Ndryshon skema e tatimit për biznesin e vogël/ Ja kush përfiton nga vendimi i qeverisë

Ndryshon skema e tatimit për biznesin e vogël/ Ja kush përfiton nga vendimi i qeverisë

18:05, 18/07/2020
A+ Aa A-

Me vendimin e qeverisë mbi ndryshimin e skemës së tatimit, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, do të zerohet tatimfitimi për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë.

Një tjetër ndryshim i bërë është vendosja e pragut të ri të TVSH-së në 10 milionë lekë, nga 2 që është aktualisht.

TATIMFITIMI

Përmes një interviste në “News 24”, zv.ministrja e Financave, Vasilika Vjero, ka dhënë sqarime të detajuara për skemën e re të tatimit dhe bazën e tatimpaguesve që përfitojnë nga vendimi. “Është parashikuar që tatimpaguesit me xhiro 5-14 milionë lekë të mos paguajnë tatimfitim, të jetë zero. Janë 12 mijë tatimpagues që do të përfitojnë nga masa lehtësuese dhe nuk do ta paguajnë këtë detyrim për një kohë të gjatë”. Aktualisht, bizneset e vogla nga 0 deri në 5 milionë lekë kanë zero tatimfitim, ndërsa nga 5 në 14 milionë lekë paguajnë tatimfitimin prej 5%. Me ndryshimet e bëra, bizneset e vogla çlirohen nga kjo taksë. Vjero vuri në dukje gjithashtu se vendimi në fjalë nuk kufizon përfshirjen vullnetare në skemën e TVSH-së të bizneseve me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë.

PRAGU I TVSH

Një tjetër ndryshim në ligj që prek biznesin e vogël është rritja e pragut të pagesës së TVSH-së. Bizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë do të përjashtohen nga skema. Sipas numrit 2 të Financave, kjo do të jetë një masë e përkohshme derisa bizneset të fitojnë qëndrueshmëri.

“Nisur nga eksperienca e viteve të kaluara, ku u ul pragu i regjistrimit të TVSHsë në 2 milionë lekë, por edhe nga të ardhurat e realizuara në këto 2 vite, për t’u ardhur në ndihmë tatimpaguesve të vegjël që janë ndier në vështirësi, sidomos në këtë periudhë pandemie, por edhe për shkak të asaj që kaluan nga tërmeti, është bërë propozimi që do të kalojë me Vendim të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e pragut të TVSH-së. Gjatë pandemisë, shumë biznese u detyruan të pezullonin aktivitetin e tyre për gati 3 muaj. Mbi 90 mijë biznese dhe rreth 230 mijë individë përfituan ndihmën financiare nga qeveria. Është propozuar që edhe tatimi mbi vlerën e shtuar të pësojë një ndryshim, pra niveli i regjistrimit të TVSH-së nuk do të jetë më 2 milionë lekë, por 10 milionë lekë. Ka një kapërcim përtej asaj që ka propozuar dhe këshilluar ndër vite Fondi Monetar Ndërkombëtar, që niveli i TVSH-së të ishte 8 milionë lekë. Ndërkohë që me propozimet e qeverisë do të jetë 10 milionë lekë”.

FISKALIZIMI

Një vendim tjetër i marrë nga qeveria është edhe shtyrja për herë të katërt e procesit të fiskalizimit. Kështu, për transaksionet ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 janar 2021.

Për transaksionet ndërmjet bizneseve, efektet e ligjit fillojnë më 1 korrik të vitit të ardhshëm, kurse për transaksionet mes bizneseve dhe qytetarëve, faturat elektronike do të lëshohen nga 1 shtatori i 2021.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco