KLSH e gjen të paligjshme që të dypunësuarit paguan 4 mln euro më shumë, tatim

KLSH e gjen të paligjshme që të dypunësuarit paguan 4 mln euro më shumë, tatim

07:47, 19/05/2021
A+ Aa A-

Të dypunësuarit, që kanë pasur të ardhura mbi 2 milionë lekë në 2019-n, krahas ndalesës nga paga gjatë vitit, kanë paguar edhe 4 milionë euro më shumë në 2020-n, kur kanë bërë deklarimin e të ardhurave personale të vitit të mëparshëm.

Shifra është bërë publike në raportin vjetor të Tatimeve, sipas të cilit të ardhurat nga TAP (tatimi i të ardhurave personale) mbi deklaratën individuale të të ardhurave ishin 502.4 milionë lekë, me një rritje prej 37% në raport me vitin e mëparshëm.

Kjo pagesë shtesë vjen, pasi prej disa vitesh, të dypunësuarve që kanë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë po u kërkohet që në momentin që bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave personale, pagat t’i mbledhin bashkë dhe të llogaritet tatimi si një e vetme. Kjo çon në një rritje të ndjeshme të tatimit që duhet paguar, shpesh me mbi 50%, pasi intervali prej 300 mijë lekë përjashtohet vetëm një herë dhe nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e pagës tatohet me 23%. Pas rillogaritjes, individi duhet të paguajë vetëm tatimin shtesë për llogari të tatimeve.

Tatimet kanë bërë të ditur më herët se rreth 12.3 mijë individë kishin të ardhura vjetore më shumë se 2 milionë lekë në vitin 2019, ose rreth 167 mijë lekë në muaj. Nga këta 4.062 janë të dy punësuar për vitin 2019.

Deri në fund të 2019-s, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kishte konstatuar se detyrimi i të dy punësuarve me të ardhura mbi 2 milionë lekë për të mbledhur pagat, duke i tatuar si një e vetme nuk është i mbështetur nga baza aktuale ligjore.

Konkretisht Kontrolli i lartë i Shtetit, në një auditim që ka bërë që në vitin 2018 në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për përputhshmërinë dhe rregullshmërinë financiare ka gjetur se udhëzuesi që përcakton mbledhjen e dy pagave si një e vetme për personat që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë nuk është i mbështetur në ligjin për tatimin mbi të ardhurat.

Ky ngërç ligjor u zgjidh nga fillimi i vitit 2020, pasi përmes një ndryshimi në ligjin për të ardhurat të miratuar në fund të vitit 2019, që filloi të zbatohet për të ardhurat e 2020-s, të gjithë të dy punësuarit, pa dallim, do të duhet të deklarojnë tatimin mbi pagat (brenda 4 mujorit të parë të vitit pasardhës), duke i llogaritur si një e vetme, në momentin që do të bëjnë deklarimin e të ardhurave vjetore dhe do të duhet të paguajnë tatimin shtesë.

Ndryshimi ligjor bëri që tashmë të gjithë të dy punësuarit detyrohen të bëjnë deklarimin e të ardhurave të 2020-s dhe të rillogarisin dhe derdhin tatimin shtesë. Afati fillestar ishte 30 prilli, por që është shtyrë deri në 30 qershor, për shkak të paqartësive të krijuara te individët që duhet të bënin deklarimin për herë të parë.

Këtë vit duhet të bëjnë deklarim 86 mijë të dypunësuar, pagesa shtesë i kalon 25 mln euro

Janë 88.6 mijë të punësuar, që gjatë vitit 2020 kanë pasur dy punë, të cilët do të duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara në vitin 2020, deri më 30 qershor 2021, pavarësisht nivelit të pagave që kanë pasur.

Deklarimi i të ardhurave bëhet online në faqen e Tatimeve dhe të dhënat e detyrimit për t’u paguar dalin të paraplotësuara.

Kjo do të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm njëherë nga TAP zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).

Shuma minimale që duhet të paguajë një i dypunësuar që ka punuar 12 muaj në dy punë dhe është paguar me pagë minimale prej 26 mijë lekësh është 2,860 lekë në muaj, ose 34320 lekë në vit, ose 280 euro {individi i dypunësuar, i cili ka pasur p.sh., dy paga minimale nga 26 mijë lekë secila do të paguajë minimumi edhe 13% të diferencës prej 22 mijë lekë, (52 mijë lekë-30 mijë lekë)}.

Për të 88.6 mijë të dy apo më shumë punësuarit, shuma shtesë që duhet të derdhet në buxhet (duke llogaritur një pagesë minimale prej 280 eurosh) mund të arrijë në rreth 25 milionë euro.

Ky është një vlerësim i “Monitor” bazuar në shifrën e të dypunësuarve të bërë publike nga tatimet (88,590 të dypunësuar) dhe shumës minimale që duhet paguar nga një i dypunësuar. Por, kjo shifër mund të variojë realisht, pasi një pjesë e të punësuarve kanë paga më të larta sesa ajo minimale dhe një pjesë tjetër mund të mos kenë pasur angazhim në dy punë për të gjithë periudhën vjetore, por vetëm për disa muaj..MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco