Kasat fiskale/ Masat s'dhanë efekt për uljen e evazionit, 50% e ekonomisë informale

Kasat fiskale/ Masat s'dhanë efekt për uljen e evazionit, 50% e ekonomisë informale

19:24, 12/01/2020

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kritikuar politikën e kasave fiskale dhe qeverinë për mungesën e një strategjie të qartë, pasi sipas këtij institucioni ka ecur me fushata. 

Në raportin e publikuar për 'efektivitetin e kasave fiskale në rritjen e të ardhurave tatimore', KLSH-ja ngre një sërë problematikash. Fillimisht sipas KLSH-së, ekonomia informale në Shqipëri përllogaritet rreth 50%, çka përbën sfidë dhe kosto për ekonominë kombëtare, qeverinë dhe bizneset e ndershme.

KLSH-ja deklaron se përdorimi i pajisjeve fiskale është interpretuar nga organet shtetërore si "shkopi magjik", por në fakt sipas saj nuk kanë pasur efektivitet në rritjen e të ardhurave tatimore në Buxhetin e Shtetit.

"Shuma prej 46.5 milionë euro të shpenzuara për 27 lloje të kasave fiskale në përdorim, nuk ka sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm në të ardhurat tatimore nga TVSH e brendshme apo nga Tatimi i Fitimit.  Nga nr. prej 155 mijë kasave të instaluara gjithsejt, 3/4 e kasave fiskale janë të vendosura në subjektet tatimpagues të regjistruar si biznes i vogël", thuhet në raport.

Pavarësisht trumbetimit, KLSH thotë në raport se në krahasim me vitin 2009, ka rënë ndjeshëm pesha e të ardhurave nga TVSh, që mblidhet nga tatimet. "Në vitin 2009, tatimet mblidhnin 30% të TVSH-së totale, ndërsa për periudhën 2010-2018, pesha mesatare e TVSH-së së mbledhur nga tatimet ishte 24%.

Ashtu si në periudhë para implementimit të kasave fiskale, mbi 76% e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar arkëtohet në dogana nga mallrat e importit, ndërkohë që vlera e shtuar është shumë më e lartë nga importi i mallrave deri te shitja finale. Pavarësisht rritjes së xhiros së raportuar nga kasat, ajo që konstatohet në periudhën 2017-2018 është ulja e raportimit mesatar për kupon".

KLSH kritikon Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Tatimeve se nuk kanë pasur objektiva dhe një Strategji për pajisjet fiskale si pjesë e një përmirësimi gjithëpërfshirës të luftës kundër evazionit fiskal, që do të përcaktonte qartë risqet për segmentet e ndryshme të tatimpaguesve dhe parashikonte masa për zbutjen e këtyre risqeve. "Kontrollet e ushtruara nga Administrata Tatimore Qendrore në subjektet tatimpagues për përdorimin e pajisjeve fiskale, janë organizuar me fushata, ndërsa masat shtrënguese nuk kanë dhënë efektin e pritshëm në uljen e evazionit tatimor nëpërmjet  rritjes së të ardhurave tatimore nga TVSh e brendshme apo tatimi mbi fitimin".

Por cilat janë problemet që janë evidentuar në raportin e KLSH-së:
Në mënyrë të sintetizuar, problematikat kryesore të konstatuara nga ky auditim performance janë:

- Si institucioni përgjegjës për financat dhe ekonominë e vendit, MFE nuk ka përcaktuar detyra konkrete mbi menaxhimin dhe monitorimin e mbarëvajtjes së sistemit të kasave fiskale, monitorimin ndaj DPT në lidhje me objektivat e kësaj të fundit, në mbarëvajtjen e sistemit të kasave fiskale;

- Nuk janë vendosur objektiva të qarta dhe përfitimet që do të kishte nga sistemi i kasave fiskale, si dhe nuk janë përcaktuar tregues për performancën e sitemit në vijimësi. Vendosja e objektivave është hapi i parë më i rëndësishëm për implementimin e sistemeve të paisjeve fiskale.

- Zgjerimi i përdorimit të kasave fiskale ka krijuar iluzionin e një mekanizmi të përmirësuar të rritjes së të ardhurave tatimore, por faktikisht ndikimi i tyre ka qenë i dobët në rritjen e të ardhurave tatimore. Kërkesa për tatimpaguesit që të raportojnë shumën e xhiros në fund të ditës le shkas për raportim të pasaktë të xhiros së realizuar nga ana e tyre. Dhe për fshehjen e xhiros së realizuar.

- Mungesa e një modeli të suksesshëm për reduktimin e evazionit fiskal, së bashku me zbatimin efektiv të përdorimit të kasave fiskale që është i përhapur dhe i dukshëm, do të vazhdojë të pengojë përmirësimet e ndjeshme në rritjen e të ardhurave.

- Duhet theksuar se politikë-bërja në çështjen e kasave është fokusuar më shumë në aspektet teknike të kasave dhe të rritjes së masave ndëshkimore për tatimpaguesit në rastet e mospajisjes me kasë fiskale dhe të moslëshimit të kuponit tatimor; kështu për periudhën 2017 – 2018 janë konstatuar 9 348 raste të shkeljeve për kasat fiskale, për të cilat DPT ka aplikuar gjoba në vlerën prej 536 milion lekësh ose rreth 4.3 milion €, që përbëjnë pothuaj 10 % të shpenzimeve gjithsejt të bëra për kasat fiskale që nga fillimi i implementimit në v .2010..

- Të dhënat e sistemit të kasave fiskale kanë potencialin për t'u bërë një burim i besueshëm i treguesve ekonomikë për vendimmarrësit dhe rregullatorët e politikave, lehtësimin e kontrolleve, etj. avantazhe të cilat nuk është shfrytëzuar nga MFE dhe DPT.

Bazuar në përvojën e vendeve të zhvilluara në përpjekjet për të luftuar ekonominë informale Qeveria ka ndërmarrë një nismë për modernizimin e sistemit të monitorimit të taksave.

Qëllimi përfundimtar i sistemit të ri të fiskalizimit është rritja e të ardhurave buxhetore dhe zbatimi i kontrollit efektiv mbi transaksionet cash dhe jo cash në Republikën e Shqipërisë, duke krijuar faturën elektronike, e-invoice, me qëllim gjurmimin dhe identifikimit në kohë reale të transaksioneve që kryen biznesi.

Projekti synon që të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Përmirësimi i modulit të menaxhimit të kontrollit të faturimit bart edhe risqe, më kryesoret do të vlerësonim:

Miratimi jo në kohë i ndryshimeve ligjore dhe akteve nënligjore, i cili vështirëson realizimin e kërkesave të projektit;

Mospërshtatja e sistemit të ri me pajisjet fiskale aktuale dhe integrimi me sistemin bazë të tatimeve gjë e cila do të shoqërohet me rritje të kostos për bizneset;

Mungesa e bashkëpunimit dhe reagimi negativ i aktorëve kryesorë të këtij projekti jashtë administratës tatimore (tatimpaguesit, shoqëritë e autorizuara etj.);

Mungesa e bashkëpunimit nga aktorët kryesor për ndërtimin e regjistrit të pasurive të luajtshme/paluajtshme dhe të institucioneve financiare.

Implementimi i sistemit të ri për bizneset që ushtrojnë aktivitetin në zonat rurale, etj…/Shqiptarja.com

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Tatimori12/01/2020 22:04

Nuk është faji sistemit të pajisjeve fiskale. Gjithë Europa me të punon.Por e vërteta është nga faktori subjektiv.subjektiv . faktori njeri.Nga viti 2011 e vijim administrata tatimore mori tjetër kurs.Atë të futjes së duarve në xhepat e bizneseve.Kjo U thellua na viti 2013-14 dhe arriti fundin,ku U mbyll 2019.Bëni një apel dhe do shihni që punojnë e drejtojnë njerëz që vetëm tatimet nuk njohin.

Shto koment

Denonco