Kompanitë e huaja transferuan jashtë 379 milionë euro fitime, 5% më pak

Kompanitë e huaja transferuan jashtë 379 milionë euro fitime, 5% më pak

06:21, 04/01/2021
A+ Aa A-

Kriza ka frenuar transferimin jashtë vendit të fitimeve nga investitorët e huaj në Shqipëri.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se flukset dalëse në zërin e të ardhurave nga investimet për tremujorin e tretë të vitit 2020 ranë më tej në 121 milionë euro, 20% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për 9-mujorin 2020, flukset dalëse të lidhura me të ardhurat nga investimet, arritën në 379 milionë euro, me një rënie prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pavarësisht rënies krahasuar me një vit më parë, vlera e fitimeve të nxjerra jashtë vendit nga investitorët e huaj ngelet në nivele relativisht të larta krahasuar me vitet mëparshme. Transferimi i fitimeve të bizneseve të huaja jashtë vendit ka shënuar rritje të ndjeshme sidomos pas vitit 2017.

Kjo mund të shpjegohet me përmirësimin e bilanceve dhe përfitueshmërisë së bizneseve, në kushtet kur ekonomia është rritur me ritme më të përmirësuara pas vitit 2014. Një faktor tjetër që ka ndikuar daljet e larta të fitimeve në vitet e fundit është rritja e detyrimeve te jorezidentët, sidomos nga qeveria shqiptare. Për nëntë muajt e parë të vitit 2020, qeveria shqiptare ka shpenzuar 6.5 miliardë lekë, ose rreth 52 milionë euro për interesat e borxhit të jashtëm.

Në kahun e kundërt, të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit janë ndjeshëm më të ulëta. Për 9-mujorin 2020, ato përbënin vetëm një të pestën e shumës së tërhequr nga investitorët e huaj në Shqipëri.

    Bilanci neto i të ardhurave nga investimet për ekonominë shqiptare është në vazhdimësi negativ, sepse ne jemi një vend pritës i investimeve të huaja. Kjo sjell edhe dalje periodike të të ardhurave në formën e dividendëve që shoqëritë me kapital të huaj shpërndajnë tek aksionerët e tyre jashtë vendit.

    Bilanci neto i flukseve të të ardhurave nga investimet në ekonominë shqiptare është negativ në vlerën e 302 milionë eurove, me një rënie prej gati 14% krahasuar me një vit më parë. Ulja e deficitit neto në të ardhurat nga investimet erdhi kryesisht nga pakësimi i fitimeve të transferuara jashtë vendit.

    Pandemia e COVID-19 solli një goditje të fortë në ekonomi dhe pasiguri të shtuar për të ardhmen. Në këtë situatë, ishte e pritshme që shumë biznese të pezullonin shpërndarjen e dividendëve, për të forcuar kapitalizimin e kompanive. Për bizneset që operojnë në tregjet e mbikëqyrura financiare, si bankat apo kompanitë e sigurimeve, shpërndarja e fitimeve u pezullua përmes vendimeve të posaçme të autoriteteve rregullatore për të gjithë vitin 2020./E.Shehu/MONITOR

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco