Ligj i ri për paranë cash, vendoset kufiri për arkat e bizneseve

Ligj i ri për paranë cash, vendoset kufiri për arkat e bizneseve

07:45, 05/08/2019
A+ Aa A-

Teksa ekonomia po tenton të shkojë drejt dixhitalizimit, mbajtja e parasë cash do të bëhet gjithnjë më e shtrenjtë dhe më e vështirë.

Projektligji i ri “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, i ashtuquajturi si projekti i fiskalizimit, parashikon se bizneset, si të mëdha ashtu dhe të vogla, nuk do të mund të mbajnë shuma të pakufizuara në arkat e tyre, por do të kenë një limit dhe mbi këtë limit ata do të detyrohen që të dorëzojnë paratë në bankë. Për bizneset me xhiro deri në 2 mln lekë në vit, ku kufi është 50 mijë lekë në ditë, nga 2-14 mln lekë është 300 mijë lekë dhe mbi 14 mln lekë, deri në 800 mijë lekë.

Ndërkohë, disa banka kanë filluar të vendosin komisione për transaksionet në cash, si tërheqje ashtu dhe depozitime. “I nderuar Klient, nga data 02.09.2019 ndryshojnë komisionet për tërheqjet dhe depozitimet cash në degë. Në varësi të shumës, komisioni për tërheqje cash do të jetë 150-1.500 Lek/1.5-12 në monedhë të huaj, ndërsa për depozitimet cash do të jetë 100-1.200 Lek/ 1-12 në monedhë të huaj”, është njoftimi që u ka shkuar së fundmi klientëve të Raiffeisen, bankës së dytë më të madhe në vend.

Bankierët pohojnë se tendenca është që “cash-i” të bëhet më i shtrenjtë. Për më tepër që bankat presin që të kenë kosto, si rrjedhojë e ritmit të shtuar të derdhjeve të shumave në vlera relativisht të vogla nga bizneset, pasi banka duhet t’i menaxhojë këto para, d.m.th duhet t’i transformojë, apo dhe t’i investojë. Të gjitha këto veprime do të kenë një kosto shtesë te bankat. Sistemi bankar sot po vepron në një ambient me norma të ulëta të interesit në lekë, ndërsa në euro janë negative.

 

Të gjithë bizneset me llogari bankare

Në një tjetër ligj që ka hyrë në fuqi në 27 korrik, Tatimpaguesit e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/Administratës Tatimore janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit të tyre, jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji (data 26.07.2019) dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore. Ligji është pjesë e një pakete reformash të kërkuara nga Moneyval (Agjencia europiane e parandalimit të pastrimit të parave) dhe synon uljen e rrezikut të pastrimit të parave në vend.

Me anë të Ligjit nr. 31/2019 “Për disa shtesa në Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përcaktuar se, tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë, si dhe organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor, janë të detyruar të kenë llogari bankare të biznesit/organizatës së regjistruar dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.

Në rast të mospërmbushjes së detyrimit tatimor të sipërcituar, ligji parashikon sanksione për tatimpaguesit. Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit subjekte të këtyre përcaktimeve ligjore, të përmbushin në mënyrë vullnetare këtë detyrim ligjor brenda afateve.

 

Limiti i cash

Projektligji i ri “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i cili ka vendosur kufizime në maksimumin e arkës që mund të mbajë çdo subjekt. Ligji parashikon se Maksimumi i arkës përcaktohet me një akt të brendshëm dhe përmban:

Kriteret për përcaktimin e shumës së maksimumit të arkës së tatimpaguesit që lëshon faturë, janë madhësia e tatimpaguesit që lëshon faturë, në përputhje me legjislacionin tatimor. Bazuar në këtë kriter, tatimpaguesi që lëshon faturë, mund të caktojë shumën maksimale të parave kesh në arkë, në mënyrën e mëposhtme:

a) tatimpaguesit me qarkullim vjetor në vitin e kaluar deri në 2 milionë lekë deri në 50000 lekë;

b) tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 2 milionë deri në 14 milionë lekë deri në 300000 lekë;

c) tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 14 milionë lekë deri në 800 000 lekë.

Maksimumi i arkës përcaktohet për tatimpaguesin që lëshon faturë në tërësi, dhe brenda kësaj shume, tatimpaguesi që lëshon faturë, mund të përcaktojë maksimumin e parave në arkë, sipas njësive të organizimit.
Tatimpaguesi që lëshon faturë, detyrohet në fillim të çdo dite pune, dhe para lëshimit të faturës së parë, nëpërmjet lidhjes elektronike të vendosur me administratën tatimore, lidhje të cilën e përdor për zbatimin e procedurës së fiskalizimit, të paraqesë informacionin mbi shumën fillestare të parave në dorë në arkë (depozitave), për çdo pajisje elektronike të faturimit, në përputhje me udhëzimin e Ministrit përgjegjës për financat.

Draft i ri parashikon që përtej kësaj shume, subjekti që lëshon faturë detyrohet që paratë në dorë, mbi nivelin e caktuar maksimal të arkës, që ka pranuar gjatë ditës mbi çfarëdo baze, të paguajë në llogari në bankë në të njëjtën ditë, por jo më vonë se ditën e ardhshme të punës.

Kontabilistët pohojnë se për bizneset mikro, përcaktimi i limiteve për arkën do të jetë një kosto e shtuar për biznesin. “Biznesit do t’i duhet të bëjë çdo ditë derdhje në bankë, qoftë edhe me shuma qesharake prej 200 apo 300 mijë lekësh dhe kjo është një kosto super e shtuar për subjektet”, thotë Armand Mala, kontabilist.

Sot rreth 95% e bizneseve, apo rreth 120 mijë të tillë, sipas INSTAT, konsiderohen mikro, pasi kanë më pak se 10 të punësuar. Ndërsa janë të paktën rreth 60 mijë subjekte që deklarojnë një xhiro vjetore prej më pak se 2 milionë lekësh. Biznesi rriti vitin e fundit përpjekjet për të mos e kaluar limitin vjetor prej 2 milionë lekësh, pasi mbi këtë limit ata regjistroheshin në TVSH.

Paraja jashtë bankave rekord në Europë

Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të lartë të ekonomisë cash, siç tregohet dhe nga të dhënat zyrtare të parasë jashtë bankave. Niveli i parasë jashtë bankave në fund të muajit maj ishte 21.6% e totalit të parasë në ekonomi, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, duke qenë më i larti në rajon dhe në Europë, si një tregues direkt i nivelit të lartë të informalitetit në ekonomi.

Në raport me një vit më parë, ky tregues është rritur me gati 1 pikë përqindje dhe është afër nivelit më të lartë që nga 2008-a, kohë kur u shënua një tërheqje e parave nga bankat për shkak të panikut që u krijua nga kriza financiare globale e asaj kohe.

Në krahasim me vendet e Eurozonës, apo edhe të rajonit, Shqipëria ka një nivel tepër të lartë të parasë që qarkullon jashtë kanaleve bankare. Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, në shtator 2017, niveli i parasë jashtë bankave ishte sa 9.2% e totalit. Në Maqedoni, ky tregues, sipas të dhënave të Bankës Qendrore përkatëse ishte 7.4% në fund të tetorit 2018, me një rënie në krahasim me një vit më parë, kur ishte 8.2%, sipas të dhënave që i referohen shtatorit 2017. Në Serbi ishte 6.8% e totalit, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Serbe, që i referohen tetorit 2018./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco