‘Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme’/ Kuvendi miraton shtyrjen e afatit, Kadastra sqaron procedurën e aplikimit

‘Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme’/ Kuvendi miraton shtyrjen e afatit, Kadastra sqaron procedurën e aplikimit

20:44, 27/07/2020

Të propozuar nga Këshilli i Ministrave, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në ligjin “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”.

Sipas ndryshimeve të miratuara, shtyhet afati i rivlerësimit nga 30 tetori 2020 deri në 31 dhjetor 2020.

Gjithashtu, qytetarë të cilët nuk kanë patur mundësi të përfitojnë nga rivlerësimi i pronës me 3%, mund ta bëjnë atë deri në fund të vitit.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës sqaron se për t’u pajisur me shërbimin e rivlerësimit mundeni të aplikoni online tek portali e-Albania( tek shërbimet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës) duke ndjekur hapat e njëpasnjëshme sipas udhëzimeve në sistem.

Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.

“Nëse vlerësimin e pasurisë keni zgjedhur ta bëni me një ekspert të licencuar paralelisht me aplikimin online duhet të dërgoni raportin e rivlerësimit origjinal pranë adresës së drejtorisë përkatëse ASHK ku administrohet prona juaj. Kthimin e përgjigjes për përllogaritjen e tatimit, si dhe pagesen e aplikimit i gjeni tek mandatpagesa tek “Dokumentat e mia”. Më pas vijoni me pagesën online, me postë ose nëpërmjet bankës Credins dhe një kopje të mandatit të arketimit e ngarkoni në vijim të aplikimit ekzistues.”

Ndryshimet e miratuara

Për disa ndryshime në ligjin nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës të Shqipërisë vendosi: Në ligjin nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Në paragrafin e parë të nenit 1 fjalët “deri në datën 30 shtator 2020” zëvendësohen me fjalët “deri në datën 31 dhjetor 2020”.

Neni 2

Në nenin 5 fjalët “dhe i shtrin efektet deri në datën 30 shtator 2020” zëvendësohen me fjalët “dhe i shtrin efektet deri në datën 31 dhjetor 2020”.

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco