Shkurtimet nga puna, deri në 32% për shkak të pandemisë

Shkurtimet nga puna, deri në 32% për shkak të pandemisë

07:23, 17/09/2020
A+ Aa A-

Baret, restorantet, hotelet, fabrikat ishin linjat që shkarkuan më shumë punonjës nga puna për shkak të pandemisë në tremujorin e dytë të vitit.

Kufizimet e lëvizjeve u shtrinë përgjatë 50 ditëve në prill-qershor, kohë në të cilën pjesa më e madhe e aktiviteteve sidomos në sektorin e shërbimeve u mbyllen plotësisht. Por edhe pas rihapjes, këto aktivitete kanë rinisur me staf të reduktuar me qëllim mbajtjen e kostove nën kontroll.

Sipas të dhënave të INSTAT shkurtimet më të mëdha nga puna janë aplikuar nga sektori i bareve dhe restoranteve ku raportohet rënie e indeksit të punësimit me 31.8%, e pasuar nga hotelet me -20.2% dhe fabrikat me -12.8%.

Rënie të punësimit shënuan edhe disa linja të tjera shërbimesh të tilla si aktivitetet inxhinierike, me -2.5%, informacioni dhe komunikimi me -2.3%, tregtia dhe riparimi i automjeteve me -2.2% dhe agjencitë e udhëtimit me -2.1%.

Në disa linja të sektorit të prodhimit tregu i punës nuk është ndikuar nga pandemia. Furnizimi më ujë dhe përpunimi i mbetjeve shënoi rritje të punësimit me 4.6 për qind në raport me tremujorin e dytë të vitit. Kjo rritje duket se është nxitur nga punësimi në ndërmarrjet shtetërore të ujësjellësit, pasi pjesa dërrmuese e tyre janë në pronësi publike.

Sektori i ndërtimi gjithashtu shënoi rritje vjetore me 1.9 për qind gjatë pandemisë në tremujorin e dytë. Sektori nuk e ndaloi aktivitetin as gjatë masave kufizuese teksa nisja e procesit të rindërtimit në zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 duket se ka nxitur punësimin në ndërtim.

Rritje të punësimit ka pasur edhe sektori i energjisë elektrike me rreth 1.2 për qind. Prodhimi i energjisë elektrike nuk është prekur nga kriza teksa rritja e punësimit është nxitur nga investimet gjithnjë e në rritje në ndërtimin e HEC-ve.

Kriza që krijoi pandemia në ekonomi ishte e paprecedentë, pasi mbyllja e menjëhershme e ekonomisë njëherazi në të gjithë botën krijoi rënie të menjëhershme në punësimin dhe të ardhurat e ekonomive familjare edhe pse shtetet në të gjithë botën ofruan paketa ndihme,

Qeveria e Shqipërisë ka ofruar rreth 30 miliardë lekë pagesa dhe garanci sovrane në dy paketa ndihme kundrejt individëve dhe bizneseve të prekura nga masat kufizuese. Por aplikimi i ndihmës nuk ka mundur të frenojë të gjithë goditjen e në sektorët e shërbimeve nga të cilat ekonomia e vendit tonë ka varësi më të madhe.

Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se në 6 muajt e parë të vitit dolën rreth 49-50 mijë persona nga tregu i punës, ose rreth 6% e totalit të të punësuarve në vend.

Kjo është tkurrja më e madhe e numrit të të punësuarve në 6-mujorin e parë, të paktën që prej pjesës së parë në 2017-n, kur raportohen të dhënat e Anketës së Forcave të Punës. Në të njëjtën periudhë të 2019-s, kur ishte një kohë normale, tregut të punës iu shtuan 33 mijë persona. Ndërsa këtë vit, pandemia e Covid-19 ka reduktuar ndjeshëm numrin e të punësuarve./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco