Shpenzimet për ushqim 'hanë' pagat, ja sa harxhojnë shqiptarët këtej dhe përtej kufirit

Shpenzimet për ushqim 'hanë' pagat, ja sa harxhojnë shqiptarët këtej dhe përtej kufirit

07:49, 20/01/2020

Familjet shqiptare shpenzojnë më shumë për t’u ushqyer jo vetëm në raport me gjithë vendet e tjera të Europës, por edhe me rajonin.

Mesatarisht, 44% e shpenzimeve shkojnë për ushqime e pije jo alkoolike, sipas INSTAT, gati 4 herë më e lartë se mesatarja europiane. Referuar INSTAT, vlonjatët renditen të parët për peshën e lartë të shpenzimeve për ushqime, e pas tyre Elbasani, Durrësi, Shkodra, ndërsa Tirana mban vendin e 10-të. Pasi sigurojnë ushqimin, dritat, ujin, qiratë, veshjet, mobilimin, familjeve u mbeten më pak para se fqinjët për të udhëtuar, argëtuar, për pushime etj.

Familja Kusi në kryeqytet është e përbërë nga 3 pjesëtarë të rritur në marrëdhënie pune me të ardhura mujore të konsiderueshme. Kryefamiljarja, Elmira, thotë për “Monitor Ekonomi”, emisioni që transmetohet çdo të hënë në “News 24”, se gati gjysma e të ardhurave mujore shkojnë për ushqime.

“Shuma e të të ardhurave të të treve shkon deri në një 120 mijë lekë në muaj. Nga këto, 60 mijë lekë shkojnë vetëm për të ngrënë. Shpenzohet shumë për ushqimin, pasi çmimet këtu tek ne nuk janë asnjëherë stabël, por një ditë janë më ulëta e të nesërmen ndryshojnë prapë. Po na duhet të kemi dhe diçka për shtëpi, ose ndonjë lek për raste festash, ose në rast sëmundjeje. Energjia elektrike luhatet sipas sezonit, por ka raste në dimër që shkonin 12 mijë lekë. Uji ka arritur kulmin, 3 mijë lekë.” 

Kosovë e Maqedoni

Ky raport i shpenzimeve, ndryshon shumë, në krahasim me vendet fqinje. Referuar shifrave zyrtare të institucioneve statistikore përkatëse, në Kosovë 36.8% e totalit të të ardhurave dhe në Maqedoni 34.8% i dedikohen ushqimeve, ndërkohë që edhe shpenzimet e tjera të detyrueshme janë më të ulëta. ‘Monitor Ekonomi’ iu drejtua Prishtinës dhe Shkupit për të sjellë një pasqyrë të zërave të shpenzimeve të familjeve atje.

Visar Ballovci kryefamiljar në Kosovë thotë se të ardhurat e tij personale janë 600 euro, ndërsa të ardhurat totale të familjes arrijnë rreth 1000 euro.

“Dritat i paguajmë gjatë verës 25 euro, ndërsa në dimër shkojnë edhe 45 euro. Ujësjellësin e paguajmë 10 euro. Ushqimet ne i blejmë një herë në muaj dhe shpenzojmë deri në 150 euro. Duke bërë një përmbledhje të të gjitha këtyre ne familjarisht detyrime paguajmë deri në 300 euro, pjesën tjetër e kursejmë. Duhet të them që një familje këtu në Prishtinë me të ardhura 600 euro ia del që të jetojë mirë”.

Në lagjen Dizhon në Shkup apo lagjen e shqiptarëve, na pret ish mësuesi Bedri Bela në familjen e përbërë nga 7 anëtarë. Të ardhurat e tij janë 16 mijë dinar ose 250 euro. Totali i të ardhurave familjare, me djalin që tregton dhe bashkëshorten që merret me shërbime shtëpiake arrijnë në rreth 600 euro. Ai thotë se duhen mesatarisht 400 euro për të plotësuar nevojat mujore, përfshirë detyrimet.

“Më pak se gjysma e këtyre shkojnë për ushqime, për dritat paguajmë deri në 50 euro. Arrijmë t’ia dalim kështu por, do përdorja një shprehje që thotë se këmbët duhet t’i shtrijmë sa kemi jorganin”.

Europë

Familjet europiane shpenzojnë mesatarisht për ushqime 12,2% të buxhetit, sipas Eurostat. Për të gjithë Ballkanin, shtetet shqip-folëse mbajnë shifrat më të larta dedikuar për këtë kategori. Referuar Shqipërisë, dhe duke bërë krahasimin me Shkupin e Prishtinën çmimet për ushqimet e shportës janë shumë më të larta, po ashtu edhe detyrimet mujore për energji apo ujë.

Kuksianët bëjnë pazar në Prizren

Leverdia e kostos më të ulët te fqinjët është shfrytëzuar nga qytetarët e Kukësit. Ata thonë se tani që euro ka pësuar ulje dhe rruga është e shtruar, është më e përshtatshme të bëjnë pazaret atje. Po ashtu një arsye tjetër është edhe karburanti më i lirë, si edhe larmia  e produkteve krahasuar me Kukësin. INSTAT raportoi se në vitin 2018, Kukësi, ndonëse rajoni më i varfër për të ardhurat, është prefektura që shpenzoi më pak për t’u ushqyer.

Por nga ana tjetër, ka një rritje të shpenzimeve për karburant si pasojë e lëvizjeve të shpeshta. Por sërish për ta është më e leverdisshme, pasi një litër naftë në Kosovë e blejnë afro 1.1 euro (130-135 lekë) , ndërsa në Shqipëri deri në 180 lekë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco