KLSH: Qeveria i ka 600 mln euro borxh bizneseve, të shkarkuarve, arbitrazheve

KLSH: Qeveria i ka 600 mln euro borxh bizneseve, të shkarkuarve, arbitrazheve

13:48, 09/11/2020
A+ Aa A-

Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimit që i ka bërë zbatimit të buxhetit të vitit 2019 ka gjetur se detyrimet e prapambetura të pakontabilizuara në llogaritë e borxhit publik arritën në 72.3 miliardë lekë ose gati 600 milionë euro (shih tabelën bashkëngjitur). Sipas të dhënave nga auditimi, detyrimet e prapambetura arritën nivelin e vitit 2013, prej 72.5 miliardë lekësh.

Në raportin e dorëzuar në Kuvend ekspertët e KLSH lajmërojnë se detyrimet e fshehura mund të jenë më të larta se kjo vlerë për shkak të nënraportimeve të mëdha nga institucionet, të cilat kanë qenë të pamundura të verifikohen nga KLSH gjatë vitit.

Sipas KLSH në shumën prej 72.3 miliardë lekësh të akumuluar deri në fund të vitit 2019, pjesën më të madhe të detyrimeve e zënë ato për projektet e investimeve, mallra, shërbime, vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi dhe të tjera me vlerë 24.4 miliardë lekë ose 198 milionë euro.

KLSH thotë se qeveria i ka nën- raportuar me së paku 7 miliardë lekë këto detyrime. Pasi janë gjetur një duzine faturash nga tatimet, doganat, AKSHI, Fondi i Zhvillimit dhe bashkitë që nuk është raportuar.

Më pas për nga madhësia vijnë detyrimet nga gjykatat ndërkombëtare me vlerë 19 miliardë lekë, të cilat KLSH i ka përllogaritur duke marrë në konsideratë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe Arbitrazhit. Kjo shumë e cila sipas KLSH është 154 milionë euro nuk është raportuar nga qeveria në raportin periodik të detyrimeve të prapambetura.

Gjithashtu KLSH ka gjetur edhe 14 miliardë lekë ose 110 milionë euro nga TVSH e parimbursuar. Auditi suprem thekson se qeveria ka një nënvlerësim të detyrimeve të TVSH-se dhe tatim- fitimit.

Nga auditi në tatime është verifikuar se, janë edhe 14.1 miliardë borxhe të prapambetura si rimbursimi që duhet ti bëhet tepricës kreditore të Tatimit mbi Fitimin.

Detyrimet e prapambetura të zbuluara nga KLSH-se ishin sa 4.1 për qind e PBB-së së vitit 2019. Kontabilizimi i tyre në llogaritë buxhetore do ta çonte borxhin real të vendit në rreth 86 për qind të PBB-së ketë vit.

Kontrolli i Lartë i shtetit lajmëron deputetet në Kuvend se Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka humbur kontrollin mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit.

“Niveli i detyrimeve të prapambetura është rikthyer në problematik. Akumulimi i madh i detyrimeve financiare të prapambetura shkakton dëm në stabilitetin fiskal te vendit. Në konkluzion, konstatojmë se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit. Niveli i detyrimeve të prapambetura është përsëri një problematikë që kërkon adresim të menjëhershëm dhe të kujdesshëm.” /MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Fiku bashkis09/11/2020 15:12

Deri ne prill e çon borxhin 100% hajdari Surrelit! Nuk keni pa gjo akoma, kjo ndodh kur ja le tenxheren, kusin, tepsin dhe garuzhden nje skizofreni hajdut si Edver qelbesira.

Shto koment

Denonco