Shqipëria, e fundit në Europë për internetin me linja fikse

Shqipëria, e fundit në Europë për internetin me linja fikse

07:20, 27/05/2021
A+ Aa A-

Shqipëria renditet vendi me depërtimin më të ulët të internetit nga linja fikse në Europë.

Sipas publikimit më të fundit të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), lidhur me tendencat e dixhitalizimit në Europë, Shqipëria kishte vitin e kaluar 15.14 kontrata shërbimi të internetit fiks për 100 mijë banorë.

Kjo shifër është pak më e ulët se mesatarja botërore prej 15.2% dhe shumë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, që për vitin e kaluar ishte 32.9%. Megjithatë, sipas ITU, vitin e kaluar Shqipëria shënoi rritjen më të lartë të këtij treguesi krahasuar me një vit më parë, me 15.9%.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vendi me depërtimin më të lartë të internet broadband nëpërmjet linjave fikse është Mali i Zi, me 28.47%, i ndjekur nga Bosnje-Hercegovina me 22.6%, Maqedonia e Veriut me 21.33% dhe Serbia me 18.5%. Raporti I ITU nuk jep të dhëna për Kosovën.

Përveçse një depërtim të ulët të internet me linja fikse, Shqipëria vazhdon të ketë një hendek të madh mes zonave urbane dhe atyre rurale. Sipas vlerësimeve të AKEP, shkalla e penetrimit të internetit në qytete është rreth tetë herë më e lartë se në fshatra. Zhvillimi i infrastrukturës broadband në zonat rurale dhe periferike nuk mbështetet nga mekanizma alternativë financimi, në kushtet kur nisma e lirë nuk ka stimuj për të investuar.

Bazuar në të dhënat rajonale të vitit 2020, vërehet se qarqet me normat më të larta të penetrimit urban janë Tirana dhe Korça, përkatësisht me nga 40.2% dhe 25.6%. Ndërsa Durrësi është qarku që ka normën më të lartë të penetrimit rural, rreth 21%, i ndjekur nga Tirana dhe Shkodra me nga 10% dhe 8%.

Sipas të dhënave nga AKEP, numri i abonentëve të internetit me linja fikse në fund të vitit 2020 arriti në rreth 497 mijë abonentë, 14% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Krahasuar me tregun celular, tregu i internetit fiks ka një shkallë më të ulët përqendrimi dhe duket më konkurrues në strukturën e ndarjes së tij sipas operatorëve. Pjesa e tregut të operatorit më të madh, Albtelecom, është në rënie konstante dhe tashmë ka zbritur në 25.9%, nga 35.7% që ishte një vit më parë. Operatori i dytë më i madh për nga numri i përdoruesve në fund të 2020 ishte Abcom, me rreth 19.2% të tregut. Abcom u ble nga Vodafone Albania në fillim të vitit 2020 dhe kjo ndikuar në rritjen më të shpejtë të bazës së abonentëve, me 28% krahasuar me vitin 2019.

Rritja e numrit të abonentëve është reflektuar edhe në rritje të volumit të shërbimeve fikse për të tretin vit radhazi. Sipas AKEP, vitin e kaluar tregu i shërbimeve fikse të komunikimit raportoi të ardhura totale prej 9.55 miliardë lekësh, në rritje me 5.4% krahasuar me një vit më parë. Më shumë se 82% e të ardhurave të këtij tregu gjenerohen nga shtatë operatorët kryesorë, që janë Albtelecom, Abcom, ASC, ATU, Abissnet, Nisatel dhe Digicom./ E.Shehu/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco