Lajmi i fundit

Kërkesë e opozitës/ Bie seanca e 7 marsit, Sekretariati i Etikës anulon votimin e ligjeve pa kuorum

Pandemia apo ekonomia? Çfarë ka zgjedhur Shqipëria në pritje të 'imunitetit të tufës'?

Pandemia apo ekonomia? Çfarë ka zgjedhur Shqipëria në pritje të 'imunitetit të tufës'?

06:13, 19/12/2020
A+ Aa A-

Pandemia apo ekonomia? Qeveria ka zgjedhur ekonominë. Komiteti i Ekspertëve që menaxhon pandeminë, i ka propozuar qeverisë që vendi të mbyllej dy javë që prej festave të nëntorit, por nuk është pranuar, për shkak të pamundësive financiare për të përballuar pagesat direkte. Për rrjedhojë, Komiteti i Ekspertëve ka ndërtuar disa skenarë për përballimin e pandemisë pa masa të rrepta kufizuese. Teksa muaji më i keq për pandeminë pritet të jetë janari, është shtuar frika për furnizime të rregullta me oksigjen dhe disa preparate që lidhen me trajtimin e sëmundjes. Si ndikon i ftohti dhe si po rrezikohet jeta e të sëmurëve nga mungesa e stafeve infermierore. Imuniteti i tufës nuk krijohet para vjeshtës 2021.

Nga Monitor.

Festat e fundvitit, ftohja e motit, virozat e stinës, bashkë me grumbullimet si pasojë e protestave të ditëve të fundit pritet ta bëjnë më agresive pandeminë në muajin janar. Përkundër faktorëve që shtojnë agresivitetin e virusit, që sipas epidemiologëve është afër kulmit të valës së dytë, duket se qeveria nuk do të marrë masa të reja kufizimi totale.

Burimet nga Komiteti i Ekspertëve thanë se, i kishin propozuar qeverisë mbyllje dyjavore që për festat e nëntorit, por kërkesa nuk është marrë në konsideratë, për shkak të burimeve të kufizuara financiare për të ofruar paketa ndihme, në rast të një mbyllje totale.

Mes “presionit” nga Komiteti i Ekspertëve për të frenuar përhapjen e koronavirusit dhe bizneseve për të mos mbyllur ekonominë, qeveria është vënë në krah të ekonomisë. Në këto kohë, shpenzimet për shkak të festave janë të larta. Qendrat tregtare realizojnë një pjesë të konsiderueshme të shitjeve vjetore në dhjetor, ndërsa hotelet dhe restorantet fitojnë nga rezervimet për festa.

Duke qenë se qeveria është pozicionuar në krah të biznesit, Komiteti i Ekspertëve ka bërë gati disa skenarë për të përballuar pandeminë, duke i përjashtuar opsionet e mbylljes totale. Por, edhe pa masa të reja kufizuese nuk pritet që imuniteti i tufës të përfundojë para vjeshtës së vitit 2021. Eksperti i shëndetit publik pranë Institutit të Shëndetit Publik, zoti Alban Ylli tha se, Shqipëria është afër pikut të valës së dytë, teksa lajmëroi se na pret një dimër i vështirë.

Përballimi i pandemisë pa masa kufizuese do ta vërë sistemin shëndetësor dhe popullatën para sfidave. Duke qenë se e gjithë Europa është duke kaluar të njëjtën situatë, pritet të ketë vështirësi në furnizimet me disa preparate që nevojiten për trajtimin e sëmundjes, ku kryesor është oksigjeni. Gjatë javës së dytë të dhjetorit, numri i të shtruarve në spital ishte mesatarisht 430, teksa janë më shumë se 80 shtretër ende të lirë, ndërkohë që me qindra pacientë më simptoma të moderuara po kurohen në shtëpi, sipas udhëzimeve të mjekëve të familjes.

Bëhen gati 12 spitale rajonale, rreth 1000 shtretër të tjerë

Aktualisht, vala e pandemisë është duke u përballuar nga të katër spitalet Covid në Tiranë, të cilat nuk janë tërësisht të ezauruara. Burimet nga grupi i ekspertëve pohuan se janë edhe rreth 80 shtretër ende të pazënë në spitalet Covid në Tiranë. Ndërkohë janë gati për të nisur punën edhe 12 spitale rajonale, madje disa prej tyre kanë filluar. Një komision teknik i ngritur dy muaj më parë ka vlerësuar dhe bërë gati pavijonet në spitalet e rajonale që të kthehen në dispozicion të trajtimit të Covid.

Në fazën e parë është bërë gati një e treta e kapaciteteve të këtyre spitaleve. Gjithsej, në të gjitha spitalet rajonale, janë në dispozicion të trajtimit të Covid rreth 1000 shtretër, bënë të ditur të njëjtat burime. Këto pavijone janë izoluar nga pjesa tjetër e shërbimeve spitalore, janë pajisur me linjat e oksigjenit dhe me aparatura respiratore. Në përbërje të stafeve mjekësore do të ketë mjekë pneumologë, infeksionistë, renimatorë dhe mjekë urgjence.

Paralelisht me përshtatjen e pavijoneve janë trajnuar edhe stafet mjekësore. Disa nga këto spitale kanë nisur të trajtojnë të sëmurë me Covid. Korça shihet të jetë pararojë, pasi spitali rajonal në këtë qytet ka edhe sanatorium, kështu që ka trashëgimi të mirë si në infrastrukturë dhe staf mjekësor për të trajtuar të sëmurët me Covid. Burimet nga grupi i ekspertëve pohuan se edhe qytetet e Durrësit, Elbasanit, Vlorës dhe Fierit kanë një infrastrukturë të mirë për trajtimin e pandemisë. Aktualisht në dispozicion janë rreth 1600 shtretër.

Plani rezervë

Pandemia, në valën e dytë të saj, është bërë komunitare dhe nuk është më me vatra. Parashikimet për sjelljen e virusit janë të paqarta, por ajo që dihet është se dimri e bën të vështirë edhe menaxhimin e një viroze normale. Në rast të shtimit të rasteve për shtrim spitalor, sistemi shëndetësor do të kthehet në pjesën dërrmuese të tij në shërbim të pandemisë, pohojnë burimet nga Komiteti i Ekspertëve. Kapacitetet në spitalet rajonale do të zgjerohen më shumë dhe gjithashtu në Tiranë, pavijone të reja në spitale të tjera do të kthehen në qendra të trajtimit të Covid. Stafet mjekësore për trajtimin e tyre po trajnohen.

Përballimi i pandemisë kërkon më së shumti burime njerëzore në dispozicion dhe infrastrukture spitalore, se sa njohuri të thelluara mjekësore, pasi protokollet e trajtimit janë të gatshme. Defektet që po shfaq sistemi, lidhen me mungesën e stafeve mbështetëse, si infermierë dhe pastruese, pasi të shtruarit në spitale kanë nevojë për asistencë personale.

Mangësi në infermierë dhe sanitarë

Aktualisht, në spitalet Covid, një infermiere kujdeset për 9-12 pacientë. Përveç mjekimit dhe asistencës së ngushtë për aparaturat e oksigjenit, të sëmurët me Covid-19 kanë nevojë për ndihmë, pasi nuk kanë mundësi të ushqehen dhe të plotësojnë nevojat e tjera personale.

Burimet nga spitalet Covid bëjnë të ditur se trupa mjekësore, sidomos sanitarë dhe infermierë, po punojnë me një ngarkesë dhe presion shumë të lartë. Në studim i Qendrës Kombëtare për Informacion në Bioteknologji në SHBA, tregon se vdekshmëria në spitale është e lidhur ngushtë me nivelin e ulët të shërbimit infermieror.

Ky shërbim është një nga faktorët përcaktues të rezultatit të pacientit. Ngarkesa më e lartë e punës, si pasojë e raportit të ulët infermier-pacient, rrit rrezikun e gabimeve të ilaçeve, komplikimeve dhe sëmundshmërisë në spital. Qëndrimi i zgjatur në spital komprometon sigurinë e pacientit për t’u shëruar, thotë studimi amerikan. Norma optimale konsiderohet një infermier për katër pacientë. Por, siç shihet, infermierët në Shqipëri shpesh punojnë me dyfishin dhe trefishin e normës.

Një studim i kryer në 168 spitale të përgjithshme të Izraelit zbuloi se rritja në raportin infermier/pacient nga 1: 4 në 1: 6 e rriti shkallën e vdekshmërisë së pacientit me 7% dhe me rritjen e mëtejshme të raportit infermier-pacient në 1 : 8, shkalla e vdekshmërisë arriti në 14%.

Studimet kanë gjetur lidhje të drejtpërdrejtë se, për çdo pacient shtesë mbi katër pacientë për një infermiere, në një repart të përgjithshëm mjekësor ose kirurgjik, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndërlikimet me shkak vdekjen.

Imuniteti i tufës krijohet në vjeshtë të 2021

Sipas skenarëve të Institutit të Shëndetit Publik, imuniteti i tufës nuk do të krijohet para vjeshtës së vitit 2021 nëse nuk do të ketë ndërhyrje me një vaksinë. Eksperti i Shëndetit Publik, Albani Ylli thotë se, mund të jemi afër pikut të valës së dytë, teksa shtoi se, imuniteti i tufës është ende larg.

Me masat e kontrollit, pandemia është shtyrë shumë në kohë. Sipas tij, imuniteti i tufës me këto ritme arrihet vetëm nga vjeshta e vitit tjetër. Ai shtoi se ky janar do të jetë shumë i vështirë. Jo se virusi ka ndryshuar, por kushtet e bëjnë atë më agresiv. Koronat, ashtu si gripi, përhapen shumë më tepër në dimër.

Njerëzit grumbullohen më shumë në vende të mbyllura dhe gjithashtu ka më pak diell që priret ta shkatërrojë virusin në mjedis të hapur, etj. Pak a shumë, të njëjtat pritshmëri si Instituti i Shëndetit Publik ka edhe Komiteti i Ekspertëve që menaxhojnë pandeminë, të cilët presin që imuniteti i tufës të krijohet brenda 6-mujorit të parë të vitit 2021.

Imuniteri i tufës

Albani Ylli thotë se, mund të jemi afër pikut të valës së dytë, teksa shtoi se, imuniteti i tufës është ende larg. Me masat e kontrollit, pandemia është shtyrë shumë në kohë.

Vala e dytë e pandemisë në të gjithë Europën vë në rrezik furnizimin me oksigjen

Trajtimi me oksigjen është aktualisht themelor për të sëmurët me Covid-19. Ata që shtrohen në spital e kanë rutinë të trajtimit, por mijëra persona marrin oksigjen me aparate dhe bombola në kushte shtëpie. Duke qenë se vala e dytë e pandemisë është përhapur vrullshëm në të gjithë Europën, furnizimi me oksigjen pritet të ndeshet me vështirësi në muajin në vijim.

Shqipëria është importues neto i oksigjenit, pasi aktualisht nuk ka prodhim vendas. Vendet prodhuese të oksigjenit për qëllime mjekësore kanë nisur të kufizojnë kuotat e shitjes, për shkak të nevojave të brendshme, pohojnë burimet nga grupi i ekspertëve.

Shqipëria ka tashmë kuota të sigurta, por nuk përjashtohen vështirësitë në vijim, në varësi të ecurisë së sëmundjes dhe konsumit të lartë për këtë produkt. Organizata Botërore Shëndetësisë kishte lajmëruar më herët gjatë verës vendet që të rrisnin kapacitetet e prodhimit të oksigjenit për qëllime mjekësore. Rajonet e zhvilluara si Shtetet e Bashkuara dhe Europa Perëndimore mendohet të kenë relativisht infrastrukturë të shëndoshë të oksigjenit mjekësor, mirëpo rritja e kërkesës ka të ngjarë të përbëjë kërcënim në zinxhirët e furnizimit.

Për shkak të kufizimeve në furnizimin me oksigjen, Kosova ndaloi furnizimin me oksigjen me bombolat mbushëse në qytetin e Kukësit dhe Tropojës. Në treg dhe farmaci janë vënë re mungesa të reagentëve për matjen e dodimerit, një analizë që zbulon mpiksjen e gjakut, një simptomë e zakonshme e koronavirusit. Për disa ditë në farmaci kishte mungesë të theksuar termometrash, për shkak të bllokimit të importeve të termometrave me zhivë nga Kiza si të rrezikshëm. Termometrat me zhivë ekologjike, të cilat nuk disponohen nga të gjitha farmacitë, shiten me çmim 7 herë më të lartë, deri në 1100 lekë.

Janari, muaj i vështirë, temperaturat 5-8 gradë shtojnë vdekjet edhe pa pandemi

Statistikat zyrtare të vdekjeve, sipas muajve dhe tremujorëve, edhe pa pandeminë tregojnë se janari dhe përgjithësisht dimri është një stinë e vështirë, në të cilën, për shkak të të ftohtit, ndodhin edhe fatalitetet më të larta. Duke analizuar të dhënat zyrtare që nga viti 2011 shihet se në tremujorin e parë të çdo viti, vdekjet janë gati 20% më të larta se në tremujorët e tjerë (shih grafikun bashkëngjitur). Mjeku pneumolog, Luan Dyrmishi e lidh këtë tendencë me agresivitetin e virozave në stinën e dimrit.

Tek të sëmurit kronikë, shpesh virozat shkaktojnë fatalitete, ndaj vdekjet në dimër, sidomos në janar – shkurt, janë të larta, shprehen mjekët. Nga rreth 5000 persona që janë zakonisht fatalitetet në tremujorët e zakonshëm, në dimër ato arrijnë mbi 6500 humbje jete. Po si ndikon i ftohti tek imuniteti i njeriut. Një studim i Institutit të Shëndetit Publik, thotë se temperaturat e ulëta ndikojnë në uljen e imunitetit dhe i ndikojnë për keq disa sëmundje kronike. Sipas studimit të ISHP-së, temperatura minimale e rekomanduar gjatë ditës në shtëpi është 21 gradë Celsius, ndërsa natën, gjatë gjumit, 18 gradë.

Në temperatura 16 gradë, trupi nis rezistencën ndaj sëmundjeve të frymëmarrjes. Në temperaturat 9-12 gradë mund të rritet presioni i gjakut dhe rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare. Në temperatura 5-8 gradë, jashtë shtëpisë, vdekjet nisin të rriten në nivel popullsie, ndërsa në temperatura 5 gradë, nis rreziku për hipotermi.

Studimi i ISHP-së thotë se ndër kategoritë e personave më të ndjeshëm ndaj të ftohtët janë të sëmurët kronikë, ata me sëmundje kardiovaskulare, të frymëmarrjes, të sistemit endokrin, disa sëmundjeve të syve dhe personat me çrregullime mendore, artritet etj. Doktor Dyrmishi thotë se sëmundjet që përhapen nëpërmjet frymëmarrjes, ku bën pjesë edhe koronavirusi favorizohen nga i ftohti. Kur moti është i ftohtë, njerëzit priren të rrinë në ambiente të mbyllura dhe më në afërsi me njëri-tjetrin, duke e bërë më të favorshme përhapjen e infeksionit. Ndërsa në temperatura të ftohta, jashtë shtëpie, sistemi imunitar zvogëlon kapacitetin e mushkërive për të luftuar infeksionin.

Sëmundjet kardiovaskulare bëhen gjithashtu agresive në mot të ftohte sidomos në temperatura 12 gradë, të cilat ndihmojnë në ngushtimin e enëve të gjakut, duke shtuar edhe rrezikun e mpiksjes së gjakut.

Temperaturat e ulëta gjithashtu shtojnë inflacionin dhe dhimbjet tek të sëmurët me artrit, të cilët shpesh e kanë të pamundur të lëvizin. Tek diabetikët, i ftohti i ndryshon nivelet e sheqerit në gjak dhe gjithashtu favorizon plagët e lëkurës tek këta të sëmurë. Të sëmurët me çrregullime neurotike dhe psikologjike, pësojnë agravim të simptomave nga i ftohti.

Instituti i Shëndetit Publik rekomandon se temperatura ideale do të ishte 19-23 gradë dhe gjithashtu duhet të kontrollohet edhe lagështira në ajër, pasi ajri i thatë është po aq i dëmshëm sa edhe temperaturat e ulëta. Gjithashtu si dietë ushqimore rekomandohen supat e ngrohta dhe minimumi 1,5 litra ujë në ditë. Duke qenë se Covid është më së shumti një sëmundje respiratore, stafet mjekësore presin një sjelle më agresive të virusit gjatë janarit.

Shqipëria, e 53-ta në botë për vdekjet nga Covid për 1 mln banorë, ka nënraportim

Në 220 vende që janë prekur nga pandemia Covid-19, Shqipëria renditet e 53 për numrin e vdekjeve për 1 milion banorë, sipas portalit global të të dhënave ditore për pandeminë “Worldometers”. Në datën 11 dhjetor 2020, Shqipëria raportoi zyrtarisht 965 fatalitete të shkaktuara nga koronavirusi ose 355 jetë të humbura për 1 milion banorë.

Sipas renditjes globale Shqipëria deri tani paraqitet me shifra më të ulëta se disa vende të rajonit, Maqedonia dhe Bosnja, por fatalitetet nga Covid në Shqipëri janë më të larta se mesatarja globale ku numërohen 204 jetë të humbura për 1 milion banorë. Por krahasimet ndërmjet vendeve nuk bëjnë sens, për shkak se vala e pandemisë nuk është e njëjtë në kohë, në të gjitha vendet. Vetëm në mbyllje të ciklit të sëmundjes dhe raportimeve të vdekshmërisë bruto, do të mund të ofrohet një bilanc.

Shifrat zyrtare mbi vdekjet bruto në tremujorin e tretë të vitit në vendin tonë treguan se ka nënraportim të fataliteteve nga Covid-19. Ndërsa Shqipëria arriti të minimizonte humbjet në jetë njerëzish në valën e parë të koronavirusit (nga marsi në maj), nuk i ka shpëtuar tendencës globale të vdekjeve të shtuara në tremujorin e tretë, kur filloi e ashtuquajtura valë e dytë.

Në 6-mujorin e parë të vitit, numri i vdekjeve ishte 3.5% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në të tretin, kërcimi ishte i fortë. 

Të dhënat e INSTAT treguan se në periudhën korrik-shtator u shënuan gjithsej në vend 6,294 vdekje, me një rritje prej 25.7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 1,288 vdekje më shumë, duke arritur nivelin më të lartë rekord të dekadës së fundit. 

Në krahasim me mesataren historike të pesë viteve të fundit (periudhës 2015-2019) prej 5,005 personash po të tremujorit të tretë ka një rritje 26% mbi mesataren historike 5-vjeçare (1,289 persona më shumë). Zyrtarisht deri më 30 shtator, numri i vdekjeve zyrtare të raportuara nga Covid-19 ishte rreth 400, ose tre herë më i ulët se shtesa e vdekjeve në të njëjtën periudhë. 

Faktori i vetëm i ri, që mund të shpjegojë shtimin e ndjeshëm të vdekjeve, është pandemia. Të dhënat sugjerojnë se numri i vdekjeve reale nga Covid-19 mund të jetë të paktën dy herë më i lartë se ai i raportuar zyrtarisht. Në raportimet zyrtare jepen vetëm vdekjet në spitale, që ishin të konfirmuara me tampon, ndërkohë që ka të tjerë, që edhe pse mund të kenë humbur jetën nga Covid-19, nuk janë të raportuar të tillë, pasi nuk kishin konfirmim me tampon. Ka dhe shumë raste të vdekjeve në Turqi, apo të tjerë që kanë humbur jetën në shtëpi, apo që Covid-19 u ka dëmtuar organizmin dhe kanë pasur arsye të dukshme sëmundjen e qarkullimit të gjakut (zemra apo tensioni p.sh).

Tendencën e rritjes së vdekjeve si arsye e epidemisë së koronavirusit e konfirmon dhe Alban Ylli, eksperti i Institutit të Shëndetit Publik. “Për tremujorin e tretë, arsyeja kryesore e rritjes së vdekjeve është Covid. Tipike si në gjithë vendet e tjera”, tha ai.

“Është një fenomen mbarëbotëror”, pohon ai. “Nga Italia në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga ShBA në Indonezi, në momentet e valëve të Covid ka pasur vdekje të shtuara, kryesisht të moshuarit, që vdesin në shtëpi dhe të raportuar me shkaqe të tjera (si p.sh., qarkullimi i gjakut etj.”. Ylli shton se kalkulimi preciz i vdekjeve të shtuara do të bëhet vetëm kur ata të kenë të dhënat e sakta javore.

Pasojat e papërgjegjshmërisë së përdorimit të parave publike

Teksa qeveria ka zgjedhur t’i dalë në mbrojtje ekonomisë në këtë valë të dytë të pandemisë, nuk po kanalizon fonde në mënyrë që së paku kjo emergjencë të përballohet me dinjitet. Nga njëra anë, stafet mjekësore sidomos ato infermierore, po punojnë në presion të lartë për shkak të rritjes së rasteve. Nga ana tjetër, pacientët po përballen nga kosto të larta që kërkon trajtimi i sëmundjes edhe nga simptoma të lehta. Numri i ulët i mjekëve dhe infermierëve për banorë i bëjnë të pamundura konsultat e ngushta me pacientët, të cilët shpesh nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e sëmundjes.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në një raport të fundit, ka hartuar disa skenarë se çfarë ndodh me ekonominë dhe treguesit makroekonomikë, nëse situata me pandeminë përkeqësohet, duke dhënë dhe disa politika rekomanduese.

Rreziku kryesor, sipas FMN-së, është që nëse ekonomia përkeqësohet nga pandemia e zgjatur, deficiti dhe borxhi do të vazhdonin të rriteshin dhe si rrjedhojë, qeveria nuk do të kishte para në dispozicion që të zvogëlonte efektin në ekonomi të kësaj goditjeje. FMN rekomandon që të hiqet dorë nga shpenzimet jo prioritare, në mënyrë që të ketë fonde të lira për të përballuar emergjencën.

Ky është një paralajmërim i fortë për qeverinë, e cila deri tani nuk është kursyer në shpenzimet në prag të zgjedhjeve. Vetëm pak javë më parë u hapën disa tenderë për ndërtime rrugësh, që përveçse u tenderuan pas 15 tetorit në kundërshtim me ligjin, nuk janë shpenzime të domosdoshme për momentin.  FMN ka hartuar dhe skenarët e rritjes ekonomike, ku në atë negativ, nëse ekonomia rimëkëmbet me ngadalë, borxhi publik mund të arrijë në 88.1% të PBB-së deri në vitin 2020.

Sipas raportit të FMN-së, ka një rrezik të lartë që sëmundja të rezultojë më e vështirë për t’u zhdukur, duke bërë të nevojshme që të merren më shumë masa frenuese, ndërsa do të ketë një mjedis më të keq të jashtëm. Kjo mund të ulë më tej arkëtimet, remitancat dhe eksportet e turizmit dhe të çojë në shtrëngim të kushteve globale financiare, duke ndikuar aktivitetin ekonomik të Shqipërisë, performancën fiskale dhe borxhin si dhe stabilitetin financiar.

FMN rekomandon qeverinë që të përgatitet në përgjigje ndaj këtij rreziku. “Rregulloni në mënyrë fleksibile masat zbutëse dhe mbështetjen buxhetore. Shënjestroni politika më të mira, për të mbështetur kujdesin shëndetësor, personat që janë të prekshëm dhe ekonominë. Kërkoni financim të jashtëm. Monitoroni dhe menaxhoni nga afër dobësitë e sektorit financiar”.

Megjithatë, FMN thotë se, në rast të një vaksine efektive, situata mund të përmirësohet me shpejtësi, duke nxitur kërkesën e brendshme dhe të jashtme. Në këtë rast, qeveria do të duhet të ndjekë një politikë më të konsoliduar fiskale dhe të ulë me shpejtësi borxhin.

FMN vlerëson se ka një rrezik të lartë që qeverisë t’i mbarojnë amortizatorët fiskalë. Kjo do të bënte që të shtoheshin vështirësitë e financimit dhe që vendi të mos kishte burimet e nevojshme për të zvogëluar goditjet.

Si reagim ndaj këtij rreziku, FMN i rekomandon qeverisë që të frenohet dhe të mos kryejë shpenzime jo prioritare, në mënyrë që të lirojë fondet për reagimin ndaj emergjencave, si dhe të sigurojë një përdorim të përshtatshëm të fondeve dhe monitorim të tyre. Në momentin që pandemia do të zvogëlohet, FMN rekomandon të rifillojë konsolidimi fiskal, i bazuar tek të ardhurat, dhe të ndiqet një trajektore e qartë e uljes së borxhit.

FMN vlerëson që ka një rrezik të lartë që projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP) të hartuara keq, të rrisin detyrimet. Rreziku është mesatar që këto kontrata të dëmtojnë eficiencën e investimeve publike dhe të krijojnë detyrime të mëdha, që mund të cenonin qëndrueshmërinë fiskale dhe të borxhit.

Ka një rrezik të mesëm që të rritet brishtësia e sektorit financiar dhe kjo mund të çojë në rritjen e moderuar të kredive me probleme.

Një tjetër rrezik i mesëm është që kriza të çojë në pakënaqësi sociale dhe destabilitet politik dhe nëse kjo do të ndodhte, rreziku i pasojave do të ishte i lartë dhe do të rriteshin pabarazitë. Një tjetër rrezik i mesëm lidhet me aftësinë paguese të borxhit dhe ekspozimin e sistemit bankar.

Skenarët e rimëkëmbjes, në atë të pafavorshëm, borxhi shkon 88% e PBB-së

Duke pasur parasysh pasigurinë e madhe që lidhet me pandeminë dhe rreziqet në rritje, FMN ka hartuar një skenar bazë dhe një të pafavorshëm.

Skenari bazë supozon që ekonomia të rimëkëmbet ngadalë nga gjysma e dytë e vitit 2020 dhe të forcohet gradualisht gjatë viteve 2021-‘22. Skenari i pafavorshëm supozon se në vitet 2021-’22, progresi në luftën kundër virusit mund të rezultojë të jetë më i ngadaltë sesa supozohet në vlerësimin fillestar. Kushtet financiare globale gjithashtu supozohet të shtrëngohen, duke kufizuar aksesin e vendeve europiane në zhvillim në tregjet e kapitalit.

Në skenarin e pafavorshëm, FMN parashikon që borxhi publik i Shqipërisë pritet të rritet në 2021 dhe 2022. Kjo do të bënte që borxhi publik të arrinte në 88% të PBB-së në vitin 2022, nga 82-83% që është pritshmëria për 2020-n. Edhe në skenarin bazë, borxhi nuk pritet të ulet me shpejtësi, duke arritur në 79.6% të PBB-së në vitin 2022./Blerina Hoxha/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco