Rriten 30% çmimet e qirave në Tiranë, studentët gjallërojnë tregun

Rriten 30% çmimet e qirave në Tiranë, studentët gjallërojnë tregun

07:56, 02/10/2019
A+ Aa A-

Tregu i qirasë në kryeqytet nis të gjallërohet gjatë vjeshtës. Agjencitë e pasurive të paluajtshme pohojnë për Monitor se ka pasur një rritje të kërkesës pas muajit gusht. Genc Zike nga agjencia DevInf tha se zonat e qendrës kanë njohur një rritje të lehtë të çmimeve për sa i përket kategorisë së apartamenteve që jepen me qira për të studentet. Zike shton se jo të gjithë pronarët janë të gatshëm që të japin apartamente për studentët. Ai shton se oferta e apartamenteve për këtë kategori individësh (studentët) është e kufizuar në kryeqytet, pasi ata nuk janë klientë afatgjatë dhe duan qira për një periudhë disa mujore, apo nuk janë të kujdesshëm për shtëpinë.

Kështu sipas vrojtimit të Zikes, në treg është reflektuar edhe rritje e çmimit si pasojë e rritjes së kërkesës. Brenda Unazës së Vogël, sipas Genci Zike, çmimet janë rritur nga 30.000-35.000 në 40.000 lekë, me një shtrenjtim që varion nga 14- 30%.

Ndërkohë që kërkesa për apartamente me qira nuk furnizohet vetëm nga studentet. Një kategori tjetër që furnizon kërkesën janë edhe të huajt, të cilët vijnë të jetojnë edhe të punojnë në Shqipëri. Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme kjo kategori qiramarrësish ofrohet që të paguajë edhe më shumë dhe kërkojnë shtëpi me mobilim shumë të mirë dhe në godina ku ofrohen facilitete dhe shërbime të tjera.

Për sa i përket kërkesës nga të huajt Zike thotë se është në të njëjtat nivele për sa i përket çmimit. Për zonat e qendrës çmimi i qirave varion nga 400 deri në 550 euro.

“Për apartamentet e mira ka gjithmonë kërkesë dhe kanë probabilitet më të lartë për tu lëshuar me qira. Për sa i përket vilave, të cilat edhe këto merren kryesisht nga të huajt, trendi vijon të jetë i njëjtë, ndërsa zona e preferuar është TEG-u,”- shton Zike.

Një arsye tjetër që jep Zike për rritjen e çmimit të qirasë, përveç kërkesës së shtuar, është edhe ngarkesa me taksa e pronarëve të cilën e kanë reflektuar te çmimet e qirasë, sikurse janë taksa e pronës dhe tatimi në burim i të ardhurave nga qiraja. Duke qenë se është rritur formalizimi dhe gjithnjë e më shumë po punohet me kontratat për lëshimin e pronës në qira është rritur edhe deklarimi i të ardhurave.

Ndërkohë periferia, zona e Freskut dhe Yzberishti, vijon të mbetet alternativa ekonomike për ata që nuk kanë të ardhura të larta./Monitor

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco