Rimëkëmbje e vështirë, si pritet ecuria e ekonomisë në vitin 2021

Rimëkëmbje e vështirë, si pritet ecuria e ekonomisë në vitin 2021

06:09, 16/01/2021
A+ Aa A-

Ekonomia vendase pritet të rimarrë veten pas vitit të vështirë që sapo lamë pas. Por, rimëkëmbja pritet të jetë subjekt i pasigurive të shumta, të lidhura me ecurinë e pandemisë në vend e në botë dhe rezultatet e vaksinimit. Institucionet ndërkombëtare nuk presin një rritje më të lartë se 5-5.5% në 2021-shin, çka do të bëjë që të mos arrijmë të rikthehemi në nivelet e parakrizës këtë vit, por vetëm në 2022-shin. Eksportet optimiste, përveç tekstileve e këpucëve. Si po ndryshon ekonomia pas COVID-19, shanset nga ndryshimi i zinxhirëve globalë të furnizimit. Të mëdhenjtë pritet të blejnë të vegjlit. Rreziqet nga buxheti optimist dhe shpenzimet pa fre, në prag të zgjedhjeve. Shpresa e rindërtimit

Nga Ornela Liperi

E lamë më të keqen pas me 2020-n? Shumë janë të bindur që po, pasi bota përjetoi recesionin më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ekonomia shqiptare pa rënien më të fortë që nga kriza e piramidave në 1997-n. Por, pasiguritë janë të shumta dhe rreziqet janë në kahun e poshtëm, teksa situata me pandeminë mbetet e paqartë, po ashtu dhe kohëzgjatja e saj. Fillimi i vaksinimit nuk i ka penguar shtetet e mëdha të marrin masa edhe më të forta mbylljeje, duke zbehur shpresat për një rimëkëmbje të shpejtë.

Të paktën edhe muajt e parë pritet të jenë të vështirë për të gjithë, përfshirë Shqipërinë. Me kalimin e dimrit, arritjen graduale të imunitetit të tufës dhe fillimin e vaksinimit, situata do të vijë drejt përmirësimit, duke shpresuar për një verë më të mirë dhe rimëkëmbje të turizmit. Pas tkurrjes së fortë (-6 deri në 7% të pritshme për 2020-n), institucionet ndërkombëtare nuk parashikojnë një rritje më të fortë se 5.1%.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që Shqipëria të ketë një rimëkëmbje graduale në 2021-’22, me një normë rreth 5%. “Kjo perspektivë është subjekt i pasigurive të mëdha, që lidhen me valën e dytë të virusit, ndonëse vaksina është një lajm i mirë”, thotë shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vazhdon të mbajë parashikimin për një rimëkëmbje të PBB-së me 4.5% në vitin 2021. “Por, kjo varet shumë nga se si do të evoluojë situata me COVID-19, veçanërisht sa i përket sezonit të ardhshëm turistik veror”, thotë Matteo Colangeli, Drejtor i Zyrës së BERZH në Shqipëri.

Sipas projeksioneve bazë të Bankës Botërore, në vitin 2021, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 5.1%. “Një nga supozimet kryesore, që qëndron në themel të këtij projeksioni rikuperimi, është se turizmi ndërkombëtar mund të rimëkëmbet ndjeshëm në vitin 2021”, tha Maryam Salim, menaxhere e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri (lexo intervistat në vijim).

Me këto ritme, rikthimi në nivelet e parakrizës nuk mund të ndodhë këtë vit, por vetëm në 2022-shin. “Rimëkëmbja e ekonomisë do të jetë një proces gradual. Edhe pse në rritje, vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të arrijë nivelin e shënuar para krizës vetëm në vitin 2022. Ecuria e ekonomisë, gjatë vitit të ardhshëm, është e rrethuar nga rreziqe të kahut të poshtëm”, parashikon Banka e Shqipërisë.

Banka Botërore ka dhe një skenar pesimist, duke supozuar një rritje më të shpejtë të rasteve të reja me COVID-19 që zgjat deri në gjysmën e dytë të 2021 në shumë vende, dhe një vonesë e vaksinimit me dy deri në katër tremujorë. Sipas këtij skenari, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 2.6 pikë përqindje më pak se në skenarin bazë, duke zbritur në një zgjerim prej vetëm 2.5%. Nëse ky skenar do të materializohej, rikthimi në nivelet e parakrizës do të vështirësohej edhe për në vitin 2022.

Por, me përfundimin e pandemisë, – që sipas eksperiencës së gripit spanjoll mund të zgjasë dy vjet, pra deri në fund të 2021- rimëkëmbja pritet të jetë e shpejtë, e orientuar nga konsumi dhe turizmi. Në sektorin privat do të ketë flukse të parave, ndërkohë që ekonomia rihapet plotësisht.

Familjet dhe kompanitë, që në kohën e pandemisë ishin të kujdesshme, duke ruajtur kursimet e akumuluara, pas rihapjes, mund të nisin një valë shpenzimesh, duke kompensuar për gjithë kohën që nuk kanë kaluar në udhëtime, argëtim, restorante dhe bare, në vitin 2020, duke i lënë vendin një periudhe të re dinamizmi ekonomik.

 

Pritshmëritë për sektorët kryesorë, sipas peshës në PBB

Bujqësia, ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme ishin sektorët që “shpëtuan” ekonominë në vitin 2020. Të tre së bashku zënë rreth 33% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Bujqësia, sektori kryesor në ekonomi, me 18.4% të PBB-së, sipas INSTAT pritet edhe këtë vit të vijojë tendencën pozitive, e ndikuar nga rimodelimi i prodhimit (përmirësimi i zinxhirit prodhues e tregues), ndonëse problemet strukturore do të vijojnë dhe blegtoria parashikohet më e dobët.

Ndërtimi, me 9% të PBB-së, filloi të merrte veten që në tremujorin e dytë 2020, kulmoi në të tretin dhe parashikohet të vijojë i tillë, i nxitur sa nga projektet private që po rrezikojnë krijimin e një mbioferte, ashtu dhe nga rindërtimi, që pritet të kulmojë në prag të zgjedhjeve. Buxheti i shtetit parashikon këtë vit mbi 30 miliardë lekë për pasojat e tërmetit, pasi procesi u vonua në 2020-n për shkak të pandemisë.

Aktivitetet e pasurive të paluajtshme (5.5% e PBB-së) ishin në lulëzim në 2020-n, të nxitur dhe nga flukset informale dhe pritet të vijojnë të kenë një vit pozitiv, në mbështetje edhe të vrullit të rindërtimit, ndonëse në afat të gjatë një orientim i tillë nuk i sjell asnjë vlerë të shtuar ekonomisë.

Tregtia dhe shërbimet, që së bashku sjellin më shumë se 22% të PBB-së u ndikuan më fort nga kufizimet e pandemisë, rritja e papunësisë e tkurrja e konsumit në 2020-n. Sektori nuk po sheh dritë jeshile, me pandeminë që ende është në kulmin e saj, teksa sjellja konsumatore po ndryshon. “Për ushqimet dhe tregtinë me pakicë vërehet një rritje e volumeve në produktet e shportës dhe një rënie tek produktet jo ushqimore dhe jo të domosdoshme për një familje.

Klientët janë ende më të orientuara drejt ofertës dhe çmimit”, pohon z. Julian Mane, zv.president i grupit “Balfin”, më i madh i pakicës në vend. Sa më shpejt të përfundojë pandemia, aq më e shpejtë do jetë dhe ringritja e tregtisë dhe shërbimeve.

Në të njëjtën linjë edhe sektori i transportit (3.3% e PBB-së) është i varur nga ecuria e pandemisë. Baret dhe restorantet, që përbëjnë rreth 15% të sipërmarrjeve në vend janë pesimiste se do të arrijnë të rezistojnë deri në fund dhe parashikojnë shumë mbyllje. Industria kontribuon në 12.2% të PBB-së, nga e cila 6.1% (e PBB) është sektori përpunues. Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, thotë se një pjesë e mirë e biznesit prodhues e ka marrë veten.

Në panoramën sektoriale, “ushqimet dhe pije joalkoolike” janë rikuperuar tërësisht dhe pritshmëritë janë pozitive. “Me apo pa vaksinë, nga marsi apo prilli, pritet të ulet virulenca, do të udhëtohet për pushime, do të ketë festa. Pijet alkoolike nuk e kanë marrë veten nga dëmi i vjetshëm, parashikohet të rikuperojnë jo për të dalë në sipërfaqe”.

Shkodra shton se eksporti i fruta-perimeve do të jetë në rritje, teksa skemat e IPARD kanë funksionuar. Prodhimi i materialeve të ndërtimit, e ka marrë veten që në gjysmën e dytë 2020, por Shkodra shton se duket të ishte nxitur produkti shqiptar, p.sh., në procesin e rindërtimit.

Përpunimi i drurit, ndonëse në rritje, ka problemet e veta, pasi nuk është i qëndrueshëm për sa kohë që nuk ka moratorium të pyjeve dhe varet nga lënda e parë e huaj. Edhe ky sektor pritet të ndihmohet nga rindërtimi. Sektorë problematikë vijojnë të mbeten, sipas Shkodrës, ai i metaleve me ngjyra, riciklimit (pasi po shkohet direkt drejt incenerimit), plastikës, prodhimit të letrës.

Rikuperimi më i vështirë pritet për sektorin e tekstileve e këpucëve, kryesisht që punon me material porositësi. Shkodra thotë se prodhimi ka mbetur stok, gjë që ka çuar në rënien e porosive, duke vënë në vështirësi të madhe industrinë. Edhe orientimi drejt maskave e veshjeve spitalore ishte i përkohshëm. Më e lehtë do të jetë për bizneset që kanë investuar në prodhimin e gatshëm. Shkodra shton se në një vit zgjedhor, mund të presim dhe të papritura nga ana e politikës.

Fillim i vështirë

Të paktën edhe muajt e parë pritet të jenë të vështirë për të gjithë, përfshirë Shqipërinë. Me kalimin e dimrit, arritjen graduale të imunitetit të tufës dhe fillimin e vaksinimit, situata do të vijë drejt përmirësimit, duke shpresuar për një verë më të mirë dhe rimëkëmbje të turizmit/MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco