Borxhi Publik, rritje rekord gjatë fushatës, qeveria konsumoi gjysmën e gjithë vitit

Borxhi Publik, rritje rekord gjatë fushatës, qeveria konsumoi gjysmën e gjithë vitit

06:10, 27/04/2021
A+ Aa A-

Borxhi publik i vendit pësoi një rritje jo të zakonte në tremujorin e parë të vitit 2021 në kulmin e fushatës zgjedhore.

Sipas të dhënave të zyrtare të Ministrisë Financave, stoku i borxhit publik u rrit në janar-mars me 45,7 miliardë lekë ose rreth 372 milionë euro. Kjo ishte rritja më e fortë për një periudhe kaq të shkurtër dhe është sa rreth 41 për qind të gjithë shtesës së borxhit gjatë vitit pandemik 2020 (në 2020-n stoku i borxhit u rrit me rreth 112 miliardë lekë, në raport me 2019-n).

Në total stoku i detyrimeve publike arriti në rreth 1.26 trilionë lekë, nga 1.24 trilionë lekë që ishte në fund të vitit 2020. Të dhënat tregojnë se qeveria ka konsumuar vetëm në tre muaj gjysmën e sasisë vjetore të borxhit të ri që ishte planifikuar ketë vit.

Borxhi në % të PBB pësoi rënie, duke arritur nivelin 75.4%, nga 77.8 për qind që ishte në fund të vitit. Mirëpo krahasimi me PBB nuk vlen para fundit të vitit për shkak se, shifra e PBB-së përfaqëson  pritshmërinë e fundit të vitit.

Të dhëna më të detajuara të Ministrisë së Financave tregojnë se, rritja e borxhit në këtë periudhe është stimuluar nga dy kredia të mëdha. Njëra me vlerë 90 milionë euro nga Komisioni Europian për zbutjen e pasojave të rënda ekonomiko-sociale që krijoi pandemia Covid -19 dhe tjetra kredi prej 82 milionë euro e IBRD për mbështetjen e turizmit dhe infrastrukturës.

Më tej një rritje prej rreth 50 milionë eurosh është krijuar nga rivlerësimi i kursit të këmbimit dhe pjesa tjetër prej 18 miliardë  lekësh rreth 150 milionë euro është huaja shtesë që u mor në tregun e brendshëm.

Borxhi publik i vendit shënoi një rritje jo të zakonte me rreth 10 pikë përqindje të PBB-së për shkak të tronditjes ekonomike që krijoi tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid -19, që e rriten stokun e detyrimeve me gati 1 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar. Në raport me PBB-në borxhi publik arriti në 78% në fund të 2020-s, nga 66.2% në fund të 2019-s.

Sipas një renditje të Eurostat, Shqipëria u përfshi në mesin e 13 vendeve më borxhin më të lartë publike në raport me PBB në të gjithë Europë në vitin 2020.

Por me kapacitetin fiskal që ka Shqipëria borxhi publik është së paku 15 pikë përqindje më i lartë se kufiri maksimal që një vend në tranzicion i lejohet të këtë, sipas kritereve të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Shqipëria e ka rritur me shpejtësi borxhin publik në dekadën e fundit, por përdorimi i tij vlerësohet se nuk ka gjeneruar rritje ekonomike me të njëjtat ritme./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco