Klubet e natës në luftën për mbijetesë

Klubet e natës në luftën për mbijetesë

08:00, 27/02/2021
A+ Aa A-

Edhe para Covid-19, klubet e natës ishin në vështirësi. Pandemia i ka detyruar të luftojnë për mbijetesë, shkruan The Economist

Në kohë normale, është jashtëzakonisht e vështirë të hysh në Berghain, një klub nate tekno në Berlinin Lindor. Por në shtator, ky vend hapi dyert: çdokush mund të hynte, jo për të kërcyer, por për të inspektuar punën e 115 artistëve të Berlinit. Organizatorët u përpoqën të rikrijonin atmosferën misterioze të klubit.

Mbi kamerat telefonike të vizitorëve u vendosën stikera. Rojet e sigurimit, tashmë të punësuar sërish, qëndronin në vend me një pamje të vrazhdë, duke e bërë atmosferën edhe më autentike. Vizitorët nuk kishin mundësi të orientoheshin as nga shenjat informuese mbi veprat e artit.

Motivi ishte i thjeshtë. Si një klub nate, vendi duhej të mbyllej si pjesë e masave që synonin të kufizonin përhapjen e Covid-19. Por si një galeri, ai mund të rihapej (megjithëse duhej të mbyllej përsëri në nëntor). Ky nuk është klubi i vetëm që ka gjetur një mënyrë krijuese për të siguruar jetesën gjatë pandemisë. KitKatClub, një nga vendet më të frekuentuara të qytetit, po jep me qira hapësirën e jashtme për një firmë që ofron teste Covid-19.

Ashtu si restorantet, kinematë dhe hotelet, klubet e natës kanë vuajtur nga pandemia. Sars-cov-2, virusi që shkakton Covid-19, lulëzon në hapësira me ajrosje të dobët dhe përhapet më lehtë në afërsi dhe kur njerëzit marrin frymë rëndë – siç ndodh në sallat e kërcimit.

 

Të shtunave në mbrëmje

Edhe para se qeveritë të fillonin të mbyllnin industrinë e hotelerisë, klubet e natës u identifikuan si një vektor jashtëzakonisht serioz i infeksionit. Në maj, qeveria e Koresë së Jugut i këshilloi ata të mbyllen për një muaj, pasi gjurmuan një numër rastesh në klubet homoseksuale në Seul. Kur klubet lejoheshin të hapeshin, ata bënin çmos për të operuar në mënyrë të sigurt. Por restorantet, kinematë dhe teatrot mund të funksionojnë me gjysmën e vendeve, ndërsa klubet e natës me distancim social nuk kanë shumë kuptim.

Pyetjet që janë ngritur për shkak të Covid-19 për të gjitha industritë e hotelerisë dhe ato sociale, janë: së pari, nëse është e mundur të mbahen të bllokuara për një periudhë aq të gjatë, derisa bota t’i rikthehet normalitetit; dhe së dyti, nëse ky normalitet do t’i përfshijë këto industri. Për restorantet që mund të kryejnë dërgesa në shtëpi, mbijetesa deri në ringjallje duket e mundur. Kinematë po lulëzonin kur goditi pandemia; ato mund të shpresojnë që energjia të rikthehet më pas.

Por për klubet nuk është e njëjta gjë. Në vendet e pasura, pandemia mund të kalojë shpejt – por popullatat tashmë po plakeshin dhe klubet po vuanin. Në vendet e varfra, klubet e natës ishin më të suksesshme para se të përhapej pandemia. Por kthimi në normalitet mund të zgjasë shumë më tepër: Afrika mund të mos arrijë imunitetin në masë deri në vitin 2024. Nëse sallat e kërcimit do të presin një përsëritje të epokës së artë të viteve njëzet, klubet kudo duhet të përqafojnë inovacionin.

Në dekadën para pandemisë, numri i klubeve të natës u tkurr me 21% në Britani dhe 10% në Amerikë dhe Gjermani, sipas IBISWorld, një firmë për hulumtimin e tregut. Në qytetet e mëdha, rënia ka qenë veçanërisht e mprehtë. Londra ka humbur rreth gjysmën e klubeve në dekadën e kaluar. Janë hapur klube të reja, por jo në numër të mjaftueshëm për të kompensuar rënien.

Qiratë janë rritur dhe numri i vizitorëve ka rënë. Në Britani, ndryshimet e ligjeve të licencimit në vitin 2005, i kanë lejuar pub-et dhe baret të qëndrojnë të hapura më vonë, duke garuar me klubet e natës. Që nga viti 2006, shumica e shteteve gjermane gjithashtu kanë zgjatur orët e hapjes. Ndërkohë, në vendet e pasura, të rinjtë po pinë më pak alkool. Ka më të ngjarë që ata t’i takojnë partnerët nëpër aplikacione online, sesa në bare. Në Britani, 5% e 20-vjeçarëve thonë se u takuan me partnerët e tyre në një lokal; për moshat mbi 50 vjeç, kjo shifër është 20%. Dhe ndërkohë që rrjetet sociale kanë mundësuar kontakte të rregullta mes miqve, ideja e kalimit të një mbrëmjeje në një klub nate, nuk është më aq tërheqëse sa më parë.

Disa nga mënyrat se si klubet janë përgjigjur ndaj krizës, i kanë përkeqësuar gjërat. Në një përpjekje për të kompensuar ndikimin e rënies së pjesëmarrjes, shumë prej tyre rritën çmimet e biletave dhe pijeve, gjë që i ka bërë edhe më pak popullorë. Dhe kur bëhet fjalë për muzikë, ata mezi po arrijnë të qëndrojnë në linjë me trendet më të fundit. Ndërkohë që njerëzit po dëgjojnë gjithnjë e më shumë lista të personalizuara këngësh muzikore, përpilimi i një grupi këngësh të përshtatshme për qindra njerëz në sallën e kërcimit, është bërë më i vështirë.

Klubet nuk do të jenë në gjendje të funksionojnë normalisht, derisa shumica e njerëzve të vaksinohen. Ata që përqendrohen në audienca të këndshme, por entuziaste, dhe që tërheqin yje ndërkombëtarë, do të lulëzojnë kur dashamirësit e festave të lejohen të dalin lirisht në rrugë. Por për një klub nate të zakonshëm, me listat e lodhura muzikore dhe çmimet e larta të pijeve, një kthim në status quo ante nuk do të jetë i mjaftueshëm.

 

Ritmi vazhdon

Në një kohë kur popullsia në vendet e pasura po plaket, pulsi i industrisë së klubeve të natës është zhvendosur në qytete të mëdha në botën në zhvillim, ku njerëzit janë më të rinj, pjesa e popullsisë me të ardhura të mira po rritej deri në ardhjen e pandemisë, dhe ligjet e licencimit janë më pak të rrepta – ose të paktën zbatohen në mënyrë më pak rigoroze. Qytete si Nairobi po kthehen në pika të nxehta për DJ të mëdhenj. Ashtu siç entuziastët e festave të çmendura shkonin në Berlin në vitet 1990, tani shkojnë në San Paulo dhe Marrakesh.

Netët me DJ të famshëm kanë tërhequr njerëz nga i gjithë Brazili deri në Campinas, qytetin e tretë më të madh në shtetin San Paulo. Nata LGBT në Caos, një klub në një depo të vjetër në një nga pronat industriale të qytetit, është një nga më të mëdhatë në një rajon kryesisht konservator. Në Nairobi, janë hapur klube të reja, pasi numri i të rinjve me para është rritur. Në shumicën e lagjeve, është ndërtuar nga një apartament i ri apo zyrë dhe gjithashtu nga një klub nate, thotë Jeannette Musembi nga grupi Bars Keny.

Ndryshe nga homologët e tyre në botën e pasur, klubet në vendet në zhvillim nuk janë detyruar që të mbyllen nga qeveritë – megjithëse mund t’u kërkohet të shtojnë masa të tilla si distancimi social dhe kontrollet e temperaturës. Caos po operon me kapacitet 20%, me grupe prej gjashtë personash të ulur me maska rreth tavolinave. Klubi po korrte fitime të mira, para se të godiste Covid-19, megjithëse u hap vetëm tre ose katër herë në muaj. Tani, ai hapet pesë ditë në javë, në një përpjekje për të qëndruar popullor.

Një shtetrrethim në Kenia i ka detyruar klubet të mbyllen në orën 22:00. Për të qëndruar në biznes, shumë prej tyre kanë filluar të hapen gjatë ditës: megjithëse atmosfera nuk është e njëjta dhe sallat e kërcimit janë kryesisht të zbrazëta, por të paktën klubet fitojnë pak para në këtë mënyrë. Por janë të pamjaftueshme. Mungesa e ndonjë mbështetjeje qeveritare do të thotë se klubet kanë qenë gjithashtu të detyruar të pushojnë stafin e tyre. “Tani ka pak ose aspak buxhet për argëtim, dhe shumica e dashamirësve të festave preferojnë të pinë në shtëpi dhe të shmangin policinë”, thotë zonja Musembi.

Një burim i vazhdueshëm të ardhurash është i dobishëm gjatë një krize ekonomike. Por kjo është e lidhur me arsyen pse pandemia do të zgjasë më gjatë në botën në zhvillim: qeveritë janë më pak të gatshme dhe të afta për të vepruar. Në Brazil, për shembull, edhe kur një variant i ri ngjitës duket se po përhapet nga Manaus në rajonin verior të Amazonës, Jair Bolsonaro, presidenti populist i vendit, ka kundërshtuar masat bllokuese dhe është tallur se vaksinat Covid-19 mund t’i kthejnë njerëzit në krokodilë ose mund t’i bëjnë zonjat me mjekër.

Nëse klubet e natës në vendet në zhvillim arrijnë të mbijetojnë nga Covid-19, do të përballen me të njëjtat presione që ushtrohen aktualisht ndaj homologëve të tyre në vendet e pasura. Për të mbijetuar, duhet të mundësojnë të njëjtat lloje akomodimesh: gjetjen e vendeve të reja, më formale; ndërtimin e marrëdhënieve më të mira me banorët lokalë, shpesh duke bërë më pak zhurmë; dhe të bindin autoritetet se janë një burim i dobishëm i vendeve të punës dhe një mënyrë për të mbajtur qendrat e qyteteve më të sigurta gjatë natës.

Skena e klubeve në San Paulo dhe qytete të ngjashme, është e madhe, por joformale, si ajo e Berlinit gjatë periudhës së lulëzimit në vitet 1990. Hapësira për klube ishte e lehtë për t’u gjendur në kryeqytetin gjerman pas rënies së Murit, kur një e treta e ndërtesave në lindje të qytetit ishte bosh. Depot dhe bankat e braktisura shpejt u kthyen në ndërtesa për klubet e natës.

Por me rritjen e prosperitetit, vende të tilla u pakësuan. Një nga klubet më të njohura në San Paulo, Fabriketa, është ngritur në një fabrikë të madhe tekstilesh në qendër të qytetit, që ishte lënë e papërdorur. Në Nos Trilhos, një vend i hapur që dikur njihej si varreza e trenave të qytetit, DJ vendosën sistemet e zërit në karrocat e ndryshkura, ndërsa frekuentuesit e klubeve kërcenin nëpër shinat e hekurudhës.

Pronarët japin shpesh me qira hapësira të tilla për klubet, sepse është një mënyrë më e lehtë për të fituar para. Por ata gjithashtu nuk ngurrojnë t’i heqin qafe qiramarrësit e tyre, sapo shohin shenjën e parë të telashit. Ndërkohë që San Paulo popullohet më tepër me banesa, klubet po rivalizohen nga fqinjë të rinj.

“Qyteti po rritet aq shpejt saqë vendet me zhurmë po bëhen problem”, thotë Guga Trevisani, një producent dhe agjent muzikor me qendër në qytet. Pas ankesave, vijnë kontrollet e policisë dhe mbylljet. Dhe qiratë vazhdojnë të rriten. Shkalla mujore e qirasë në San Paulo u rrit nga 5,000 realë (950 $) në vitin 2015, në 30,000 realë (5,600 $) në fillim të vitit 2020. Kjo e bën të ardhmen e klubeve të pasigurt.

Kështu krijohet një mospërputhshmëri, ku nga njëra anë kemi njerëz që duan të argëtohen me zhurmë dhe nga ana tjetër, njerëz që po përpiqen të flenë. (Edhe në Ibiza, kryeqytetin e klubeve të Europës që nga vitet 1980, tre të katërtat e banorëve ende thonë se janë kundër turizmit të natës.) Në nëntor 2019, katër nga klubet më të mëdha në Nairobi, u urdhëruan të mbyllen nga qeveria lokale, pasi një grup banorësh loboi kundër tyre. Klubi i natës Space Lounge, postoi një tabelë: “Na vjen keq, jemi të mbyllur (por ende me mendje të hapur)”.

Në Europë, grupet lobuese të jetës së natës kanë arritur të bindin qeveritë se klubet janë të mira për qytetet, jo një shqetësim. Marrëdhëniet me proceset zyrtare janë përmirësuar shumë në Berlin në dy dekadat e fundit. Bastisjet e policisë, të cilat dëmtuan imazhin e klubeve të qytetit në vitet 1990, janë të rralla. Ankesat ndaj zhurmave shpesh janë pjesë e mosmarrëveshjeve më të hidhura. Qeveria e qytetit nisi një fond për izolimin e zhurmës me vlerë 1 milion euro (1.2 milionë dollarë) në vitin 2018, por në përgjithësi klubet tani thjesht paguajnë për izolimin e zërit.

Homologët e tyre në vendet në zhvillim ende përballen me skepticizëm – ose ndoshta indiferencë. Një fushatë para-pandemike për të shtuar jetën e natës së Nairobit, si aset për turizmin e Kenias, nuk arriti ndonjë sukses. Disa propozojnë që qendra e qytetit të mbahet gjallë jashtë orarit të punës. “Qytetet e zbrazëta nuk janë shumë të rehatshme për të jetuar”, thekson Lutz Leichsenring nga Komisioni i Klubit të Berlinit. “Nëse jeni duke qëndruar natën në një stacion autobusi bosh, nuk do të ndiheni shumë të sigurt”.

Theksimi i kontributit ekonomik të klubeve ndoshta do të jetë më i dobishëm. Ndërsa vendet dalin nga pandemia, qeveritë do të jenë të dëshpëruara për rritje nga çdo burim. Dhe siç tregon Mirik Milan, themeluesi i Planit Global të Rimëkëmbjes së Natës, një grup industrie që harton ide për rihapjen e ekonomisë: “Kur ka shumë njerëz që kërcejnë, ka edhe shumë njerëz që punojnë”./ Përktheu: Lira Muça/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco