‘Ezauroi 34% të defiçitit buxhetor vetëm në dhjetor’/ Eksperti: Duhet hetim! Qeveria cenoi efiçiencën e investimeve

‘Ezauroi 34% të defiçitit buxhetor vetëm në dhjetor’/ Eksperti: Duhet hetim! Qeveria cenoi efiçiencën e investimeve

21:14, 15/02/2021
A+ Aa A-

Efektiviteti i shpenzimeve publike po cenohet nga pagesat jo të rregullta të qeverisë, të cilat zakonisht bëhen në fund të muajit dhjetor.

Kjo praktikë e cilësuar aspak eficiente për shpenzimet po e thellon tendencën e saj.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, qeveria konsumoi nga deficiti buxhetor (borxhi i ri) 110 miliardë lekë në vitin 2020. Por, 34 % e kësaj shume, ose më shumë se 37 miliardë, u përdorën në muajin dhjetor.

Qeveria injektoi më shumë se 302 milionë euro në ekonomi gjatë një muaji dhe ky ishte ndër faktorët kryesorë që ndikoi në rritjen jo të zakontë të depozitave të bizneseve në fund të vitit, raportoi Banka e Shqipërisë.

Si kudo në botë, pandemia e Covid -19 ka rritur deficitet dhe shpenzimet buxhetore. Në kuadër të një plani masash në mars 2020, qeveria e çoi deficitin buxhetor të vendit në 132 miliardë lekë, ose mbi 1 miliard euro, nga 39 miliardë lekë që ishte në buxhetin fillestar. Teksa të ardhurat ishin në rënie të qëndrueshme në gjithë vitin 2020 qeveria deri në nëntor 2020 konsumoi vetëm gjysmën e borxhit të ri në dispozicion, për të shpenzuar një të tretën e tij në muajin dhjetor, dhe la të paezauruar 16% të planifikimit, rreth 22 miliardë lekë, në linjë me mosrealizimin e planit të të ardhurave.

Përqendrimi i pagesave buxhetore në fund të vitit bëhet shkak për krijimin e detyrimeve të prapambetura. Burime nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave shpjeguan se detyrimet e prapambetura krijohen kryesisht nga katër arsye kryesore.

Së pari, në disa raste, kontratat për investime realizohen përtej parashikimeve buxhetore. Së dyti, autoritetet kontraktuese ndryshojnë destinacionin e fondeve nga një projekt në një tjetër. Shpesh, projekti i ri ka nevoja më të mëdha për financime dhe bëhet shkak për akumulim detyrimesh. Së treti, problematike në drejtim të krijimit të detyrimeve mbetet fakti se 70% e fondeve për investime apo për mirëmbajtje, alokohej në dy muajt e fundit. Së katërti, autoritetet kontraktore vuajnë nga një nivel i ulët menaxhimi, shpjegoi burimi nga Drejtoria e Thesarit.

Ish-drejtori i Auditit të Buxhetit në Kontrollin e Lartë të Shtetit, Azmi Stringa, tha se, gjatë kontrolleve në një vit, çeljet e thesarit ishin 60 miliardë lekë më shumë se buxheti i miratuar.

Zoti Stringa tha se ligjet që parandalojnë krijimin e detyrimeve janë të rrepta, por nuk janë zbatuar, shumë persona duhet të hetoheshin, por deri më tani, nuk është marrë as edhe një masë administrative, tha ai.

Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, zbuloi në një raport të posaçëm, se në vitin 2019, mbi 46% e faturave të detyrimeve të prapambetura nuk janë kontabilizuar brenda afatit prej 30 ditësh në sistemin e Thesarit (SIFQ)./ Monitor/ 

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco