Si do të regjistrohet gjoba për maskat në faturën e dritave

Si do të regjistrohet gjoba për maskat në faturën e dritave

07:23, 03/11/2020
A+ Aa A-

Kush gjobitet nga Policia Bashkiake apo Policia e Shtetit për mosmbajtje të maskës, penalitetin do ta paguajë bashkë me faturën e energjisë elektrike.

Në rast mospagimi të gjobës që do të përfshihet në faturën e energjisë, për qytetarët përveç vendosjes të kamatëvonesës do të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Hyn në fuqi udhëzimi i përbashkët i ministrave të Energjetikës Belinda Balluku, të Financave Anila Denaj dhe të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për përfshirjen e gjobës në faturën e energjisë elektrike.

Udhëzimi përcakton se për rastet kur individët kanë kontratë furnizimi energjie, OSHEE do të regjistrojë gjobën në faturën e energjisë elektrike të muajit respektiv. Ndërsa kur OSHEE konstaton se individi nuk ka kontratë furnizimi të energjisë elektrike ose të dhënat e pasqyruara në gjobë nuk janë të plota apo nuk korrespondojnë me të dhënat në sistemin e faturimit, i kthen procesverbalin e gjobës, sipas rastit, Policisë së Shtetit ose Policisë Bashkiake.

Udhëzimi i plotë

-Institucionet përgjegjëse për vendosjen e gjobës për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) janë Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në përputhje me aktin normativ  “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.

-Policia e Shtetit apo Policia Bashkiake dërgon brenda 14 ditëve procesverbalin e vendosjes së gjobës në Furnizuesin e Shërbimit Universal FSHU) sh.a./ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP (OSHEE) sh.a. Ky procesverbal, në çdo rast, duhet të përmbajë minimalisht informacionin në lidhje me emrin, mbiemrin, atësinë, numrin e kartës së identifikimit, si dhe adresën e banimit të individit.

-FSHU-ja, për rastet kur individët kanë kontratë furnizimi energjie, do të regjistrojë gjobën në faturën e energjisë elektrike të muajit respektiv. Kur FSHU-ja konstaton se individi nuk ka kontratë furnizimi të energjisë elektrike ose të dhënat e pasqyruara në gjobë nuk janë të plota apo nuk korrespondojnë me të dhënat në sistemin e faturimit të FSHU/OSHEE, i kthen procesverbalin e gjobës, sipas rastit, Policisë së Shtetit ose Policisë Bashkiake.

– Gjoba e përfshirë në faturën e energjisë elektrike, do të jetë titull ekzekutiv dhe nuk do të mund të paguhet pjesërisht apo e shkëputur nga fatura e energjisë elektrike. Pagesa jashtë afateve do të shoqërohet me kamatëvonesat përkatëse në përputhje me kontratën e energjisë elektrike të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë.

-Mospagesa e gjobës, si pjesë përbërëse e faturës, do ta klasifikojë individin si debitor ndaj FSHU-së dhe kontrata përkatëse e energjisë elektrike do të dërgohet për ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë.

-Pagesat mund të bëhen pranë te gjitha zyrave përkatëse të përcaktuara nga FSHU-ja, pranë Postës Shqiptare dhe pranë çdo institucioni financiar ku paguhet fatura e energjisë elektrike.

-FSHU-ja derdh gjithë vlerën e gjobës në buxhetin e shtetit në llogarinë e thesarit, duke përjashtuar komisionet e shpenzimeve administrative në masën 2%. Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake rakordojnë me OSHEE-në arkëtimet periodike në llogarinë bankare në emër të OSHEE-së nga pagesat e faturave të energjisë elektrike për individët që kanë kontratë me OSHEE-në dhe i nënshkruajnë dokumentin “Faturë për arkëtim”, në të cilin është specifikuar si më poshtë: a) kodi i rrethit Tiranë 3535;b) kodi i institucionit për Policinë e Shtetit 1016079 në sistemin informatik financiar të qeverisë (SIFQ) ose për Policinë Bashkiake me kod institucioni 2101001 në SIFQ;c) kodin e llogarisë ekonomike të arkëtimit 7115422 -“Gjoba për mospërdorimin e maskës nga COVID-19” në SIFQ.

-OSHEE-ja, në bazë të rakordimit periodik paraqet në bankën përkatëse dokumentin “Faturë për arkëtim” për të kryer transferimin e shumave të vjela nga gjobat në llogarinë bankare të të ardhurave jotatimore në emër të degës së Thesarit Tiranë sipas listës bashkëlidhur të IBAN-eve.

-Struktura përgjegjëse për Thesarin në degë dërgon postën ditore bankare dhe rakordon periodikisht arkëtimet nga gjobat me strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Ridhjeresi03/11/2020 15:05

Po ato qe jane ne apartament me qera te paguajne gjobat qe mund te marrin pronaret e shtepive. E, tëmën e sëmës!

Shto koment

Denonco