100 milionë euro pagesa për koncesionet në shëndetësi, sa na ndihmuan për krizën e COVID

100 milionë euro pagesa për koncesionet në shëndetësi, sa na ndihmuan për krizën e COVID

07:08, 13/09/2020
A+ Aa A-

Në pesë vitet e fundit, deri në maj të 2020-s, buxheti i shtetit ka paguar rreth 100 milionë euro për Partneritetet Publike-Private në shëndetësi, ndërsa do të paguajë dhe 270 milionë euro të tjera në vitet në vijim. Shuma e paguar, deri tani, do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar dy spitale të reja moderne. Sa eficent ka qenë orientimi i investimeve në shëndetësi në këto projekte dhe sa të vlefshme ishin në momentin që vendi u përball me krizën e shkaktuar nga pandemia? Shqiptarët, edhe në 2019-n shpenzuan për t’u kuruar në spitale private mbi 60 milionë euro, teksa në 2018-n, numri i shtretërve në shtet erdhi me rënie

Nga Ornela Liperi

Nga viti 2015, kur filloi për herë të parë zbatimi i kontratave të Partneritetit Publik-Privat (PPP) në shëndetësi, deri në maj të 2020-s, buxheti i shtetit ka paguar gjithsej rreth 12.2 miliardë lekë (gati 100 milionë euro) për tre koncesionet e shëndetësisë.

Të dhënat janë përpunuar nga “Monitor”, bazuar në deklarimet në projektbuxhet për pagesat e koncesioneve të check-up, sterilizimit dhe dializës për 2018-2019 dhe nga bilancet e kompanive përkatëse për 2015-2017, (shih tabelën), pasi vetëm nga 2018-a financat, nën presionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, filluan të bëjnë transparencë për këto pagesa.

Kjo shumë do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar dy spitale të reja moderne (ish-Hygeia, spitali i parë privat në vend, me pajisje moderne e disa funksione, kishte një vlerë investimi prej 60 milionë eurosh, sipas deklarimeve zyrtare).

Niveli më i lartë i financimit u arrit në 2019-n, me 3.8 miliardë lekë, ose rreth 31 milionë euro. Për 2020-n, pas pandemisë, financat e kanë rishikuar buxhetin me ulje dhe pagesat totale parashikohen në total 2.8 miliardë lekë, ose 25% më pak se në 2019-n. Në pjesën e dytë të këtij viti filloi zbatimi i koncesionit të katërt, atij të laboratorëve, për të cilin janë parashikuar 400 milionë lekë.

Katër koncesionet, check-up (nga 2015-a), sterilizimi, dializa (nga 2016) dhe së fundmi laboratorët, janë parashikuar për një periudhë 10-vjeçare për një shumë totale prej 45.5 miliardë lekësh, ose rreth 370 milionë euro.
Por, sa eficente kanë qenë këto shpenzime/investime të deritanishme nga buxheti (ndërsa dhe 270 milionë euro të tjera do të paguhen në vitet në vijim) për shëndetësinë dhe çfarë vlere të shtuar do t’i sjellin sistemit kur të përfundojnë? Sa ndihmuan këto investime të paguara nga buxheti në infrastrukturën e sistemit shëndetësor, në momentin që vendi u përball me emergjencën e shkaktuar nga COVID-19?

As Ministria e Financave dhe as ajo e Shëndetësisë nuk iu përgjigjën një kërkese për informacion nga “Monitor”, lidhur me arsyet pse u vendos që këto shërbime të jepen me koncesion dhe si ka rezultuar analiza kosto-përfitime për to deri tani.

Por, përvoja e deritanishme ka treguar se kompanitë private kanë qenë të orientuara nga maksimizimi i fitimit, nuk kanë qenë të gatshme të ndërmarrin asnjë risk (koncesioni i check-up e pezulloi përkohësisht aktivitetin në momentin kur shpërtheu pandemia e COVID-19, duke cituar çështje madhore). Nga ana tjetër, vetë Ministria e Financave, në një raport për zbatimin e koncesioneve, publikuar në fund të 2019-s, pranonte se për shumë kontrata, risku financiar ishte mbajtur nga shteti, ndërsa dhe parashikimet nuk ishin bërë të sakta.

P.sh., në rastin e kontratës së sterilizimit, koncesionari është paguar përtej parashikimeve fillestare, ndërsa në rastin e check-up është paguar për shërbimet e pakryera. Koncesioni i laboratorit ka marrë në dorëzim ambientet laboratorike në Spitalin “Nënë Tereza” dhe në të gjitha spitalet e tjera të vendit, ndërsa personeli shtetëror, që doli i papunë, sapo ishte trajnuar për analizat e COVID-19.

Gabimet në llogaritje, pagesat do të rriten me 33%, ose 91 milionë euro më shumë

Pritshmëritë për pagesën e kontratave të shëndetësisë janë rritur vit pas vite, për shkak parashikimeve të pasakta në llogaritjen e shërbimeve që do të faturoheshin.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në relacionet e Ministrisë së Financave, në vitin 2018, kosto totale e kontratave për katër PPP-të e shëndetësisë ishte parashikuar në 34 miliardë lekë. Dy vjet më pas, në relacionin e 2020-s, parashikimi për vlerën totale të kontratave arriti në 45.5 miliardë lekë, me një rritje prej 33%, ose 91 milionë euro më shumë.

Rritja më e madhe është për koncesionin e sterilizimit, me 64%. Dializa është ulur me 17%. Kontrolli bazë pritet të kushtojë 36% më shumë. Edhe për koncesionin e laboratorëve, që përpara se të fillojë zbatimi, vlera është rishikuar në rritje me 44%. (shih tabelën). Deri tani nuk ka pasur një sqarim publik, apo mbajtje përgjegjësie për rishikimin në rritje të vlerave të kontratave, pagesat e të cilave vijnë nga taksapaguesit shqiptarë.

Sterilizimi, në 2018-2019, faturoi sa 36% e parashikimit fillestar për 10 vjet

Saniservice është kompania që po zbaton koncesionin e sterilizimit. Shoqëria, sipas deklarimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) ka për objekt ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve ku do të ofrohet ky shërbim, në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjerë, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë, në zbatim të koncesionit/Partneritetit Publik-Privat të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë sipas njoftimit të Fituesit nr. 1440/13 prot. datë 23.06.2015. Shërbimi i shoqërisë është i shpërndarë në 29 qendra spitalore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Koncesioni ishte propozim i kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Vlera fillestare e plotë e kontratës ishte parashikuar në 10 miliardë lekë, ndërsa në projektbuxhetin e 2019-s, ajo u rishikua, duke u rritur me 64% në 16.5 miliardë lekë. Kostoja e këtij koncesioni është rritur ndjeshëm, për shkak të numrit të lartë të ndërhyrjeve kirurgjikale, në raport me parashikimet.

Ministria e Financave, në një raport për zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin, ka pranuar se risku i financimit është marrë përsipër tërësisht nga buxheti dhe deri tani janë materializuar risku i kërkesës dhe risku i negocimit, gjë që ka bërë që buxheti të paguajë rreth 5 milionë euro më shumë vetëm për vitin 2018.
Sipas raportit të financave, pagesat për këtë kontratë realizohen sipas skemës (pay x use), prandaj tejkalimi në nivel vjetor i numrit të ndërhyrjeve të planifikuara sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Kompania sqaron në raportin e saj vjetor se, në fund të çdo muaji, vlerat e ndërhyrjeve dhe shërbimi i ofruar raportohet drejt Drejtorive Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), nëpërmjet një raporti të gjeneruar nga sistemi i menaxhimit të brendshëm të shoqërisë. Pas vlerësimit dhe kontrollit të raporteve mujore nga Drejtoritë rajonale përkatëse, bëhet faturimi mujor i shërbimit sipas kategorive për katër llojet e ndërhyrjeve të parashikuara në kontratë, me kompleksitet të ulët, të mesëm, të lartë dhe paketë me avull.

Sipas raportit vjetor të Saniservice, gjatë vitit 2019, numri i total i ndërhyrjeve të kryera në përputhje me kushtet kontraktuale ishte 63,585 në krahasim me një total prej 90,075 ndërhyrjesh të kryera gjatë vitit 2018. Gjithashtu, faturimi total gjatë vitit 2018 ishte 1.92 miliardë lekë, në krahasim me 1.69 miliardë lekë në vitin 2019.

Nga të dhënat e bëra zyrtare në raportin vjetor, rezulton se vetëm në 2 vjet, koncesionari ka faturuar buxhetin (FSDKSH) për një shumë prej 3.6 miliardë lekësh, që është e barabartë me 36% të vlerës së parashikuar fillestare të kontratës për periudhën 10-vjeçare. Pas rritjes së pagesave në 2018-n, si rrjedhojë e shtimit të ndërhyrjeve, Ministria e Shëndetësisë dha urdhër për kufizimin e operacioneve, duket që e dha efektin në vitin 2019.
Kompania thotë se në vitin 2019, shoqëria ka qenë në proces negocimi të termave kontraktualë me Autoritetin

Kontraktual, për sa i përket çmimit të aplikuar për çdo kategori shërbimi të ofruar, por nuk specifikon nëse po negociohet për rritje apo ulje të tij!. Në vitin 2019, shoqëria ka deklaruar humbje prej 10 milionë lekësh, pas fitimeve të larta prej 265 milionë lekësh të deklaruara vitin e mëparshëm.

Humbjet erdhën si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve për amortizime dhe të tjera të veprimtarisë. Kompania thotë në raportin vjetor se, nga të dhënat e deklaruara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë auditimit të OBSH-së, u vlerësua një ulje nga 35% në 15% e infeksioneve pas operacionit.

Check-up, paguhet për kontrolle të pakryera, auditim me rezervë

I ashtuquajturi koncesion i check-up është një kontratë e Partneritetit Publik-Privat dhe ka si qëllim kontrollin mjekësor bazë, që është një program kombëtar, i cili synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet më të përhapura, me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore.

Kjo kontratë, që zbatohet nga 3P Life Logistic, ka filluar të zbatohet në datë 31.03.2015. Shoqëria koncesionare ka marrë përsipër të ndërtojë, pajisë me aparaturat mjekësore të nevojshme, të operojë dhe menaxhojë 20 laboratorë. Vlera totale e saj, sipas projektbuxhetit 2020, është 8.7 miliardë lekë, ose 36% më e lartë se vlerësimi në projektbuxhetin 2018.

Për këtë kontratë, Partneriteti Publik-Privat në nivel vjetor janë parashikuar 475 000 përfitues të shërbimit, pra 39 583 raste në muaj, për të cilat kompania koncesionare i merr pagesat, pavarësisht nga fakti nëse ato realizohen apo jo.

Por, numri real i kontrolleve të kryera për periudhën 2015-2018 ka qenë shumë më i ulët, përkatësisht 244 420 në vitin 2015; 329 555 në 2016; 316 601 në 2017 dhe 2018 në 428 891. Në total, për këta 4 vjet, diferenca mes kontrolleve të paguara dhe atyre të realizuara rezulton 580 533.

Koncesionari paguhet çdo vit 876 milionë lekë, ose 1 844 lekë për çdo kontroll të planifikuar. Si rrjedhojë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, rezulton se koncesionari ka marrë rreth 1.1 miliardë lekë (8.5 milionë euro) në periudhën 2015-2018 për kontrollet që realisht nuk i ka kryer! Edhe në rastin e këtij koncesioni, Ministria e Financave pranon se risku financiar është marrë përsipër nga shteti.

Në bilancin e 2018-s, të 3P Life Logistic, Auditori ka dhënë vlerësim me rezervë për shkak të mënyrës se si kontabilizohen kontrollet e paguara, por të parealizuara, dhe për mënyrën e vlerësimit të sasisë së inventarit.
Kompania përdor një pjesë të infrastrukturës së mëmës (Marketing & Distribution) për kryerjen e shërbimeve.

“Shpenzimet, sipas kontratës, u referohen shërbimeve që M&D kryen në bazë të marrëveshjes dypalëshe, me qëllim ruajtjen dhe mbarëvajtjen e sistemit informatik dhe pajisjeve informatike në Qendra Shëndetësore, Ambulanca lëvizëse dhe Laboratorë; shërbime logjistike që lidhen me magazinimin dhe lëvizjen e materialeve për kryerjen e analizave, përdorim të sistemeve dhe programeve të domosdoshëm për krijimin dhe ruajtjen e të dhënave të kontrolleve check-up të realizuara”, thuhet në raportin vjetor.

Kompania ka shpërndarë fitime prej 117 milionë lekësh për 2015-2016. Në mars 2019, Asambleja e Aksionerëve ka vendosur uljen e kapitalit të Kompanisë në vlerën 9,350,044 lek,ë për pagimin e taksës mbi të ardhurat në lidhje me dividentin e kapitalizuar për t’u shpërndarë aksionerëve. Koncesionari e ka ndërprerë përkohësisht aktivitetin pas pandemisë, duke cituar shkaqe madhore.

Dializa

Shoqëria DiaVita ka si objekt zbatimin e kontratës së koncesionit/PPP “Për shërbimin e hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”. Kjo kontratë është nënshkruar më 10 shkurt 2016 ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe shoqërisë DiaVita SHPK dhe është bërë efektive në qershor të vitit 2016.
Kosto totale e saj është 7.2 miliardë lekë.

Sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, nga 1250 pacientët që u trajtuan me hemodializë në vitin 2018, 30% prej tyre morën shërbimin nga koncesionari i Partneritetit Publik-Privat (PPP) nëpërmjet kompanisë DiaVita, 11% në publik dhe pjesa tjetër, në privat. Çmimi i paguar për një seancë hemodialize nga fondi i programuar për këtë paketë ndaj institucioneve shëndetësore që ofrojnë këtë shërbim ishte 12,106 lekë.

Shpenzimet e shqiptarëve në spitalet private arrijnë 70 milionë euro

Më shumë se 10 vjet më parë, spitalet private filluan investimet e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar nivelin e ulët të shërbimeve në shtet dhe kërkesën në rritje të shqiptarëve për mjekim cilësor. Shumat e mëdha që të sëmurët shqiptarë shpenzonin në Greqi nxitën grupin grek Diagnostic and Therapeutic Center of Athens Hygeia të hynte në Shqipëri.

Investimet filluan të zgjeroheshin me shpejtësi, me hyrjen e Spitalit Amerikan (100% në pronësi të Balkan Alliance Healthcare B.V), i cili bleu më pas dhe Hygeia, Salus (në pronësi të investitorëve privatë e të Salus Holding) dhe tendenca vijon.

Vitet e fundit, mesatarisht shqiptarët kanë shpenzuar 50-60 milionë euro në vit për t’u kuruar në spitale private.
Në vitin 2019, të ardhurat e tre spitaleve kryesore në vend, AMERICAN HOSPITAL, International Hospital (ish-Hygeia) dhe Salus kishin të ardhura totale prej 8.5 miliardë lekësh (gati 70 milionë euro), me një rritje prej 10% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Numri i shtretërve, në ulje me 10% në dekadën e fundit

Ndonëse barra e sëmundjeve është rritur, të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2018, numri i shtretërve erdhi në rënie. Nuk ka pasur rritje as në numrin e institucioneve spitalore, përkundrazi kanë ardhur me rënie.
Nga 50 institucione spitalore që kishte deri në vitin 2005, numri i tyre ra në 44 në vitin 2013 dhe më pas në 42 në 2018-n.

Numri i shtretërve në total ishte 8,185 në vitin 2018, duke shënuar rënie prej 10% në krahasim me një dekadë më parë (në 2008-n). Kjo tendencë ka rezultuar, ndonëse numri i të operuarve gjithsej, arriti një nivel rekord prej 65 mijë personash në 2018-n, ose 16% më i lartë në krahasim me një dekadë më parë.

Pandemia e COVID-19 nuk e pengon, nis punën koncesioni PPP i laboratorëve

Kontrata koncesionare PPP për shërbimin laboratorik ka nisur nga puna, edhe pse pandemia COVID-19 u bë shkak për shtyrjen e pagesave për disa PPP që nuk kishin filluar zbatimin.

Koncesionari ka marrë në dorëzim ambientet laboratorike në Spitalin “Nënë Tereza” dhe në të gjitha spitalet e tjera të vendit. Burimet në QSUT pohojnë se shërbimi laboratorik po ofrohet, ndërkohë që koncesionari ka nisur të përshtasë ambientet. Por një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit për këtë koncesion ka zbuluar se, gabimet në studim mbi fizibilitetin dhe kontratë lënë të hapur rritjen e kostove buxhetore, njësoj si për koncesionin e sterilizimit.

KLSH konstaton se vendosja e kufizimeve buxhetore në kuadër të vlerës totale mujore të lejuar për të shpenzuar dhe, duke pasur parasysh tarifat e ofrimit të shërbimit të ofruar, sjell riskun e mosofrimit të shërbimit apo tejkalimit të buxhetit, në rast të nevojave emergjente.

Shpenzimi aktual për laboratorët spitalorë nuk evidentohet veçmas në programet buxhetore të Ministrisë së Shëndetësisë. Pagesat e kërkuara për implementimin e projektit, përfshijnë flukse dalëse nga shpenzimet operative.
Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro. Koncesioni i laboratorëve u fitua në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive; Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani guaskë e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium.

Pasi ka vendosur që të kalojë në administrim të një privati shërbimin e laboratorit, Ministria e Shëndetësisë praktikisht ka mbivendosur funksionet e koncesionit të ri me atë të Check Up. Kompania “3P Life Logistic”, e njohur ndryshe si check-up (kontrolli bazë mjekësor) ofron në thelb shërbimin e laboratorit.

Intervistat për llogari të koncesionarit të check up me pacientët realizohen nga personeli shtetëror, i cili është pjesë e shërbimit parësor. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për koncesionin e ofrimit të shërbimeve laboratorike spitalore ka gjetur problematika të shumta në kontratën, që ngjashëm si me koncesionin e sterilizimit, nuk ka arritur të planifikojë saktë nevojat për shërbime laboratorike.

Sipas KLSH, “Projekti koncesionar/PPP” vetëm në vitin e parë të implementimit të tij, sipas studimit të fizibilitetit, ka përcaktuar rritjen në financim të kërkuar me rreth 3.3 milionë euro nga situata ekzistuese. Sipas argumentimit të bërë në studimin e fizibilitetit, financimi aktual vlerësohet në rreth 5.4 milionë euro dhe shpenzimi i kërkuar për implementimin e PPP në vitin e parë vlerësohet në 8.7 milionë euro, nëse ky projekt do të realizohet duke argumentuar shtesën në financim prej 3.3 milionë eurosh.

Vlera totale e kontratës, sipas projektbuxhetit 2020 është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro. Nëse kostoja do të rritet me 3.3 milionë euro çdo vit, sipas konstatimit të KLSH-së, atëherë vlera totale e saj do të rritej me 33 milionë euro, duke u rritur me 24%, për të arritur në 139 milionë euro./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco