Tjetër investim 25mln USD në Bulqizë/ Vendburimi i Qafë Buallit garanton të ardhmen minerare

Tjetër investim 25mln USD në Bulqizë/ Vendburimi i Qafë Buallit garanton të ardhmen minerare

10:52, 06/02/2020
A+ Aa A-

AlbChrome ka nisur për vitin 2020 zbatimin e një tjetër projekti madhor minerar, atë të projektimit të punimeve të Hapjes dhe Zhvillimit të Vendburimit të Qafë Buallit.

Faza e parë përfshin projektimin e Planit të Zhvillimit të Vendburimit të Kromit në Thellësi të Zonës së Qafë Buallit, në Bulqizë.

Kosto totale e ndërtimit mbulon investimet e të gjithë punimeve minerare, punimet civile, blerjet e makineri-pajisjeve, etj., dhe bazuar në studimin paraprak, investimi përllogaritet të jetë rreth 25 milion USD dhe periudha e parashikuar për realizimin e tij është rreth 2 vite.

Image

Jetëgjatësia e këtij vendburimi është përllogaritur të jetë rreth 12 vite, me një kapacitet prodhues prej rreth 100.000 ton në vit.

Vendburimi i kromit në Qafë-Buall ndodhet në masivin ultrabazik të Bulqizës, dhe konkretisht rreth 2.2 km deri në 2.5 km më tutje në perëndim të vendburimit të kromit të Bulqizës, në Jug-Lindje të kryqëzimit Bulqizë-Batër.

Punimet e kërkim-zbulimit në Qafë Buall kanë filluar në vitin 1981. Bazuar në punimet e kërkim-zbulimit te SHGJSH,është hartuar projekti për hapjen e vendburimit të Qafë Buallit dhe në vitin 1985 u projektuan dhe filloi hapja e dy traverbankëve A dhe B.

Pas vitit 1995, këto punime u ndërprenë për mungesë fondesh dhe u përmbytën nga ujërat nëntokësore, duke dëmtuar të gjithë infrastrukturën.

Riaktivizimi i punimeve në këtë vendburim filloi në Shtator 2013 nga AlbChrome. Pas riaktivizimit të vendburimit të Qafë Buallit në maj 2015, lindi nevoja e hartimit dhe zbatimit të një projekti të ri kërkim-zbulimi të hollësishëm për të përmirësuar parametrat e projektit fillestar dhe mundësuar vazhdimin e punimeve kapitale për hapjen e minierës në Qafë Buall.

Image

Sipas raportit gjeologjik të hartuar në 2018 nga Shërbimi Gjeologjik i Minierës Bulqizë, rezerva gjeologjike të nxjerrshme në total janë rreth 700,000 ton me cilësi në dalje.

Ky investim vjen pas ndërtimit të pusit 9, me vlerë gati 20.5 milion USD, Traver bankut të Klosit me vlere rreth 5,2 milion USD dhe montimit të makinerisë së re ngritëse në Pusin nr. 3 me vlerë 1.6 milion USD.

Në vitin 2020, AlbChrome ka planifikuar të investojë 10 milionë USD. Investimet do të jenë të fokusuara në: hapjen e vendburimit të Qafë Buallit, zhvillimin e projektit të thellësisë të Minierës së Bulqizës, zbatimin e projektit të sistemit të pluhur-kapjes në UFK Elbasan, në drejtim të teknologjisë dhe automatizimit të uzinave dhe minierës, si dhe në remontin e furrës nr. 3 në UFK Elbasan.

Që nga viti 2013, vlera totale e investimeve të AlbChrome në sektorin minerar në Shqipëri ka prekur shifrën e 55.6 milionë USD, shifër kjo e cila do t’i kalojë 70 milionë USD brenda vitit 2021. Këto investime mekanizojnë proceset në sektorin minerar, duke e bërë më të sigurt punën e punonjësve, si dhe i rrisin jetëgjatësinë sektorit, duke e bërë të qëndrueshëm dhe afatgjatë punësimin në të.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco