Biznesi gjerman në Shqipëri: Emigrimi masiv është problem i madh

Biznesi gjerman në Shqipëri: Emigrimi masiv është problem i madh

19:00, 15/01/2020

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizoi pritjen e përvitshme të DIHA-s, për të diskutuar mbi aktualitetin ekonomik në Shqipëri me përfaqësues të biznesit dhe politikës.

Si një shoqatë që ka në fokus të saj, përmirësimin e kushteve ekonomike, të cilat janë bazë për nxitjen e investimeve, tregtisë dhe shërbimeve në Shqipëri, si dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, DIHA ndjek me vëmendje zhvillimet në vend dhe ofron mbështetjen e saj për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin rreth 100 pjesëmarrës, ndër të cilët Ministra, Kryetarë të Komisioneve Parlamentare, përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Shqipëri, të organizatave ndërkombëtare si OSCE, GIZ, EBRD si dhe aktorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, të cilët u përshëndetën nga Presidentja e DIHA-s, Stephanie Sieg, Ambasadori Gjerman, z. Peter Zingraf dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj.

Në fjalën e saj, znj. Sieg përmendi faktin se zhvillimi i vazhdueshëm i Shqipërisë është për të gjithë një faktor shumë i rëndësishëm dhe domethënës. Sipas saj, disa sektorë të ekonomisë, si turizmi dhe energjia e rinovueshme janë në rrugë të mbarë zhvillimi. Megjithatë emigrimi i vazhdueshëm i forcave të kualifikuara të punës mbetet një problem shumë i rëndësishëm i kompanive anëtare të DIHA-s. Ajo u shpreh se DIHA është e gatshme të bashkëpunojë me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe atë të Arsimit, për të gjetur mënyra që shqiptarët të mund të shohin të ardhmen e tyre profesionale brenda Shqipërisë. Gjithashtu, ajo theksoi se investimet në fushën e infrastrukturës, veçanërisht në rehabilitimin dhe ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Rinas-Tiranë si dhe ndërtimi i mëtejshëm i rrugëve do të përmirësojë sistemin e transportit publik dhe do të pakësojë ndotjen e mjedisit.

Ambasadori Gjerman, z. Peter Zingraf, përshëndeti gjithashtu të ftuarit dhe theksoi në fjalën e tij se: “Çdo investitor i mundshëm do të marrë vendimin final për të investuar vetëm nëse ai/ajo është i/e sigurt që do të gjejë një mjedis të favorshëm biznesi. Mënyra për të ecur përpara me bisedimet e pranimit në BE përfshin pikërisht elementet që janë thelbësore për çdo investitor, për krijimin e më shumë historive të suksesit dhe, rrjedhimisht, për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Për vitin 2020 do të doja të inkurajoja të gjithë zyrtarët qeveritarë dhe ligjbërësit që të vazhdojnë në rrugën e reformave dhe të marrin seriozisht shqetësimet e komunitetit të biznesit."

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco