Lajmi i fundit

Foltorja i përgjigjet Bashës: Halli i demokratëve, pazaret e tua me Ramën

Rindërtimi dhe një vit me bilanc të paqartë

Rindërtimi dhe një vit me bilanc të paqartë

06:32, 05/12/2020
A+ Aa A-

Një vit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, është e vështirë të bësh një bilanc mbi masat që janë marrë për të ndihmuar mijëra familjet e prekura nga kjo fatkeqësi dhe të mbetura pa një çati mbi kokë. Edhe pse u krijua një Ministri Rindërtimi, menaxhimi i programit është copëzuar në një sërë hallkash institucionale, duke vështirësuar gjetjen e të dhënave për ecurinë e realizimit tërësor të programit.

Sot është fakt që bashkitë kanë avancuar vetëm me dhënien e bonuseve të qirasë dhe granteve të rikonstruksionit për dëmet e lehta dhe të mesme në banesa të kategorizuara DS1-DS3. Rindërtimi nga e para, që ka edhe pjesën e luanit në të gjithë këtë projekt, ka ecur mirë vetëm në letra. Në terren janë shumë pak objekte të ngritura që u janë dorëzuar përfituesve. Amullia e mijëra apartamenteve që lakohet se do të ndërtohen me mbështetjen e donatorëve, do ende kohë të qartësohet dhe afati më optimist është vera e vitit tjetër.

Lumturie dhe Ramadan Koleci kishin marrë borxh 600 mijë lekë tek të afërmit për të rikonstruktuar atë që do të ishte shtëpia e tyre vetëm për gjashtë muaj. Tullat e kuqe të një godine “alla parafabrikat” janë mbuluar nga grija e betonit që u është hedhur sipër, i cili nuk mundi t’u rezistonte dridhjeve të tokës në tërmetin e 26 nëntorit 2019, duke u shembur në pjesën më të madhe në hapësirat e brendshme. Ëndrra për një pleqëri më të rehatshme e çiftit nga Thumana u shkërmoq brenda natës dhe sot, karshi shtëpisë qëndrojnë një çadër dhe një kontejner ku familja strehohet. Për kontejnerin paguajnë 10 mijë lekë në muaj.

“Marrim bonusin e qirasë 15 mijë lekë dhe paguajmë një pjesë të qirasë. Mundohemi të sajohemi me ato që kemi mundësi, ne pleq jemi. Të paktën kemi të lidhur ujin dhe energjinë. Në përgjithësi, na janë plotësuar ato kushte që kemi pasur nevojë dhe ne e kuptojmë situatën” – tregon Lumturie Koleci. Përballë tyre është fusha dhe kantieri gjigant ku po punohet për të ndërtuar banesat individuale. Shpresa e tyre është që të marrin një nga këto objekte të reja, por ende nuk ka përfunduar ndonjëra prej tyre. Thumana ishte më e goditura nga tragjedia njerëzore në tërmetin e 26 nëntorit ku humbën jetën 51 persona e nga këta, 24 ishin nga Thumana.

Në një hapësirë prej 17 hektarësh pritet që të ndërtohet një miniqytezë e re. Të ndara në disa blloqe, puna në kantierin e Thumanës ka avancuar në faza të ndryshme. Te disa janë duke u hedhur muret, tek të tjerat baza mbi themele e në një pjesë, është vetëm fusha bosh në pritje të blloqeve të reja. Janë të paktën 150 shtëpi individuale. Nuk është e vështirë të shquash pasojat që ka lënë tërmeti në Thumanë edhe një vit pas tij. Një pjesë e mirë e banesave, edhe pse në këmbë, janë me suva të rënë, mure të krisur e të shembur.

Ndërkohë që na tregojnë se një pjesë e mirë e banorëve kanë lëvizur në Tiranë apo në zona përreth tek të afërm, ose në shtëpi me qira, deri në momentin që do të përfundojnë shtëpitë e reja. Të tjerë kanë bërë ndërhyrje me aq sa kanë pasur mundësi për të pritur këtë dimër në çatinë e shtëpisë së tyre, duke mos ditur sa të sigurt janë. Thumana nuk duket të ketë një jetë të gjallëruar ekonomike. Në oborrin e Lumturie Kolecit po luajnë disa fëmijë, që mësojmë se janë nipa dhe mbesa, ndërsa pak më tej shohim edhe vajzën të cilën e pyesim se me çfarë merret.

“Ngrohemi në diell, kaq mund të bësh këtu. Nuk ka mundësi pune dhe mundohemi të mbijetojmë” – na tregon ajo. Grija që të imponon panorama nuk i ka hequr asaj buzëqeshjen dhe as mikpritjen, së bashku me prindërit që janë të gatshëm për të të ndihmuar me gjithçka çfarë i pyet. Fasoneritë e veshjeve apo të këpucëve nuk janë një opsion shumë i shpeshtë, ndërkohë që vetë banorët e Thumanës tregojnë se nuk ka mundësi punësimi.

Shumica e të rinjve të zonës shohin si mundësi emigrimin, ashtu siç kanë bërë disa breza me radhë, duke mësyrë rrugët e Europës dhe tregues i kësaj janë vilat tipike që hasen kudo, investime me para emigracioni. Teksa jemi duke biseduar me banorë të zonës, afrohet edhe Nikollë Lushi. Ka ardhur të vizitojë miqtë e tij në atë kafenë e tyre të përditshme. Ai jetonte në pallatet që janë dëmtuar dhe do të nisin të rindërtohen. Sipas tij, janë të shumta familjet që sot presin për një banesë të re në objektet shumëkatëshe që do të ndërtohen në Thumanë.

Pak metra më tutje mund të shquash fushën që do të shërbejë për ndërtimin e të paktën 14 objekteve shumëkatëshe, për të cilët nuk ka filluar puna. Në terren gjejmë inxhinierin Erdi Myrtaj, i cili po kryen matje. Ai është përgjegjësi për infrastrukturën në projektin e rindërtimit, që po zbatohet paralelisht nga tre kompani. Njëra prej tyre po merret me banesat individuale, tjetra me objektet shumëkatëshe dhe një tjetër, me infrastrukturën.

Ai tregon se puna po ecën shpejt së fundmi dhe ritmi ka qenë mjaft i mirë edhe për shkak të kohës së favorshme me diell. Në terren, sipas tij, kanë përfunduar investimet në infrastrukturë të lidhura me ujin, kanalizimet, ato për ujërat e shiut. Pjesa e infrastrukturës, sipas Myrtajt, ka përfunduar 95% dhe brenda dy-tre javësh, i gjithë kantieri i Thumanës do të marrë formë.

Durrësi shpejton me fondet e rikonstruksionit, likuidon 90% të familjeve

Bashkia e Durrësit do të pësonte goditjen më të madhe sa u takon familjeve që mbetën pa banesë apo që patën dëmtime nga më të lehtat tek më seriozet. Menaxhimin dhe zbatimin në terren të programeve të rindërtimit për Durrësin po e bën Bashkia, për një pjesë të tyre dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për Rindërtimin nga e para, të banesave të reja. Në një intervistë për “Monitor”, kryebashkiakja Emiriana Sako tha se po vijojnë të trajtohen me bonus qiraje ato familje që ende nuk kanë banesën e tyre gati.

“Të gjitha familjet, të cilat janë jashtë apo kanë pasur objekte të pabanueshme, janë mbështetur nga Bashkia e Durrësit me një bonus qiraje, i cili ka filluar të lëvrohet që në muajin dhjetor të 2019. Ne kemi mbuluar me këtë program 4800 familje dhe vlera për vitin 2020 ka arritur në 1 miliard lekë” – thotë Sako. Ajo nënvizon se paralelisht është avancuar me shpërndarjen e granteve të rikonstruksionit për dëmet e lehta të klasifikuara si DS1 deri tek ato të mesme DS3, si një alternativë që qytetarët të bënin ndërhyrjet në mënyrë të pavarur në banesa. Kjo ka sjellë si rezultat uljen e numrit të atyre që marrin bonus qiraje, të cilët gradualisht po kthehen në banesat e tyre.

“Aktualisht kemi dhënë ndihma për 9400 familje, nga 10 700 në total. Këto kanë marrë një fond prej 3.4 miliardë lekësh , pra rreth 34 milionë dollarë. Nga këto familje, 1900 kanë marrë cash 100 mijë lekë, 3800 familje kanë marrë nga 250 mijë lekë dhe 4200 familje shifrën prej 500 mijë lekësh, e lidhur kjo me kategorinë e dëmit. Kjo pjesë granti është dhënë për riparimin e dëmeve në pallate ose banesa me dëme të lehta, apo të mesme në strukturë” – pohon Sako. Lidhur me Rindërtimin, kryebashkiakja thekson se është FSHZH që po e ndjek punën.

“Ka lidhur kontratat me firmat fituese dhe janë rreth 537 banesa, për të cilat ka nisur puna. Në total janë 1024 banesa, të cilat do të ndërtohen nga e para dhe sigurisht brenda këtij numri, do të ketë nga ata që do të transferohen për arsye se nuk do të jetë mundësia e rindërtimit në të njëjtin vend.

Në qytetin e Durrësit ka filluar dhe rindërtimi nga e para për dy pallatet e parë, të cilët do të strehojnë familjet ekzistuese në objekt, si dhe do të ketë disa apartamente shtesë, të cilat mund të përdoren për programet e strehimit” – sjell në vëmendje Sako. Ajo parashikon që disa familje të marrin banesat e reja brenda këtij viti dhe bëhet fjalë për dy pallate që kanë nisur të ndërtohen brenda qytetit në gjurmën ku ishin ato të shembura nga tërmeti.

Bashkia e Tiranës nis punën për dy lagjet e reja, shtëpitë e para, gati verën tjetër

Pandemia ka dhënë ndikimin e saj në mënyrën sesi ka ecur procesi i rindërtimit në Bashki të ndryshme në vend, të prekura nga efektet e tërmetit vitin e shkuar. Nënkryetari i Bashkisë më të madhe në vend, asaj të Tiranës, Arbjan Mazniku tha se në muajt e mbylljes së vendit, për shkak të COVID-19, disa hallka nuk i ushtronin dot funksionet e tyre, duke bërë që të mbeteshin në vend disa procedura. Edhe rastet me koronavirus në administratë kishin efektin e tyre në ngadalësim dhe, pavarësisht punës në distancë, ajo nuk mund të jetë aq eficiente sa në terren në shumicën e rasteve.

Mazniku shprehet se gjithsesi, tashmë procesi ka hyrë në shina dhe rindërtimi i banesave të reja po vijon në lagjen e re “5 Maji” dhe pak më vonë në atë Kombinat. Për disa raste të veçanta janë dorëzuar edhe banesat e para te përfituesit, por këto janë shumë pak në raport me totalin dhe vlerësohen rreth 60-70. Në proces janë dy lagje të reja, por shtëpitë e para gati në këto lagje nuk do të përfundojnë, në rastin më të mirë, brenda verës 2021. “Është një situatë komplekse, me shumë elemente vështirësie në dy aspekte. Së pari, në aspektin e shtëpive individuale, në zonën e fshatit ku ne kemi pothuajse 2600 shtëpi të dëmtuara, të cilat kanë nevojë të rindërtohen.

Janë duke u vlerësuar këto dosje rast pas rasti, por tani që ne flasim janë më shumë se 600 shtëpi në proces rindërtimi. Sa u përket shtëpive në zonën e qytetit, janë 82 objekte shumëkatëshe, të cilat janë vlerësuar nga studio, inxhinierët dhe është marrë vlerësimi nga Instituti i Ndërtimit, pasi duhet të prishen. Preken thuajse 1600 familje. Janë bërë planet dhe studimet e detajuara të dy lagjeve të reja, lagjes ‘5 Maji’ dhe asaj të Kombinatit.

Tashmë kanë nisur gjithë proceset për të ndërtuar apartamentet për banorët e prekur në këto zona. Fillojnë brenda këtij muaji dhe plani i punimeve parashikon, sipas dokumenteve, 18 muaj për përfundimin, por ne besojmë që një pjesë prej tyre të mbarojë më shpejt. Ndoshta, një pjesë e parë e objekteve do të mbarojnë në verën e vitit që vjen dhe një pjesë tjetër, në fundin e vitit” – tha Mazniku.

Si u ndanë 32 miliardë lekë në 2020, lëmshi me copëzimin institucional

Ajo që ka mbetur e paqartë në procesin e rindërtimit është qendërzimi i të dhënave që raportohen nga të gjitha hallkat institucionale të përfshira në të. Teksa në letra dhe dokumente flitet për miliarda lekë të alokuara në terren specifikisht për rindërtimin e banesave të reja, askush nuk di të thotë saktësisht sesa familje kanë marrë në total një banesë të re një vit pas tërmetit.

Kjo, në një kohë kur qeveria premtoi vitin e shkuar se një pjesë e familjeve do të festonin vitin e ri 2021 në shtëpi të re. E pyetur zyrtarisht nga “Monitor” për një bilanc mbi rindërtimin, Ministria përgjegjëse nuk refuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë të japë të dhënat, por nuk u tregua e gatshme që në hapësirën e tre javëve, të gjente një mundësi për një reagim zyrtar. Ministri përgjegjës, Arben Ahmetaj, të dhënat e fundit i raportoi në një interpelancë, në datë 23 tetor, në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas Ahmetajt, buxheti për rindërtimin sot në vitin 2020 është 34 miliardë lekë dhe janë alokuar 32 miliardë lekë në katër programe. “Viti 2020 ka 34 miliardë lekë, ose afërsisht 340 milionë dollarë.

Viti tjetër, ka kaluar buxheti, kemi 28 miliardë lekë, ose 280 milionë dollarë, dhe në vitin 2022, për ata që mund të ngelet diçka, janë alokuar 6 miliardë, apo 60 milionë dollarë” – tha Ahmetaj. Njësitë zbatuese të programit të rindërtimit sot janë disa dhe nisin me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, për të gjitha bashkitë jashtë Bashkisë së Tiranës, Bashkinë e Tiranës për territorin e vet; kemi disa pjesë të tjera programesh në bashki specifike, janë nën kujdesin edhe të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Enti Kombëtar i Banesave, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Copëzimi institucional i rindërtimit vështirëson dhënien e një tabloje të plotë mbi ecurinë e programit, përtej videove dhe shpërndarjeve në rrjete sociale të së gjithë qeverisë. Ajo që sot qeveria deklaron me saktësi është sa para ka marrë njëra apo tjetra njësi menaxhuese.

“Vlera e alokuar është 10 miliardë e 370 milionë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, mbi 11 miliardë për Bashkinë e Tiranës; bashkitë e tjera janë 9,6 miliardë lekë. Janë specifikisht grante DS 1, DS 2, pra janë ato shumat e parave, që shkojnë drejtpërsëdrejti te familjet” – do të nënvizonte ministri Ahmetaj në Interpelancën e fundit në Kuvend, lidhur me rindëtimin. Të ndara sipas programeve të financimit, për vitin 2020 deri në tetor ishin për objekte arsimore 7,49 miliardë lekë, për banesat 10 miliardë lekë; grantet e rikonstruksionit 9,8 miliardë lekë, nga të cilat 6 miliardë janë në xhepat e qytetarëve, me banesa të dëmtuara dhe infrastrukturë publike, 2,48 miliardë lekë.

Sa i takon rikonstruksionit nga vetë qytetarët, për këtë program, sipas shifrave zyrtare janë miratuar 27 mijë e 594 familje përfituese. Nga këto janë lidhur 22 mijë e 168 kontrata. Janë paguar 21 mijë e 894 përfitues dhe në proces vlerësimi janë 2 387.

Rikonstruksionet e qytetarëve pa certifikim, siguria në pikëpyetje

Dëmet nga tërmeti në objekte u klasifikuan në disa gradë, pas akt-ekspertimeve që u kryen në terren. Për dëmet e lehta dhe të mesme që u kategorizuan si DS1, DS2 dhe DS3, qeveria gjeti si zgjidhje dhënien e granteve të rikonstruksionit, duke e parë këtë si një zgjidhje për të mundësuar që banorët të kryenin vetë ndërhyrjet. Kjo në logjikë përshpejton futjen në banesa të atyre që ishin larguar dhe trajtoheshin me bonus qiraje. Në fakt, dhënia e granteve për këtë program ka avancuar.

Ajo çfarë sillet në vëmendje nga ekspertët e fushës inxhinierike është cilësia me të cilën janë kryer këto ndërhyrje, certifikimi i punimeve që banorët kanë kryer të vetëm nëpër banesa dhe siguria që ofrojnë këto ndërtesa në rastin e një ngjarje të njëjtë. Sot, autoritetet nuk thonë dot me saktësi se cila është garancia që ofrojnë ndërtesat me ndërhyrje individuale dhe nëse paratë kanë shkuar vërtet për punime cilësore apo situata e pandemisë ka detyruar familjet të kursejnë në këtë aspekt.

Një tjetër problematikë është pasaktësia e disa vlerësimeve të bëra në terren. Jo të pakta kanë qenë rastet kur në fazën e parë, dëmtimi është cilësuar i një shkalle të mesme dhe, në fakt, ka rezultuar gjatë ndërhyrjeve apo ekspertimit të dytë, një gradë më e rëndë.

Dëmet e tërmetit 985 milionë euro, donatorët ofruan 1.1 miliardë euro

Efekti i tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar është rreth 1 miliard euro. Raporti i vlerësimit të nevojës pas fatkeqësisë, i hartuar me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, Banka Botërore, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Ministrave zbuloi në shkurt shifrat zyrtare vetëm pak para fillimit të Konferencës së Donatorëve, të cilët ofruan 1.15 miliardë euro. Në total, efekti i fatkeqësisë vlerësohej sa 6.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto(PBB) ndërsa në humbje 1.1% e PBB, çka në total e çon shifrën 7.5% e PBB.

“Vlerësimi tregon se në total, efekti i fatkeqësisë në 11 bashki llogaritet rreth 985.1 milionë euro, apo 121.21 miliardë lekë, nga të cilat 843 milionë euro, 103.84 miliardë lekë, përfaqëson vlerën e aseteve fizike të shkatërruara dhe 141.2 milionë euro, 17.37 miliardë lekë, referuar humbjeve. Shumica e dëmeve janë regjistruar në sektorin e strehimit (78.5%), ndjekur nga sektori prodhues me 8.4% dhe edukimi me 7.5%. Sa u takon humbjeve, në sektorin prodhues llogaritet më i larti me 56.4%, ndërsa në strehim 24.1% dhe mbrojtje civile dhe reduktim i riskut, në 9.4%.

Gjetjet e raportit për dëmet

Arsimi: Dëmet u raportuan në 321 institucione arsimore në 11 rajonet e prekura, duke përfaqësuar 24% të të gjitha institucioneve arsimore. Bashkitë e Tiranës dhe ajo e Durrësit kanë pjesën më të lartë të dëmeve, përkatësisht me 55% dhe 21%. Për më tepër, humbjet vlerësohen në 8.76 milionë EUR (1.08 miliardë lekë).

Shëndetësia: 36 objekte shëndetësore (8% e totalit në 11 rajone) janë dëmtuar pjesërisht ose plotësisht, nga të cilat 22 janë institucione të kujdesit shëndetësor parësor. Pati dëmtime në 3 spitale rajonale, 9 spitale universitare, 2 spitale rajonale, 10 qendra shëndetësore dhe 12 qendra shëndetësore. Janë raportuar humbje prej 1.91 milionë EUR (235.0 milionë lekë), kryesisht të lidhura me shërbimet mjekësore falas gjatë periudhës së urgjencës.

Strehimi: Gjithsej 11.490 njësi strehimi u kategorizuan si plotësisht të shkatërruara ose të prishura dhe do të duhet të rindërtohen, ndërsa një shtesë 83,745 njësi strehimi u dëmtuan pjesërisht ose lehtë, duke pasur nevojë për riparim. Në përgjithësi, 18% e njësive totale të banesave janë prekur. Humbjet e regjistruara prej 34 milionë eurosh (4.17 miliardë lekë) janë shpenzime që lidhen me heqjen e mbeturinave, shpenzime që mbulojnë strehimin e përkohshëm (hotele dhe tenda), dhe subvencione me qira, por edhe humbje të qirasë që nuk janë marrë nga pronarët e shtëpive.

Infrastruktura: Nga dëmi dhe humbja totale në këtë sektor, që kap vlerën e 33,42 milionë EUR (4.11 miliardë lekë), një e treta ishte në Bashkinë e Durrësit. Ndërtesat qeveritare dhe infrastruktura e komunitetit u prekën veçanërisht. Ka pasur dëme në dy argjinaturat e lumenjve, një digë, 42 ndërtesa komunale, një burg dhe 33 ndërtesa zyrash. Humbjet totale të të gjithë nënsektorëve arrijnë në 3.01 milionë EUR (370.4 milionë lekë).

Biznesi: Në sektorin e biznesit dhe punësimit, 714 biznese (8% e totalit të bizneseve) u dëmtuan dhe, si pasojë, aktivitetet e tyre gjithashtu u prekën. Një total prej 438 punonjësish, nga 56 biznese prodhuese zyrtare, humbën përkohësisht punën e tyre, ashtu si dhe 79 të punësuar nga 124 biznese zyrtare në industrinë e tregtisë. Humbja e vlerësuar e të ardhurave është 1.93 milionë EUR (0.24 miliardë lekë). Në nënsektorin e Turizmit ka pasur dëme në 18 akomodime publike dhe private në Durrës, dhe në 42 objekte ushqimore dhe pije kryesisht në Durrës.

Nga të gjitha humbjet në turizëm, 97% është për shkak të rënies së parashikuar të vizitorëve të huaj nga viti 2020 deri në vitin 2022. Në nënsektorin e Trashëgimisë Kulturore, dy muze kombëtarë dhe tre muze lokalë u klasifikuan si të pasigurt dhe janë ende të mbyllura për publikun, ndërsa 23 monumente dhe site shtesë u klasifikuan si rrezik i lartë dhe 30 monumente të tjera si rrezik mesatar. Dëmet në nënsektorin e Bujqësisë ishin të vogla dhe lidhen me inputet dhe pajisjet bujqësore. Pati dëmtime në argjinaturat dhe stacionet e kullimit të ujit në Durrës dhe Lezhë, si dhe në Institutin për Sigurinë e Ushqimit dhe ndërtesën e Veterinarisë.

Dëmet e mbrojtjes sociale nuk raportohen nën këtë sektor, pasi ato përfshihen ose nën infrastrukturën e komunitetit, ose ndërtesat publike në sektorin e Infrastrukturës. Humbjet kryesisht i referohen qeverisjes, koordinimit dhe menaxhimit të fatkeqësive, si dhe referime, këshillime psiko-sociale dhe shërbime të kujdesit shoqëror, të cilat vlerësohen në 623.5 mijë EUR (76.7 milionë lekë), ku 1/3 janë publike dhe 2/3 janë private.

Mbrojtja civile dhe zvogëlimi i rrezikut nga katastrofat: Janë dëmtuar 57 ndërtesa nga Ministria e Mbrojtjes, duhej të prishej një stacion zjarrfikës, duheshin dëmtuar pjesërisht 2 ndërtesa të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, 8 stacione monitorimi nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGEËE) u dëmtuan pak, 6 ndërtesa nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit u dëmtuan gjithashtu pak, dhe 7 ndërtesa shtesë u dëmtuan përtej riparimit. Dëmet u vlerësuan në 8.75 milionë EUR (1,076 milionë lekë) dhe 13.21 milionë EUR (1.625 milionë lekë) për humbje./

Nga Nertila Maho/ MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco