Buka, e kërcënuar nga çmimet e larta dhe burimet e furnizimit

Buka, e kërcënuar nga çmimet e larta dhe burimet e furnizimit

08:22, 16/05/2020
A+ Aa A-

Fabrikat e mëdha të blojës janë përballur me një kërkesë të pazakontë për miell nga tregu i brendshëm, si pasojë e panikut që shkaktoi pandemia COVID-19. Rusia ka kufizuar eksportet në vetëm 7 milionë tonë, të cilat janë ezauruar tashmë. Shqipëria siguroi 54% të importeve të drithërave nga Rusia më 2019, ndërsa operatorët e blojës duhet të gjejnë burime të reja furnizimi këtë vit. Ata pohojnë se, tregu nuk do të ketë mungesa, por çmimet do të jenë më të larta. Konkurrenca nga mielli serb pa standarde është ulur, por industria po vuan rënien e konsumit dhe mbiinvestimet. Pritshmëritë për korrjet e reja ngjallin optimizëm.

Krahas problemeve të brendshme nga konkurrenca, konsumi i dobët dhe mbiinvestimet, industria e blojës këtë vit ndodhet nën presionin e zhvendosjes së burimeve të furnizimit me lëndë të parë (drithëra) për shkak të ndikimit që ka krijuar pandemia COVID-19. Prodhuesi më i madh i grurit në botë, Rusia, në mes të marsit kufizoi kuotat e eksportit në vetëm 7 milionë tonë për këtë vit. Këto kuota teorikisht janë ezauruar dhe kjo ka rritur çmimin e grurit për tonë në këtë periudhë me 15-17%.

Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se, në fillim të pandemisë dhe me aplikimin e masave kufizuese, tregu i brendshëm u përball me një kërkesë të fortë për miell, teksa transporti nga jashtë u përball me vështirësi. Para pandemisë, ngarkesat me grurë nga eksporti realizoheshin për 10-15 ditë, ndërsa tani nga 30-45 ditë.

Ai tha se, kufizimet ruse do të sjellin rritje të çmimeve të miellit dhe nënprodukteve të tij edhe në tregun vendas, por ai e përjashtoi rrezikun për mosfurnizim të rregullt të tregut. Prodhimet e grurit nuk janë ndikuar nga pandemia, por vendet që zotërojnë prodhimin më të lartë janë duke e shfrytëzuar situatën gjeopolitike dhe për të realizuar fitime gjithashtu. Kjo sjellje e prodhuesve të mëdhenj të grurit është nxitur nga rritja e kërkesës për furnizime të mëdha nga vende të tilla si Italia, Turqia, etj., gjatë pandemisë.

Roland Hysi, i cili drejton “Miell Tirana”, tha se kontraktorët e tij kanë rritur çmimet muajin e fundit me 10% dhe në përgjithësi ekziston një stres në furnizime, por gjithsesi ai e përjashtoi se ka mungesa në miell në tregun e brendshëm. Hysi evidentoi si probleme të industrisë konkurrencën e fortë nga tregu i brendshëm, për shkak edhe të mbikapaciteteve që kanë fabrikat e blojës në vendin tonë.

Gjithsesi operatorët më të mëdhenj pohojnë se konkurrenca e pandershme nga importet e miellit serb pa standarde ka pësuar rënie për shkak të kontrolleve më të rrepta të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Ata pohuan se situata në të ardhura ka qenë më e qëndrueshme në vitin 2019, teksa në vitin 2018, rritjen e më të lartë nga shitjet e kishte fabrika “Bloja”./Monitor

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco