Zhvlerësimi i euros, edhe pse hynë 170 milionë euro më pak

Zhvlerësimi i euros, edhe pse hynë 170 milionë euro më pak

07:32, 30/09/2019
A+ Aa A-

Hyrjet e valutës nga ekonomia formale ishin në rënie në 6 mujorin e parë, përkundrejt tendencës zhvlerësuese të euros në të njëjtën periudhë.
Deficiti i llogarisë korente u përkeqësua ndjeshëm në 6 muajt e parë të vitit, duke arritur në -517 milionë euro, me rritje prej gati 50% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Statistikat u bënë të ditura në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë. E thënë thjesht, deficiti i llogarisë korente mat lëvizjet e valutës (hyrje-daljet) në dhe nga Shqipëria në mënyrë zyrtare. Konkretisht ai mat bilancin e importeve dhe eksportet, (diferenca mes të cilave jep deficitin tregtar); në shërbime, në udhëtime (shpenzimet e shqiptarëve jashtë dhe të të huajve në Shqipëri); të punës (të ardhurat nga puna jashtë dhe të të huajve në Shqipëri), nga puna, nga investimet (psh transferimi i fitimeve jashtë dhe të ardhurat nga investimet e shqiptarëve jashtë), apo dhe prurjet e emigrantëve.

Përkeqësimi i deficitit të llogarisë korente në 6 muajt e parë të vitit, nënkupton se në Shqipëri kanë hyrë zyrtarisht neto rreth 170 milionë euro më pak nga këto lëvizje (shiko grafikun e deficitit të llogarisë korente për 6 mujorin). Ndikimin kryesor e ka dhënë deficiti tregtar, teksa importet janë rritur ndjeshëm dhe eksportet ishin në rënie (deficiti tregtar u përkeqësua me -14%, duke arritur në -1.46 miliardë euro). Negativ është dhe bilanci i të ardhurave nga investimet, prej -178 milionë euro, si rrjedhojë e transferimit të fitimeve nga kompanitë e huaja në Shqipëri. Ndërsa bilancet e udhëtimeve dhe shërbimeve janë pozitiv, duke arritur të amortizojnë disi hendekun e tregtisë dhe të investimeve (shih tabelën).

    Të gjithë këto përbëjnë të ashtuquajturat “fondamente”, dhe sipas Bankës së Shqipërisë, një përmirësim i tyre do të çonte në zhvlerësimin e euros në vend, pasi nënkupton që ka hyrë më shumë valutë dhe si rrjedhojë është rritur oferta në euro, duke ushtruar presion për nënçmimin e saj.
    Por, kjo nuk rezulton të ketë ndodhur. Ndonëse në vend zyrtarisht zyrtarisht ka hyrë neto më pak valutë, dmth që “fondamentet” janë përkeqësuar, euro vijoi zhvlerësimin, sidomos në tremujorin e dytë të vitit. Viti 2019 u hap me monedhën e përbashkët që u ngjit në 125 lekë në ditët e para të janarit, ndërsa euro u këmbye në fund të muajit qershor poshtë 122 lekëshit.

    Edhe të dhënat vjetore tregojnë se që nga viti 2015, deficiti i llogarisë korente nuk është përmirësuar (shih grafikun vjetor), pra fondamentet nuk janë përmirësuar, në linjë të kundërt me zhvlerësimin e euros. Që nga mesi i vitit 2016, kur këmbehej me rreth 138 lekë, euro ka zbritur aktualisht në 121-122 lekë, duke rënë me rreth 11.5%.

    Nënçmimi më i fortë ishte në 2018-n, kur kursi mesatar i këmbimit për gjithë vitin ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore që nga 2004. Në 2018-n presion për nënçmimin e euros ushtruan dhe konvertimet e kapitalit të disa bankave nga euro në lekë, që erdhi si rrjedhojë e procesit të shkrirjes së disa bankave (Veneto u përthith nga Intesa dhe NBG nga ABI Bank). Këtyre iu shtua dhe disbursimi i një kredie të BERZH për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se këto transaksione përbënin një shumë afër 300 milionë euro për t’u konvertuar në një moment të caktuar, duke ushtruar presion për nënçmimin e euros. Por, nga ana tjetër BSH pranoi se ka blerë mbi 400 milionë euro në total, jo vetëm për efekt të kursit por dhe për arsye të rezervës valutore, (përfshirë dhe konvertimin e kredisë së BERZH) çka duhet të kishte amortizuar efektin e konvertimit të kapitalit dhe kredisë së BERZH.

    Për periudhën janar-shtator 2019 kursi mesatar i euros i euros ishte 123.1 lekë, duke rënë me 4.5 lekë në raport me mesataren e 2018-s./MONITOR

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco