Bujqësia në Shqipëri në kohën e koronavirusit

Bujqësia në Shqipëri në kohën e koronavirusit

12:52, 27/04/2020
A+ Aa A-

Pandemia e Koronavirusit po e vështirëson këtë vit sektorin bujqësor sidomos në sigurimin e fuqisë punëtore dhe daljen e prodhimeve të para në tregje. Fermat e vogla në Qarkun e Gjirokastrës kanë nisur punën, por fermerët thonë se sfidat mbeten të shumta. Ndërkohë specialistët e bujqësisë vlerësojnë se punimi i tokës këtë vit kërkon mbështetje.

Nga Zeri i Amerikes.

Sipërfaqet e tokës bujqësore që po punohet janë të pakta këto ditë në Qarkun e Gjirokastrës ku Pandemia e Koronavirusit prej gati 40 ditësh ka kufizuar shumë aktivitete. Sektori bujqësor gjen vështirësi për sigurimin e fuqisë punëtore, por edhe marëdhëniet me tregjet e vogla per prodhimet që dalin këtë sezon. Resul Pashaj që prej vitesh merret me një fermë për prodhimin e perimeve në Gjirokastër thotë se ky vit është mjaft i vështirë.

“Sivjet është dhe situata e tillë dhe nuk shikon njeri brenda fushave. Në radhë të parë jemi me vonesë, sepse nuk dilnin mekanika bujqësore. Kemi probleme edhe me transportin e punëtorëve, nuk e dimë sa do vazhdojë kjo gjendje, por pa punëtorë kjo sasi fidanësh që po bëjmë nuk arrihet të kultivohet.”

Zoti Pashaj thotë se prodhon në fermën e tij të gjitha perimet e stinës të cilat tregëtohen në qytet. Ai thotë se çmimet e karburantit nuk kanë shënuar ulje që të ndihmonin sektorin bujqësor. Ferma ka nevojë për mbështetje thotë Resuli nga grantet bujqësore të cilat konkretisht mund të ndihmonin që t`i kishte disa nga sfidat më të lehta këtë vit.

Balil Bineri, specialist në Drejtorinë e Shërbimeve Bujqësore thotë se kjo është një situatë e re.

“Është një situatë e re që përkon me një periudhë intensive punësh në bujqësi siç janë mbjellja e kulturave pranverore. Vështirësia qëndron në lëlvizjen e fermerëve, por edhe të mekanizatorëve, vecanërisht e atyre që banojnë në zonat urbane. Ata kanë më tepër vështirësi të kalojnë në ngastrat ku duhet të punojnë”.

Zoti Bineri thotë më tej se mbështetja për sektorin bujqësor është mjaft e rëndësishme për këtë vit.

“Mendoj se duhet të ketë një vëmendje të shtuar për bujqësinë këtë vit. Mund të ndihmohen më tepër fermerët për ujitjen duke kthyer sytë që tani nga rezervuarët të cilët janë të shumtë, por në disa raste nuk janë në funksion, po kështu rrjeti ujitjes. Duhen ndihmuar fermerët me ato aktivitete që shteti dhe bashkitë i kanë për detyrë dhe duhet t`i kushtojnë më shumë vëmendje.”

Zoti Bineri thotë se nuk është e pakapërcyeshme kjo situatë.

“Nuk është një gjë e pakapërcyehsme, me këtë mënyrë jetese dhe rregullat mund të mësohemi dhe të përballojmë punët në bujqësi”.

Sektori bujqësor është një bazë e rëndësishme për ekonominë e Qarkut të Gjirokastrës, i cili prej vitesh vuan pasojat e emigrimit të banorëve. Këto pasoja kanë çuar në rritjen e sipërfaqeve të papunueshme të tokës dhe në zvogëlimin gjithnjë e më shumë të fermave bujqësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

tirana27/04/2020 15:56

Bujqesia duket se edhe kete vit nuk ka as bosht sa i takon planifikimit dhe as mbeshtetjen e duhur me politika mbeshtetese financiare . Kjo vihet re sidomos tek fermeret e vegjel , te cilet me prodhimet e tyre stinore jane nje baze e shume e mire per furnizimin e konsumatorit te vogel ( rrogtar e pensionist ) te qyteteve tona ....

Shto koment

Denonco