Pavarësisht pandemisë, investitorët e huaj transferuan jashtë 258 milionë euro fitime

Pavarësisht pandemisë, investitorët e huaj transferuan jashtë 258 milionë euro fitime

07:33, 18/09/2020
A+ Aa A-

Transferimi i fitimeve nga investitorët e huaj rezultoi në nivele të larta edhe në tremujorin e dytë të vitit, pavarësisht efekteve të pandemisë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se flukset dalëse në zërin e të ardhurave nga investimet (kryesisht transferimi i fitimit)  për tremujorin e dytë të vitit ishin 136 milionë euro, shtatë milionë euro më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për gjysmën e parë të vitit, flukset dalëse e lidhura me të ardhurat nga investimet arritën në 258 milionë euro, me një rënie prej 3.4% krahasuar me një vit më parë. Megjithë rënien e lehtë nga viti i kaluar, fitimet nga investimet e dala jashtë vendit janë sërish pranë niveleve më të larta në 12 vitet e fundit.

Pas vitit 2017, vërehet një rritje e transferimit të fitimeve, çka e ka thelluar efektin negativ që zëri i të ardhurave nga investimet jep në bilancin e llogarisë korrente. Për 6-mujorin 2020, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte negative në vlerën e 207 milionë eurove, ndërsa një vit më parë kishte qenë 221 milionë euro.

Ky zë historikisht ka qenë negativ për Shqipërinë, për shkak se ne jemi një vend kryesisht pritës i investimeve të huaja. Kjo sjell edhe dalje periodike të të ardhurave në formën e dividendëve që shoqëritë me kapital të huaj shpërndajnë te aksionerët e tyre jashtë vendit. Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit janë ndjeshëm më të ulëta dhe për gjysmën e parë të këtij viti ato përbënin më pak se 20% të fitimeve të dala jashtë. Kjo nënkupton se për çdo pesë euro të transferuara jashtë në formë fitimesh, ekonomia jonë arrin të marrë vetëm një euro në kahun e kundërt, atë të të ardhurave.

Pandemia e Covid-19 solli një goditje të fortë në ekonomi dhe pasiguri të shtuar për të ardhmen. Mendohej se një situatë e tillë do të sillte një pezullim më masiv të shpërndarjes së fitimeve nga shoqëritë e huaja. Për bizneset që operojnë në tregjet e mbikëqyrura financiare, si bankat apo kompanitë e sigurimeve, shpërndarja e fitimeve u pezullua përmes vendimeve të posaçme të autoriteteve rregullatore për të gjithë vitin 2020.

Në sektorët e tjerë të ekonomisë, po të shohim shifrat, duket se shpërndarja e fitimeve ka vijuar.

Një faktor tjetër që ka ndikuar daljet e larta të fitimeve në vitet e fundit është rritja e detyrimeve te jorezidentët, sidomos nga qeveria shqiptare. Vitin e kaluar, qeveria shqiptare shpenzoi 12.3 miliardë lekë për të paguar interesat e borxhit të jashtëm, ndërsa në gjysmën e parë të këtij pagesat e interesave për kreditorët jo-rezidentë arritën në 4.2 miliardë lekë. Që kur qeveria shqiptare doli për herë të parë në tregjet financiare duke emetuar eurobond, në vitin 2010, stoku i borxhit të jashtëm ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Eurobondet janë vlerësuar si instrumente që mundësojnë huamarrje me kosto të favorshme, por edhe një mënyrë për të ulur trysninë mbi tregun e brendshëm financiar dhe për të lënë më shumë resurse në dispozicion të sektorit privat./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Rilindasi 18/09/2020 09:48

Po normale kur cdo gje e kane turqit e Çalikut dhe serbët e Zamir Manes

Shto koment

Denonco