Shqiptarët, 70 milionë euro në vit për t’u kuruar te privati

Shqiptarët, 70 milionë euro në vit për t’u kuruar te privati

06:36, 09/11/2020
A+ Aa A-

Në tre spitalet private kryesore në vend, shqiptarët kanë shpenzuar rreth 8.5 miliardë lekë, gati 70 mln euro për t’u kuruar në 2019-n, ose 10% më shumë se një vit më parë… 

Edhe pse kanë kaluar mbi shtatë vjet nga lulëzimi i biznesit të spitaleve private, të gjitha vazhdojnë të raportojnë humbje, kur përvoja ndërkombëtare referon një cikël trevjeçar, kur përgjithësisht sipërmarrje të tilla fillojnë të japin fryte, ndonëse interesi i shqiptarëve për tu kuruar tek privati nuk ka munguar për shkak të kushteve jo të mira të sistemit shtetëror shëndetësor.

Gjithsesi, 2019-a ishte më pozitive për sektorin, që ka reduktuar ndjeshëm humbjet.

“Spitali Amerikan”, më i madhi privat në vend, raportoi të ardhura prej 5.4 miliardë lekësh, me një rritje prej 10% me bazë vjetore. Humbjet u reduktuan ndjeshëm, nga 168 milionë lekë në 22 milionë lekë. Kompania ka 6 spitale në vend, si dhe laboratorë e poliklinika.

“International Hospital” (ish-Hygeia), raportoi në vitin e parë të plotë të aktivitetit nën drejtimin e ri, qarkullim vjetor prej 2.6 miliardë lekësh, me rritje prej 9% me bazë vjetore. Për herë të parë që nga fillimi i aktivitetit, humbjet u reduktuan në nivele minimale prej 41 milionë lekësh, nga 481 milionë lekë një vit më parë. “Drejtimi ka marrë hapa për të rritur të ardhurat dhe për të stabilizuar levën financiare”, thuhet në raport.

Në gusht 2018 u finalizua transaksioni për shitjen e Hygeia te Spitali Amerikan. Spitali, që kishte një investim fillestar prej 60 milionë eurosh, është shitur simbolikisht për 1 milion euro, sipas deklarimeve zyrtare, ndërsa 29.5 milionë euro të tjera do të shkojnë për shlyerjen e kredive.

“Salus”, spitali i tretë më i madh në vend, raportoi 431 milionë lekë të ardhura, me rritje 14.4% me bazë vjetore në vitin 2019. Humbjet u reduktuan nga 311 milionë lekë, në 30 milionë lekë. Përmirësimi erdhi teksa në vitin 2018, pas humbjeve të mëdha, italianët e “Salus Holding” dhe “Policlinico Triestino” (që zotëronin së bashku rreth 57% të totalit) vendosën të shesin aksionet në janar të 2019-s tek aksioneri tjetër Olti Peçini, i cili i ka blerë ato për një vlerë 1.1 milionë euro, duke rritur përqindjen e kapitalit nga 23.8% në 80.2%.

Në raportet vjetore, spitalet deklarojnë se pritet të ndikohen nga pasojat e pandemisë, duke i detyruar të ulin investimet dhe të riskedulojnë kreditë.

Në këto tre spitalet private kryesore në vend, shqiptarët kanë shpenzuar rreth 8.5 miliardë lekë, gati 70 mln euro për t’u kuruar në 2019-n, ose 10% më shumë se një vit më parë.

Tregtimi i pajisjeve mjekësore, biznes më i mirë se farmaceutika

Biznesi i farmaceutikës është një ndër më të mëdhenjtë në vend, por normat e fitimit për tregtuesit e mëdhenj të barnave në pjesën më të madhe mbeten njëshifrore, duke u luhatur mes 5-7%. Treguesit e përfitueshmërisë kanë rënë në krahasim me 2018-n, në linjë edhe me tendencën ngadalësuese të sektorit, ku importet e produkteve farmaceutike u rritën me ritme shumë të ulëta në 2018-2019, në krahasim me periudhat paraardhëse.

“Rejsi Farma”, “Delta Pharma-Al”, “Megapharma”, “Aldosch”, kishin norma kthimi midis 5-7% në vitin 2019. “Profarma” dhe “Pegasus” e kishin këtë tregues rreth 14-15%.

Operatorët e tregut pohojnë se në vitin 2019, tendencë ka qenë lulëzimi i tregut të OTC (barnat që shiten direkt te klienti pa recetë) dhe suplementeve për arsye të përfitueshmërisë dhe promocionit aktiv.

Për vitin 2020, në lidhje me tregun farmaceutik, është konstatuar se ka një rënie të asaj që cilësohet tregu i recetave akute, kjo edhe për shkak të uljes së numrit të vizitave, të ndikuara nga kufizimet e shkaktuara nga pandemia (si antibiotikë oralë, antihistaminikë etj.)

Të dhënat e INSTAT tregojnë se për periudhën janar-gusht 2020, importi i produkteve farmaceutike shënoi rritje minimale prej 1% në krahasim me 8- mujorin e një viti më parë.

Një biznes i mirë vitet e fundit po rezulton ai i tregtimit të pajisjeve mjekësore. “O.E.S Distrimed” dhe “Montal”, raportuan norma përfitueshmërie mes 24-26%./MONITOR


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco