Në 1926, kur Shqipëria dha dy konçesione për fabrika birre Foto ilustrim

Në 1926, kur Shqipëria dha dy konçesione për fabrika birre

09:18, 22/01/2020
A+ Aa A-

Në fundin e viteve ’20,në Shqipëri ishte projektuar dhënia e dy koncesioneve për ndërtimin e fabrikave të birrës. Megjithatë, rrethanat do të bënin që vetëm njëra prej tyre të ngrihej e të bëhej funksionale; Birra Korça. Njëra fabrika parashikohej të ndërtohej në Shkodër dhe tjetra në Korçë.

Koncensioni për ngritjen e  një fabrike birre në Shkodër u votua nga parlamenti dhe u dekretua me 26 dhjetor 1926. Marrëveshja u nënshkrua mes qeverisë shqiptare dhe Mark Kakarriqit dhe vëllezërve të tij.  Vëllezërit Kakarriqi kanë qenë biznesmenë të njohur në Shkodër dhe kishin aktivitet ekonomik në shumë sektorë, shkruan Scan. TV.

Më i njohuri ndër ta ishte Mark Kakarriqi, ekonomist i aktivizuar gjithashtu në shtypin e kohës në debatin për zhvillimin e vendit por dhe me një kontribut të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare. Kakarriqi bashkëpunonte me investitorë britanikë por interesi strategjik i këtyre të fundit në Shqipërinë e atyre viteve  do të ndryshonte për shumë arsye e si rrjedhojë do të reflektohej edhe te projektet që ishin në letër.

Marrëveshja e bërë mes Kakarriqit dhe qeverisë shqiptare përbëhej nga 18 nene.

Referuar marrëveshjes, koncesionari detyrohej të fillonte fabrikimin e birrës brenda 18 muajve nga datae shpalljes së koncesionit. Marrëveshja parashikonte përjashtimin nga tagri doganor e taksa të tjera për të gjitha materialet e makineritë për ngritjen e fabrikës. Qeveria, për të ruajtur këtë industri, nga konkurrenca e jashtme angazhohej të vinte një taksë të posaçme mbi birrën që importohej. Ndërkohë, koncesionari detyrohej t’i paguante shtetit një taksë prej 2.75 franga ari për çdo hektolitër birrë të prodhuar.

Eksportimi i birrës do të lejohej kur koncesionari të kishte plotësuar sasinë e kërkuar për konsumin e vendit.

Pas një viti, do të formohej një shoqëri anonime me emrin “Birra Kakarriqi Shkodër” me një kapital prej 750 mijë franga ari. Po ashtu, u hartua edhe statuti i shoqërisë që u dekretua me 1 mars 1928.

Për arsye të ndryshme,  shoqëria kërkoi disa herë zgjatje të afatit, që në fakt iu akorduar nga qeveria. Zgjatjet e afatit u bënë deri me 26 janar 1931, por sërish nuk u arrit ngritja e fabrikës dhe vënia  në funksion e saj.

Haxhi Shkoza tregon se “punimet për ngritjen e një fabrike madhështore në Shkodër filluan me një entuziasëm shembullor e përparuan mjaft por mjerisht mbas pak kohe ato u pezulluan dhe për tash duket i humbur gjithë ai kapital i derdhur për atë qëllim”, shkruan Scan.TV.

Ngritja e kësaj fabrike ishte e lidhur edhe me “fatin” e një fabrike tjetër, Birrës Korça. Kjo e fundit ishte një koncesion që iu dha një shqiptari dhe një italiani për një afat 25 vjeçar. Në rast se do të ngrihej dhe vihej në funksion birra Kakarriqi në Shkodër, atëhere Birra Korça do të përfitonte automatikisht një zgjatje me 10 vite të afatit të koncesionit

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco