Bankierët, optimistë se efekti i krizës pandemike do të jetë i përkohshëm

Bankierët, optimistë se efekti i krizës pandemike do të jetë i përkohshëm

07:17, 08/05/2021
A+ Aa A-

Sistemi bankar në vitin 2020 i rezistoi pandemisë, duke vijuar rritjen. Për shkak të mbështetjes me masa rregullatore të përkohshme, përcjellja e efekteve të krizës do të jetë më e vonuar në kohë, ndoshta duke nisur nga mesi i këtij viti. Bankierët janë optimistë se ky efekt do të jetë i përkohshëm dhe i menaxhueshëm, por në thelb, do të varet shumë nga shpejtësia e rimëkëmbjes së ekonomisë reale.

Kriza ekonomike që ndoqi pandeminë e muajit mars ngriti shqetësime se sektori bankar i vendit do të përballej me një krizë të re, të papritur, pa kapërcyer ende plotësisht efektet e krizës së gjatë ekonomike. Deri tani, të dhënat tregojnë se sektori bankar është ndër aktivitetet që e menaxhoi më mirë krizën, duke vazhduar rritjen e aktiveve, kredisë dhe depozitave, duke mbajtur nën kontroll kreditë me probleme dhe duke ruajtur përfitueshmërinë.

Mbështetur në treguesit kryesorë financiarë, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, të publikuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, sistemi bankar u rrit me afërsisht 7% vitin e kaluar. Në fund të vitit 2020, aktivet e sektorit bankar arritën në 99.2% të PBB-së (mbështetur në vlerësimet tremujore të INSTAT), në rritje të ndjeshme nga niveli prej 88.5% i një viti më parë. Ky është rezultat i një viti në rritje pozitive, ndërkohë që ekonomia pësoi tkurrjen më të fortë në 23 vjet.

Portofoli neto i kredisë regjistroi rritjen më të shpejtë që nga viti 2014 dhe arriti një vlerë sa rreth 36.1% e PBB-së, nga 32.9% një vit më parë. Fitimi i sektorit bankar, në vlerë absolute, ishte pothuajse në të njëjtën vlerë me vitin e kaluar dhe pranë niveleve më të larta të dekadës së fundit. Pavarësisht rezultateve të mira të vitit 2020, është herët për të thënë nëse bankat e kanë kaluar sprovën e pandemisë e COVID-19.

Për shkak të mbështetjes me masa rregullatore të përkohshme, përcjellja e efekteve të krizës do të jetë më e vonuar në kohë, ndoshta duke nisur nga mesi i këtij viti. Bankierët janë optimistë se ky efekt do të jetë i përkohshëm dhe i menaxhueshëm, por në thelb, do të varet shumë nga shpejtësia e rimëkëmbjes së ekonomisë reale./Nga Ersuin Shehu/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco