Të ardhurat buxhetore, performanca më e keqe që nga viti 2013

Të ardhurat buxhetore, performanca më e keqe që nga viti 2013

19:40, 20/02/2020
A+ Aa A-

Gjatë vitit të kaluar, të ardhurat e buxhetit u rritën me vetëm 2.4%, duke reflektuar gjendjen e vështirë ekonomike të vendit dhe duke shënuar ecurinë më të keqe të parë që nga viti 2013.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit ngecën në nivelin 460 miliardë lekë gjatë vitit 2019 me një rritje minimale prej 2.4% dhe me një deficit në krahasim me planin fillestar të të ardhurave të qeverisë në masën 220 milionë euro. Sipas qeverisë, ekonomia shqiptare u rrit me rreth 3% gjatë vitit të kaluar në terma realë, gjë që sugjeron rritje më shumë se 4.5% në terma nominalë dhe kjo duhej të ishte reflektuar në rritjen e të ardhurave buxhetore, gjë që nuk ndodhi.

Ritmi i rritjes prej 2.4% është më i ulëti i shënuar që nga viti 2013 dhe duket se u shkaktua nga të ardhura më të pakta në zërin më të rëndësishëm, atë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Në vitin 2013, të ardhurat ishin krahasimisht më të ulëta se sa më 2012, gjë që u pasua nga disa vite me rritje të njëpasnjëshme të furnizuar kryesisht nga rritja e taksave dhe tatimeve.

Të ardhurat nga TVSH ishin në vitin e kaluar më të ulëta se sa niveli i viteve 2018 e 2017, gjë që dukshëm vë në diskutim politikën e uljeve selektive të TVSH-së për sektorë të caktuar, si turizmi, gjë që dyshohet se ka krijuar kanale të konsiderueshme të evazionit fiskal. Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka quajtur këto politika të gabuara.

TVSH e rimbursuar gjatë vitit të kaluar ishte në masën 23 miliardë lekë, me një rritje dramatike prej afro 9 miliardë lekësh në krahasim me kuotën e vitit 2018. Të dhënat e shpenzimeve të buxhetit të shtetit sugjerojnë që shumica dërrmuese e këtyre rimbursimeve janë përfituar nga një numër i vogël kompanish.

Në mungesë të të ardhurave të pritshme, qeveria shkurtoi shpenzimet buxhetore, në të njëjtën masë me deficitin, ku pjesa më e madhe e reduktimit u furnizua nga mosrritja e pagave dhe pensioneve dhe mosrealizimi i investimeve publike./BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Titi 20/02/2020 19:46

Shtrengo zoti me termet , shtrengojne miliarderet me te gjitha, biznes nuk ka , njerzit po ikin .....cfare presin keta te mbyshet arka nga tatim - dogane !!!!! Rrofshin cunat me mallit qe ky vend ha buke sot ....priteni edhe kte , dhe hajme njeri tjetrin

Shto koment

Denonco