Si në vitin 2000/ Tkurret konsumi, inflacioni zbret në 1.1%, ekspertët japin alarmin

Si në vitin 2000/ Tkurret konsumi, inflacioni zbret në 1.1%, ekspertët japin alarmin

20:21, 10/01/2020
A+ Aa A-

2019-ta ishte një vit i vështirë jo vetëm për ekonominë, por edhe për xhepat e shqiptarëve. Dhjetori, që zakonisht është muaji kur shpenzohet pasi përkon me festat e fundvitit, ka rezultuar zhgënjyes për tregtarët, teksa blerësit kanë qenë të stepur edhe për shkak të tërmetit.

Situata në tregje mbështetet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave dhe Bankës së Shqipërisë. Inflacioni në dhjetor të 2019 zbriti në 1.1%, çka tregon një rënie drastike të konsumit. Ekspertët e ekonomisë deklarojnë se situata është alarmante dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

“Është shumë larg objektivit të Bankës së Shqipërisë që është në nivelet 2-4%. Dhe natyrisht ajo që është për t’u shqetësuar në këtë moment dhe për t’u analizuar si shifër e inflacionit është fakti që megjithëse BSH ka bërë disa herë ulje të normës bazë të interesit, duke ardhur në nivele minimale historike, përsëri efekti në inflacion është pothuajse i pandjeshëm”, deklaroi eksperti për ekonominë, Adrian Civici.

Banka Qendrore në raportin e fundit, tregon se besimi në ekonomi ka rënë në nivelin më të dobët të 3 viteve të fundit. Kjo përkthehet në mundësinë që konsumi i ulët të vërë në rrezik ekonominë edhe gjatë këtij viti. Të dhënat tregojnë se rënien më të fortë e kanë pasur konsumatorët si dhe bizneset që operojnë në fushën e tregtisë dhe shërbimeve, teksa situata paraqitet pesimiste edhe për sektorin e ndërtimit. 

Mesatarja e gjithë vitit 2019 ishte 1.4 për qind, më e ulëta nga viti 2000, kur inflacioni zbriti dhe në nivele negative për shkak të efektit nga eksodi i shtetasve të Kosovës (për shkak të luftës me Serbinë), që ndikoi në rritjen e prurjeve valutore dhe ndihmave. Më pas inflacioni u përshpejtua, duke kaluar dhe 4% në 2010-2011, për të rënë sërish në vitet e mëpasshme poshtë 3%.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco