Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Fiskalizimi, ndryshon limiti i arkës, ja si do të jenë faturat nga 1 prilli

Fiskalizimi, ndryshon limiti i arkës, ja si do të jenë faturat nga 1 prilli

07:16, 31/10/2019
A+ Aa A-

Ministria e Financave ka përfunduar draftin e ri të fiskalizimit “Për faturën dhe sistemin e ri të monitorimit të qarkullimit”, i cili u rishikua pas konsultimeve të shumta që u bënë me bizneset në periudhën gusht-tetor. Ky ligj sjell një revolucion në sistemin e faturimit, i cili do të jetë shumë i avancuar dhe çdo transaksion do të transmetohet online në momentin që ndodh dhe jo një herë në ditë siç ndodh aktualisht, përmes sistemit ekzistues të kasave fiskale.

Ky ligj, sipas objektit të tij, përcakton dhe rregullon detyrimin për lëshimin e faturave për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve, tatimpaguesit që lëshojnë fatura, përmbajtjen e faturës, procedurat për lëshimin e faturës, detyrimin për lëshimin e faturës elektronike në transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, zbatimin e procedurës së fiskalizimit, detyrimin për t’u regjistruar të prodhuesve dhe mirëmbajtësve të zgjidhjeve softuerike, procedurën e marrjes së informacionit të pagesave pa para në dorë për faturat elektronike të lëshuara, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji.

Në krahasim me draftin fillestar janë dy ndryshimet kryesore.

Së pari është afati i zbatimit të përdorimit të detyrueshëm të faturave elektronike, që nuk është më i janari, por shtyhet me tre muaj. “Drafti i ri fillon të zbatohet nga data 01.04.2020, me përjashtim të dispozitave për përdorimin e detyrueshëm të faturave elektronike në transaksionet me organet publike të përcaktuar në që fillojnë të zbatohen nga data 01.01.2021, të dispozitave për përdorimin e detyrueshëm të faturave elektronike për pagesat pa para në dorë të përcaktuar në nenin 24 të këtij ligji të dispozitave për faturat shoqëruese të përcaktuara në Kreun XII të këtij ligji dhe të regjistrimeve të pagesave pa para në dorë të përcaktuar në nenin 39 të këtij ligji, që fillojnë të zbatohen nga data 01.07.2021”.

Së dyti, ndryshojnë përcaktimet për limitin e arkës, që nuk është më fiks për bizneset e mëdha, por do të jetë në varësi të xhiros. Konkretisht:

Tatimpaguesi që lëshon fatura, përveç në rastet e përcaktuara në nenin 37, pika 2 të këtij ligji, mund të mbajë para cash (kartëmonedha dhe monedha) në arkën e vet në fillim të çdo dite pune, deri në shumën maksimale të arkës. Shuma e parave cash është shuma fillestare e parave (kartëmonedha dhe monedha) që tatimpaguesi mund të ketë në arkën e tij në fillim të ditës së punës ose të ndërrimit të çdo operatori. Shumën maksimale të parave cash e përcakton tatimpaguesi që lëshon fatura, në mënyrë të pavarur, duke nxjerrë një akt të brendshëm, në përputhje me nevojat dhe kushtet e sigurisë, por kjo nuk mund të jetë më shumë se maksimumi i përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.

Kriteri për përcaktimin e shumës maksimale të arkës së tatimpaguesit që lëshon fatura, është madhësia e tatimpaguesit që lëshon fatura, në përputhje me legjislacionin tatimor. Bazuar në këtë kriter, tatimpaguesi që lëshon fatura, mund të caktojë shumën maksimale të parave cash në arkë, në mënyrën e mëposhtme:
a) tatimpaguesit me qarkullim vjetor gjatë vitit të kaluar deri në 2 milionë lekë, deri në 55,000 lekë;
b) tatimpaguesit me qarkullim vjetor gjatë vitit të kaluar mbi 2 milion lekë dhe deri në 8 milion lekë, deri në 250,000 lekë;
c) tatimpaguesit me qarkullim vjetor gjatë vitit të kaluar mbi 8 milion lekë, deri në 500,000 lekë ose 2 % të qarkullimit vjetor të vitit të kaluar, cilado qoftë vlera më e lartë.

Në rastet kur një tatimpagues fillon veprimtarinë gjatë vitit kalendarik, limiti i arkës është shuma në përputhje me shkronjat “a”, “b” dhe “c” të kësaj pike, referuar shumës së qarkullimit të  parashikuar deri në fund të vitit.

Shuma maksimale e arkës përcaktohet për tatimpaguesin që lëshon fatura në tërësi, dhe brenda kësaj shume, tatimpaguesi që lëshon fatura, mund të përcaktojë maksimumin e parave kesh në arkë, për çdo njësi të organizimit ose vendi të ushtrimit të aktivitetit të biznesit.
Shuma maksimale cash e arkës sipas pikës 2 të këtij neni nuk zbatohet për bankat dhe institucionet e tjera financiare jo-bankare.
Tatimpaguesi që lëshon fatura, që kryen transaksione këmbimi monedhe, pavarësisht nga dispozitat e pikave 2 dhe 3 të këtij neni, mund të përcaktojë maksimumin e arkës deri në shumën prej 1,700,000 lekë.
Tatimpaguesi që lëshon fatura, detyrohet në fillim të çdo dite pune, dhe para lëshimit të faturës së parë, nëpërmjet lidhjes elektronike (internet) të vendosur me Administratën Tatimore Qendrore që e përdor për zbatimin e procedurës së fiskalizimit, të paraqesë informacionin mbi shumën fillestare të parave kesh në arkë për çdo pajisje elektronike të faturimit. Tatimpaguesi duhet të paraqesë në të njëjtën mënyrë edhe çdo ndryshim të shumës së parave cash në arkë gjatë ditës së punës.

A do të ndryshohen kasat

Ligji i ri parashikon pajisjen fiskale, e cila do të duhet të bëjë raportimin në çast të çdo transaksioni. Operatorët e kasave kanë pohuar se një pjesë e kasave ekzistuese mund të përshtaten, por një pjesë e madhe e tyre do të dalin jashtë funksionit.

Sipas përcaktimeve të ligjit, pajisja fiskale përbëhet nga:

a) pajisja elektronike e faturimit, që përdoret për lëshimin e faturave për shitjen e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve, me memorie për regjistrimin e të dhënave fiskale në faturat e lëshuara për pagesa që kryhen me para në dorë; dhe/ose
b) pajisja elektronike për lëshimin e faturës shoqëruese, me memorie për regjistrimin e të dhënave fiskale në faturat shoqëruese të lëshuara; dhe/ose
c) printeri për lëshimin e faturave nëpërmjet pajisjes elektronike të faturimit ose për lëshimin e faturës shoqëruese, në rast se printeri nuk është pjesë e pajisjes elektronike të faturimit ose pajisjes elektronike; dhe/ose

ç) çdo pajisje elektronike që përdoret për të përpiluar dhe lëshuar fatura për shitjen e mallrave apo ofrimin  e shërbimeve për pagesa që kryhen pa para në dorë; dhe/ose

d) çdo pajisje elektronike e përdorur për të regjistruar pagesa pa para në dorë të faturave elektronike;

Krahas pajisjet fiskale do të duhet dhe aplikacioni, ose zgjidhja sorftuerike në formën e një aplikacioni individual, ose një sistemi të integruar kompjuterik, ose një aplikacioni Cloud, që mundëson:

a) përpilimin e faturës ose faturës shoqëruese, futjen e të gjithë elementeve të domosdoshëm të faturës ose faturës shoqëruese;
b) identifikimin e operatorit që lëshon faturën ose faturën shoqëruese;
c) nënshkrimin elektronik;

ç) lëshimin dhe pranimin e faturave elektronike;

d) transferimin automatik të të dhënave në Administratën Tatimore Qendrore dhe pranimin e informacionit konfirmues nga Administrata Tatimore Qendrore, pas verifikimit automatik të çdo fature ose fature shoqëruese;
dh) ruajtjen e të dhënavenë memorie;
e) masa të tjera për procedurën e fiskalizimit;

Një tjetër element është nënshkrimi elektronike, ose zgjidhja softuerike, në formën e një aplikacioni individual, ose një sistemi të integruar kompjuterik ose një aplikacioni Cloud, që mundëson nënshkrimin elektronik, transferimin automatik të të dhënave në Administratën Tatimore Qendrore dhe pranimin e mesazhit konfirmues nga Administrata Tatimore Qendrore, pas verifikimit automatik të mesazhit të pagesës së një fature elektronike;

Binzeset duhet gjithashtu që të kenë internet. Ligji parashikon ngritjen e sistemit të komunikimit ndërmjet tatimpaguesit që lëshon fatura ose fatura shoqëruese dhe Administratës Tatimore Qendrore, ose ndërmjet bankave, institucioneve financiare dhe ndërmjetësve të tjerë që ofrojnë shërbime pagese të faturave elektronike dhe Administratës Tatimore Qendrore, nëpërmjet rrjetit të sigurtë për transferimin elektronik të të dhënave përmes internetit.

Tatimpaguesit që duhet të lëshojnë faturë

Tatimpaguesit që duhet të lëshojnë faturë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i realizuar në vitin paraardhës ose në atë aktual janë:

a) personat juridikë dhe fizikë, të cilët janë tatimpagues të tatimit mbi fitimin, në përputhje me ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”;
b) personat juridikë dhe fizikë të cilët janë tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, në përputhje me ligjin “Për sistemin e taksave vendore”;
c) personat juridikë dhe fizikë, pavarësisht nga forma e organizimit, përfshirë organizatat jofitimprurëse, njësitë e zbatimit të projekteve, organet publike qendrore e vendore, organizatat politike dhe institucione të tjera të ngjashme, të cilat ushtrojnë veprimtari ekonomike në përputhje me ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”;

ç) çdo person juridik ose fizik, rezident ose jorezident, pavarësisht nga forma e organizimit, kur furnizon mallra ose shërbime për organet  publike. Përjashtimisht, në situatën e parashikuar në nenin 7, pika 2 e këtij ligji, ata nuk janë të detyruar të lëshojnë fatura kur një organ publik i nënshtrohet TVSH-së dhe ka detyrimin të lëshojë një faturë si marrës i mallrave ose shërbimeve;

d) personat juridikë dhe fizikë jorezidentë për furnizimin e mallrave ose ofrimin e shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, kur, në përputhje me legjislacionin tatimor të përmendur në pikat “a”, “b” dhe “c” të këtij neni, i nënshtrohen detyrimeve tatimore në Republikën e Shqipërisë, vetë ose përmes një përfaqësuesi tatimor.

Tatimpaguesit që përjashtohen nga detyrimi për të lëshuar faturë

Si përjashtim nga neni 4, i këtij ligji, fatura nuk lëshohet nga tatimpaguesi për llojet e veprimtarive dhe për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve, si më poshtë:
a) prodhuesit bujqësorë, që janë subjekte të skemës së kompensimit në përputhje me ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”;
b) shitjen e biletave ose kuponave nga shoferi i një mjeti transporti pasagjerësh në linjat e transportit publik urban, në përputhje me vendimet e njësive të vetëqeverisjes vendore;
c) furnizimin e mallrave dhe shërbimeve nga persona fizikë të regjistruar në administratën tatimore si “ambulantë”.
Krahas përjashtimeve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, zbatohet edhe përjashtimi nga detyrimi për të lëshuar faturë përcaktuar në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.

Të dhënat e përgjithshme të faturës

Fatura e lëshuar përpilohet në formën e caktuar në udhëzim nga Ministri përgjegjës për financat dhe përmban, të paktën, informacionin e mëposhtëm:
a) titullin “Faturë tatimore”;
b) datën dhe kohën e lëshimit të faturës (orën, minutat dhe sekondat);
c) numrin e faturës;

ç) numrin unik të identifikimit të shitësit;

d) emrin e tatimpaguesit/emrin dhe mbiemrin e shitësit;
dh) adresën e shitësit;
e) numrin unik të identifikimit të blerësit, emrin e tatimpaguesit/emrin, mbiemrin dhe adresën e blerësit. Këto të dhëna janë të detyrueshme vetëm në rast se blerësi është:
tatimpagues, subjekt i tatimit mbi fitimin, tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, ose subjekt i TVSH-së, në përputhje me ligjet përkatëse; ose
person juridik; ose

person që blen pronë personale me vlerë individuale mbi 500 000 lekë; ose

në raste të tjera, kur blerësi kërkon shënimin e këtyre të dhënave në faturë.

ë) kodin e operatorit sipas nenit 3, pika “g”, e këtij ligji, të përcaktuar në përputhje me nenin 15 të këtij ligji;

f) kodin e vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit sipas nenit 3, pika “ll”, e këtij ligji, të përcaktuar në përputhje me nenin 14 të këtij ligji;
g) datën ose periudhën, në të cilën furnizimi i mallrave ose shërbimeve është kryer, ose datën në të cilën është kryer pagesa në llogarinë e referuar në pikën 1 të nenit 7 të këtij ligji, për sa kohë kjo datë mund të përcaktohet dhe në qoftë se kjo datë është e ndryshme nga data e lëshimit të faturës;
gj) sasinë dhe përshkrimin e mallrave ose shërbimeve të furnizuara dhe çmimin për njësi;
h) vlerën e plotë;
i) rritjet ose zbritjet e tjera të zbatuara (informacion mbi kompensimin ose pagesën, nëse është rasti);
j) vlerën totale për t’u paguar;
k) të dhënat e pagesës, përfshirë mënyrën e pagesës (kartëmonedha dhe monedha, kartë, çek, transaksion bankar, urdhër pagesë, para elektronike, mënyra të tjera të pagesës pa para në dorë), monedhën dhe kursin e këmbimit nëse fatura nuk është e shprehur në monedhën kombëtare shqiptare (LEK), dhe afatin e pagesës, në rast se pagesa nuk kryhet në çastin e lëshimit të faturës;
l) numrin identifikues të veçantë të faturës (NIVF), të shprehur si shenjë alfanumerike;
ll) numrin e sigurisë së lëshuesit të faturës (NSLF), të shprehur si shenjë alfa numerike; dhe
m) kodin QR që përmban të dhënat e përcaktuara me udhëzim të Ministrit përgjegjës për financat.

Regjistrimi i faturave në librin e shitjes dhe librin e blerjes

Duke u mbështetur në të dhënat e paraqitura në Administratën Tatimore Qendrore për të gjitha faturat e shitjeve dhe blerjeve, nëpërmjet procedurës së fiskalizimit të faturave, për çdo tatimpagues që lëshon faturë në pajtim me këtë ligj, sistemi informatik i Administratës Tatimore Qendrore gjeneron një libër të shitjeve dhe një libër të blerjeve, që janë në dispozicion në platformën qendrore të faturave, në llogarinë e tatimpaguesve që lëshojnë faturë.
Çdo tatimpagues që lëshon faturë duhet të shqyrtojë të dhënat në librin e shitjeve dhe librin e blerjeve të përmendur në pikën 1 të këtij neni, deri në ditën e 10-të të muajit, për faturat e lëshuara dhe pranuara, që i përkasin muajit paraardhës, dhe nëse është e nevojshme t’i plotësojë ato me informacion shtesë, dhe pas përfundimit të kësaj procedure, të konfirmojë saktësinë e të dhënave.
Libri i shitjeve dhe libri i blerjeve në platformën qendrore të faturave, duhet të jenë në dispozicion të tatimpaguesit që lëshon fatura gjatë gjithë afatit kohor të përcaktuar për ruajtjen e faturave, sipas dispozitave të parashikuara në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.
Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim procedurat për ndryshimin dhe plotësimin e të dhënave në librin e shitjeve dhe librin e blerjeve dhe procedurat e tjera të përcaktuara nga ky nen.

Pajisjet fiskale dhe zgjidhja softuerike për zbatimin e procedurës së fiskalizimit

Të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë fatura, të cilët shesin mallra në aktivitetin e shitjes me pakicë, ose ofrojnë shërbime në vende apo njësi të hapura për publikun, ose kryejnë çfarëdo veprimtarie tjetër ekonomike, dhe për furnizimin e këtyre mallrave ose shërbimeve lëshojnë fatura të paguara me para në dorë, duhet të instalojnë pajisjet elektronike të faturimit apo të sigurojnë pajisje të lëvizshme elektronike të faturimit, printer (nëse ky nuk është pjesë integrale e pajisjes elektronike të faturimit), dhe të përdorin një zgjidhje të certifikuar softuerike sipas nenit 3, pika “k”, e këtij ligji, përveç nëse ata kryejnë ekskluzivisht veprimtari ekonomike dhe furnizojnë mallra dhe shërbime të cilat janë të përjashtuara nga detyrimi i lëshimit të faturës, në përputhje me nenin 5 të këtij ligji.
Tatimpaguesi që lëshon faturë në përputhje me pikën 1 të këtij neni, për qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturave të lëshuara, detyrohet që për çdo transaksion të lëshojë një faturë përmes përdorimit të sistemit fiskal.
Sistemi fiskal i referuar në pikën 1 të këtij neni duhet të mundësojë nënshkrimin elektronik të çdo fature duke përdorur certifikatën elektronike sipas nenit 19 të këtij ligji dhe lidhjen me internet për shkëmbimin elektronik të të dhënave me Administratën Tatimore Qendrore.
Të gjithë tatimpaguesit e tjerë që lëshojnë fatura, duhet të sigurojnë pajisjet fiskale të përmendura në nenin 3, pika “k” të këtij ligji, që mundësojnë përdorimin e zgjidhjes softuerike të certifikuar të përmendur nën të njëjtin nen, nënshkrimin elektronik të çdo fature duke përdorur certifikatën elektronike sipas nenit 19 të këtij ligji, dhe lidhjen me internet për shkëmbimin elektronik të të dhënave me Administratën Tatimore Qendrore, me qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit për lëshimin e faturave.
Tatimpaguesit që lëshojnë fatura, për qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturave, duhet të përdorin një zgjidhje softuerike të certifikuar që u mundëson atyre të veprojnë në përputhje me dispozitat e këtij ligji, d.m.th. një zgjidhje softuerike të certifikuar që pamundëson veprimet që shmangin procedurën e fiskalizimit të faturës.
Me qëllim të zbatimit të pikës 5 të këtij neni, tatimpaguesi që lëshon fatura mund të testojë të dhënat e faturës dhe procedurën e fiskalizimit, ndërsa metoda e testimit përcaktohet nga Ministri përgjegjës për financat me udhëzim.
Përveç përcaktimeve të këtij ligji, për tatimpaguesit në sektorë të veçantë të ekonomisë, monitorimi i qarkullimit bëhet sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.

Certifikata elektronike

Me qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturës, tatimpaguesi që lëshon fatura detyrohet që të marrë një certifikatë elektronike, e cila gjenerohet dhe lëshohet nga AKSHI si institucioni qendror shtetëror që administron dhe mirëmban Infrastrukturën Qeveritare të Çelësave Publike.
Certifikata elektronike e lëshuar nga AKSHI duhet ruajtur në një ambient fizik me nivel të lartë sigurie, duke mos cenuar integritetin e tyre dhe thyer konfidencialitetin e tyre.
Për certifikatën elektronike të lëshuar aplikohet tarifa e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave për shërbimet elektronike të ofruara nga AKSHI për subjektet nën pikën 1, të këtij neni.

Zbatimi i procedurës së fiskalizimit të faturës

Tatimpaguesi që lëshon fatura duhet të nënshkruajë në mënyrë elektronike çdo faturë në momentin e lëshimit dhe ta dërgojë atë në Administratën Tatimore Qendrore, nëpërmjet lidhjes me internet përpara se t’ia lëshojë blerësit.
Administrata Tatimore Qendrore duhet të verifikojë nëse janë dërguar të gjithë elementet e përcaktuara të faturës, nëse ajo është e nënshkruar elektronikisht duke përdorur një certifikatë elektronike të vlefshme sipas nenit 19 të këtij ligji, dhe të kryejë kontrolle të tjera mbi saktësinë e faturës.
Nëse kushtet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, përmbushen plotësisht, Administrata Tatimore Qendrore gjeneron NIVF-në dhe ia kthen atë tatimpaguesit që lëshon fatura nëpërmjet lidhjes elektronike të vendosur (internet).
Nëse kushtet nga pika 2 e këtij neni nuk përmbushen, Administrata Tatimore Qendrore nuk mund ta përcaktojë NIVF-në dhe i dërgon tatimpaguesit që lëshon fatura një mesazh mbi refuzimin e përcaktimit të NIVF-së me përshkrimin e gabimit, nëpërmjet lidhjes elektronike të vendosur (internet).
Vetëm pas zbatimit të procedurës së fiskalizimit mundet që fatura të njihet si dokument i vlefshëm për qëllime të tatimit, dhe NIVF, si një e dhënë e detyrueshme e faturës, tregon që procedura e fiskalizimit është kryer me sukses. Përjashtimisht, një faturë mund të lëshohet pa NIVF, vetëm në rastet e përmendura në nenet 29, 30 dhe 31, të këtij ligji.
Subjektet e “vetëfaturimit” duhet të zbatojnë procedurën e fiskalizimit në mënyrën e përshkruar në pikat 1 deri 5 të këtij neni.
Kur blerësit, që janë tatimpagues, subjekte të TVSH-së, ose të tatimit mbi fitimin ose tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, në përputhje me ligjet përkatëse, marrin një faturë për importin e mallrave nga një shitës nga jashtë vendit ose një faturë elektronike për shërbime të marra nga një tatimpagues nga jashtë vendit, që nuk është subjekt i lëshimit të faturave sipas këtij ligji, ata duhet të zbatojnë procedurën e fiskalizimit në mënyrën e përshkruar në pikat 1 deri 5 të këtij neni.
Procedura e fiskalizimit të faturës në rast të “vetëfaturimit”, sipas nenit 6, pika 5 e këtij ligji, kryhet në kohën e “vetëfaturimit”, brenda afateve të përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji.
Procedura e fiskalizimit të faturës në rast të “vetëfaturimit”, sipas nenit 7, pika 2 të këtij ligji, kryhet në kohën e “vetëfaturimit”, brenda afateve të referuar në nenin 8, pikat 2 dhe 3 të këtij ligji.
Procedura e fiskalizimit të faturës për importet e mallrave, në rastin e pranimit të një fature nga një shitës që nuk është i vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas pikës 7 të këtij neni, duhet kryer nga marrësi i mallrave në Republikën e Shqipërisë bazuar në deklaratën doganore pas lejimit në qarkullim të lirë, por jo më vonë se tre ditë nga kryerja e importimit. Në rastin e furnizimit nga jashtë të shërbimeve, blerësi vendas i shërbimit që ka marrë një faturë elektronike nga jashtë shtetit, kryen procedurën e fiskalizimit brenda afatit të referuar në nenin 8, pika 3 e këtij ligji. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim procedurën dhe mekanizmat për zbatimin e kësaj pike dhe të dhënat shtesë të kërkuara sipas këtij ligji.
Detyrimet ligjore që rrjedhin nga ky nen zbatohen në përputhje me udhëzimin përkatës të Ministrit përgjegjës për financat.

Platforma qendrore e faturave

AKSHI ngarkohet që të krijojë, zhvillojë, mirëmbajë dhe administrojë nga ana teknike platformën qendrore të faturave përmes së cilës shkëmbehen faturat elektronike.
Tatimpaguesit që regjistrohen në regjistrin e Administratës Tatimore Qendrore si tatimpagues që lëshojnë fatura sipas nenit 13 të këtij ligji, caktohen automatikisht në regjistrin e tatimpaguesve që mbahet nga Administrata Tatimore Qendrore, si lëshues dhe pranues të faturave elektronike.
Lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike sipas pikës 2 të këtij neni, që kanë njësi të ndryshme organizative, janë të detyruar të paraqesin informacion mbi to në platformën qendrore të faturave, brenda 24 orëve para fillimit të lëshimit ose marrjes, ose shkëmbimit të faturave elektronike përmes kësaj platforme.
Marrësit e faturave elektronike që nuk janë të regjistruar në regjistrin e Administratës Tatimore Qendrore si tatimpagues që lëshojnë fatura sipas nenit 13 të këtij ligji, duhet të marrin një certifikatë elektronike sipas nenit 19 të këtij ligji dhe përmes platformës qendrore të faturave të regjistrohen si marrës të faturave elektronike, brenda 24 orëve para fillimit të marrjes së faturave elektronike përmes kësaj platforme.
Të gjitha faturat elektronike duhet të shkëmbehen nëpërmjet platformës qendrore të faturave, pas zbatimit të procedurës së fiskalizimit, në përputhje me kreun VI të këtij ligji.
Platforma qendrore e faturave është pjesë e infrastrukturës shtetërore të teknologjisë së informacionit që administrohet nga ana teknike nga AKSHI dhe të dhënat që shkëmbehen përmes kësaj platforme janë pronë e Administratës Tatimore Qendrore.
Detyrimet ligjore që rrjedhin nga ky nen zbatohen në përputhje me vendiminpërkatës të Këshillit të Ministrave./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t31/10/2019 07:58

Me kete ligj fiskal vetem rendohet aktiviteti,keta plehra qe na qeverisin e fusin kete ligj vetem per te justifikuar milionat e eurove qeja dhane firmes kroate qe propozoi vllahutini,mos me thene qe i mori ajo pjesen e luanit,duke na futur kete sistem fiskal qe me shume do ti çorodise bisneset

Shto koment

Denonco