që mbulojnë kredinë, duke qenë se rritja e vlerës siguron mbulim më të mirë” – thotë Redi Martiri, Drejtor i Departamentit të Shitjeve për Individë në Union Bank. Njëkohësisht, kredia për shtëpi është një produkt afatgjatë, që mundëson rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të portofolit të kredisë.

“Investimi në pasuri të patundshme është një nga opsionet e pakta që individët kanë për të investuar në Shqipëri, me qëllim maksimizimin dhe diversifikimin e portofolit të tyre të të ardhurave. Këto nevoja të konsumatorëve janë në përputhje të plotë me rolin dhe misionin e bankës për të shërbyer si katalizator i ekonomisë, për të ndihmuar me likuiditetin e nevojshëm financiar, investimet e bëra nga individët, si dhe njëkohësisht për t’i shërbyer aktivitetit tregtar të vetë bankës” – thotë Klodiana Piqani (Keçi), Drejtuese e Divizionit të Shitjeve për Individë dhe Biznese të Vogla në Intesa Sanpaolo Bank Shqipëri.

Normat e ulëta të interesit nxitën rritjen

Kreditimi në segmentin e kredive për blerje banesash në vitet e fundit është mbështetur edhe nga oferta me kushte të favorshme. Normat e interesit për këtë kredi janë aktualisht pranë niveleve më të ulëta historike. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se interesi mesatar i kredive të reja për blerje banesash në lekë në vitin 2020 ishte 3.67%, nga 3.46% një vit më parë. Ndërsa në euro, interesi mesatar pësoi rënie në 3.12%, nga 3.45% një vit më parë.

Normat e interesit ngelen në nivele të ngjashme edhe gjatë muajve të parë të këtij viti. Për Lekun, interesi mesatar i kredive të reja ishte 3.69%, ndërsa për Euron, 3.07%. Edhe formula e normave të interesit, sipas bankierëve, ka ndikuar në të bërit më tërheqës të këtij produkti.

“Normat e ulëta të interesit e bëjnë huamarrjen më pak të kushtueshme dhe si rrjedhojë, edhe kreditimin më të përballueshëm për klientin. Normat e ulëta të interesit nxisin individët që të bëjnë investime në vlera më të mëdha dhe si rrjedhojë, të rrisin edhe shumën e kredisë. Sot, përtej normave relativisht të ulëta, bankat ofrojnë edhe opsione të produkteve të kredisë hipotekore me norma fikse të interesit për një periudhë të caktuar, të cilat ndikojnë pozitivisht në zgjerimin e kredisë hipotekore” – thotë Ermelinda Baço, Drejtore e Divizionit të Huadhënies për Ekonomitë Familjare në Alpha Bank Albania.

Shumë prej bankave ofrojnë interes fiks për vitet e para të kredisë dhe më tej, një normë interesi të përbërë. Periudha e interesit fiks mund të variojë nga një deri në pesë vjet, sipas zgjedhjes së klientit, por sa më e gjatë të jetë kjo periudhë, aq më e lartë është norma fikse e interesit. Periudha fillestare me interesa fikse mbështetet në pritshmërinë se normat e interesit në horizontin afatmesëm do të ngelen të ulëta, sidomos për euron, çka e bën të kufizuar ekspozimin ndaj luhatjes së normave të interesit për bankën.

Periudha e dytë parashikon norma interesi të përbëra, që ndërtohen mbi ecurinë e një treguesi benchmark (euribor, bono thesari, obligacione ose tribor) plus një marzh fiks. Pas periudhës fillestare, megjithatë, interesi i kredisë rritet disi në vlerën minimale të parashikuar dhe shkon minimalisht pranë nivelit 3.7%-3.8%.

Kredia po orientohet drejt Lekut

Bashkë me rritjen e portofolit total, një tendencë e dukshme në vitet e fundit është orientimi i këtij produkti drejt monedhës vendase. Të dhënat tregojnë se në fund të muajit mars, kredia në Lek përbënte 55.4% të portofolit total të kredisë për blerje banesash, niveli më i lartë i regjistruar që pas nisjes së ekspansionit të kredisë për individë, në vitin 2005. Sidomos pas vitit 2015, pesha specifike e kredisë në Lek është rritur me ritme të larta.

Zgjerimi i portofolit në Lek ul ekspozimin e kredimarrësve dhe, tërthorazi edhe të bankave, ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, po të kemi parasysh se për shumicën e huamarrësve, monedha në të cilën ata përfitojnë të ardhurat është Leku../Nga Ersuin Shehu, MONITOR

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco