Shoqata e Turizmit: Jemi në situatë kritike nga koronavirusi, kërkojmë nga qeveria ...

Shoqata e Turizmit: Jemi në situatë kritike nga koronavirusi, kërkojmë nga qeveria ...

17:03, 14/03/2020
A+ Aa A-

Në kushtet e shtetrrethimit nga koronavirusi, Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike (ATOA) i kanë dërguar një letër me disa kërkesa qeverisë shqiptare.

Shoqata gjykon se ndodhemi përpara një situate shumë kritike për sektorin e turizmit shqiptar, ndërsa vijon më tej duke theksuar se për të shmangur pasojat e rënda dhe kolapsin e bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, duke marrë si shembull edhe masat e marra nga qeveritë e shumë vendeve për të qenë në krah të bizneseve në këtë periudhë të vështirë, kërkojmë një reagim të shpejtë me 4 kërkesa.

Letra e plotë

Më poshtë gjeni letrën zyrtare të dërguar qeverisë nga ATOA me propozimet për masat emergjente në ndihmë të bizneseve të turizmit prej dëmit të shkaktuar nga coronavirusi.

Lënda: Mbi situatën e krijuar nga Coronavirus, COVID-19 dhe masat emergjente në mbrojtje të industrisë së turizmit.

Drejtuar: Sht.Z. Edi Rama

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Z. Blendi Klosi

Ministër i Turizmit dhe Mjedisit

Znj. Anila Denaj

Ministër i Financave dhe Ekonomisë

Z. Eduart Shalsi

Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Z. Erion Veliaj

Kryetar i Bashkisë Tiranë

Të nderuar,

Duke marrë shkas nga epidemia Botërore shkaktuar nga COVID-19 dhe dëmi i saj në turizmin Botëror, që ka ndikim direkt edhe në turizmin shqiptar, Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA) gjykon se ndodhemi përpara një situate shumë kritike për sektorin e turizmit shqiptar.

Duke ndjerë zgjatjen në kohë të kësaj gjendjeje ne mendojmë që vetëm me një ndërhyrje vendimtare nga Qeveria së bashku me përpjekjet që po bëjmë vetë ne aktorët e industrisë mund ta kalojmë këtë situatë tejet të vështirë.

Turizmi është sektori që ka potencialin më të lartë të punësimit, nga ku 93 mijë kanë qenë të punësuarit direkt dhe mbi 291 mijë ishin të punësuarit total në këtë sektor përgjatë 2017, dhe e ardhura totale e turizmit është 1.8 miliard Euro, prandaj në ketë moment në rrezik nuk është vetëm sektori i turizmit, por prej saj edhe ekonomia e vendit.

Në përgjigje të kësaj situate, për të shmangur pasojat e rënda dhe kolapsin e bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, duke marrë si shembull edhe masat e marra nga qeveritë e shumë vendeve për të qenë në krah të bizneseve në këtë periudhë të vështirë, kërkojmë një reagim të shpejtë nga ana e qeverisë dhe marrjen e masave si më poshtë vijon:

1. Pezullimin e pagesës së tatim fitimit minimalisht për një periudhë 3 mujore dhe në vazhdim përshtatjen e llogaritjes së saj me vitin aktual;

2. Subvencionimin e pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-6 mujore;

3. Reduktimin e taksave vendore dhe shtyrjen e afatit të pagesës së tyre të paktën deri në fund të muajit Qershor;

4. Akordimin e granteve ose kredive me interes ‘0%’ për mbështetjen e nevojave për likuiditet të kompanive turistike.

Mbetemi shpresëplotë në marrjen parasysh të kërkesave tona dhe shqyrtimin e tyre me objektivitet.

Me respekt

Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco