Shqipëria nuk përfitoi nga taksa e Kosovës ndaj Serbisë

Shqipëria nuk përfitoi nga taksa e Kosovës ndaj Serbisë

07:56, 25/11/2019
A+ Aa A-

Për 10 muajt e parë të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës produkte me vlerë prej rreth 204 milionë euro. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet u zgjeruan me gati 13%. Por, pas një nisjeje të mirë në muajt e parë të vitit, ritmi i tyre u ngadalësua ndjeshëm në vijim.

Tregu i lënë bosh nga Serbia, pasi Kosova vuri taksë 100% për produktet e saj, duket se nuk është arritur të shfrytëzohet nga prodhuesit shqiptarë, teksa eksportet në 2019-n u rritën shumë më pak se dy vitet e mëparshme, kur ndryshimi vjetor në 2017 dhe 2018 për të njëjtën periudhë ishte përkatësisht 30 dhe 27%, sipas të dhënave të INSTAT.

Produkti më i eksportuar në Kosovë është giza dhe çeliku, me 38% të totalit. Arif Shkalla, drejtor finance i Kurum, thotë se ata përfituan nga bllokimi i tregtisë me Bosnjën pasi konkurrenti kryesor i tyre ishte ArcelorMittal. Gjithsesi, ndonëse në sasi është eksportuar më shumë, kompania është penalizuar nga rënia e çmimit të metaleve, duke bërë që rritja me bazë vjetore për 10 mujorin të jetë zero.

Grupi i dytë është ai i lëndëve djegëse, me 13% të totalit. Për periudhën janar-tetor të këtij viti, eksportet e këtij grupi u zgjeruan me 7.6%, që ka ardhur nga rritja e shpejtë në muajt e parë të vitit, por me pas me bllokimin e aktivitetit të rafinerisë së ARMO, tendenca u ngadalësua ndjeshëm.

Grupin e tretë e përbëjnë produktet e gëlqeres dhe çimentos, që përbëjnë 9% të totalit, me një rritje prej gati 10% me bazë vjetore.

Eksportet e frutave, pijeve alkoolike etj kanë shënuar një rritje të lartë dyshifrore prej rreth 30%, por ato mbeten të ulëta, duke përbërë vetëm 3% të totalit të eksporteve drejt Kosovës./MONITOR

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco