Dallgë të mëdha në tregun bankar në rajon

Dallgë të mëdha në tregun bankar në rajon

07:51, 30/06/2019
A+ Aa A-

Marrëveshjet ndërmjet SocGen dhe OTP kryesojnë tregun e shit-blerjeve. Bankat greke vazhdojnë shitjen e aksioneve të tyre në rajonin e Europës Juglindore

Konsolidimi i sektorit bankar në Europën Juglindore (EJL) vazhdoi me po të njëjtin ritëm të shpejtë të 2018, pasi shumica e marrëveshjeve kishin të bënin me shitjen e vazhdueshme të aseteve nga huadhënësit grekë dhe grupi bankar francez Societe Generale, shkruan See News, një njësi e inteligjencës për Europën Juglindore me zyra qendrore në Bullgari, në raportin për 100 bankat më të mëdha në rajon, 2018.

Ikja e Societe dhe ardhja e OTP

Societe Generale ka qenë e angazhuar në një plan të gjerë ristrukturimi gjatë viteve të fundit, duke rifokusuar modelin e saj të biznesit dhe duke hequr dorë nga asetet jothelbësore, të cilat kanë potencial të pamjaftueshëm për sinergjitë brenda grupeve. Në të njëjtën kohë, grupi bankar hungarez OTP vazhdoi të vepronte në një mënyrë agresive ekspansioniste, duke rrëmbyer shumicën e shitjeve të Societe Generale në Europën Juglindore.
OTP e shfrytëzoi pozicionin e saj të mirëkapitalizuar dhe u mbështet mbi ekspertizën solide të kreditimit me pakicë, e cila pjesërisht shpjegon edhe situatën në rajon, ku pavarësisht kërkesës disi të ngadalësuar të kreditimit të korporatave, huadhënia me pakicë vazhdon të jetë veçanërisht e fortë.

Societe Generale filloi të heqë dorë nga asetet e saj në Europën Juglindore në vitin 2017, kur i shiti Bankës OTP, 100% të aksioneve të Bankës Splitska të Kroacisë. Partneriteti midis dy huadhënësve rezultoi të ishte i frytshëm, pasi edhe një vit më vonë në 2018, Societe Generale ra dakord që t’i shesë edhe katër njësi të tjera të saj në rajon, përkatësisht në Shqipëri, Bullgari, Mal të Zi dhe në Serbi te banka OTP.

Përveç kësaj, dy grupet bankare hynë në një marrëveshje shërbimi në lidhje me operacionet e tyre në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Hungari dhe Serbi. Marrëveshja përfshinte ofrimin e shërbimeve të ndërsjella në fusha të ndryshme, duke përfshirë bankat e investimeve, tregjet e kapitalit, financimin dhe bankën globale të transaksioneve. Ky proces vazhdoi edhe gjatë këtij viti, kur Societe Generale ra dakord t’i shesë edhe dy njësi të tjera Bankës OTP, njësitë e saj në Moldavi dhe në Slloveni.

Nga të gjitha njësitë bankare në Europën Juglindore që Societe Generale ra dakord të shiste që nga fillimi i vitit 2018 e deri në 2019, pjesa më e madhe iu shitën Bankës OTP me përjashtim të Bankës Ohridska në Maqedoninë e Veriut, e cila iu shit Steiermaerkische Sparkasse të Austrisë.

Largimi i grekëve

Ndërkohë, bankat greke iu përmbajtën angazhimeve që bënë në planet e tyre të ristrukturimit të miratuara pas krizës financiare globale. Huadhënësit vendas u përqendruan gjithnjë e më shumë në operacionet e brendshme dhe vazhduan përpjekjet për të shitur degët e tyre të huaja, dhe më pas duke i përdorur të ardhurat e gjeneruara për të rritur raportet e kapitalit dhe likuiditetin. Në fillim, kur bankat greke u përpoqën të reduktonin ekspozimin e huaj në EJL duke shitur njësitë e tyre atje, cilësia e dobët e aseteve i largoi investitorët potencialë. Megjithatë, situata u normalizua në vitin 2017 dhe procesi vazhdoi edhe në 2018.

Piraeus Bank ishte ndër aktorët më aktivë në rajon, dhe që ra dakord për shitjen e filialeve të saj në Shqipëri, Bullgari dhe Rumani. Huadhënësi serb, Banka Direktna, përfundoi blerjen e Bankës greke, Piraeus në prill të 2018-s. Më pas, në korrik të 2018, huadhënësi grek përfundoi shitjen e degës së tij rumune te firma me kapital privat, J.C. Flowers & Co dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në gusht të vitit 2018, Banka Piraeus ra dakord të shesë 98.83% të aksioneve të saj në filialin në Shqipëri, Tirana Bank, te Banka Komercijalna e Maqedonisë së Veriut dhe grupi i investimeve shqiptare, Balfin, për një shumë totale prej 57.3 milionë eurosh. Muajin tjetër, Banka Piraeus nënshkroi një tjetër marrëveshje për të shitur kësaj radhe 99.98% të aksioneve të Bankës Piraeus në Bullgari tek Eurobank Bulgaria, e cila operon nën brandin Postbank. Eurobank Bulgaria është një njësi e një huadhënësi tjetër grek, Eurobank Ergasias. Pas shitjes së pasurive të saj në Bullgari dhe Serbi në gjysmën e dytë të vitit 2017, Banka Kombëtare e Greqisë vazhdoi më tej me strategjinë për të shitur asetet e saj në rajonin e Europës Juglindore.

Në mes të vitit 2017, Banka Kombëtare e Greqisë ia shiti Bankën e Bashkuar Bullgare dhe kompaninë e leasing-ut, Interlease, Grupit KBC të Belgjikës, kundrejt vlerës 610 milionë euro. Ndërsa në dhjetor të 2017, ajo përfundoi shitjen e Bankës Vojvodjanska të Serbisë te Grupin bankar OTP. Në korrik të 2018, Banka Kombëtare e Greqisë përfundoi shitjen e degës së saj shqiptare, NBG Albania, te Banka Amerikane e Investimeve (ABI). Më pas, Banka Amerikane e Investimeve mori miratimin e Bankës Qendrore për të absorbuar NBG Albania. Në prill të 2018, huadhënësja greke u përpoq gjithashtu që të shiste njësinë e saj rumune, Bankën Romaneasca, por blerësi i përzgjedhur, Grupi OTP, nuk arriti të marrë miratimin nga Banka Qendrore e Rumanisë.

Një tjetër bankë greke, Eurobank Ergasias, shiti njësinë e saj rumune Bancpost, te Banka Transilvania në prill 2018. Banka Transilvania e Rumanisë më pas absorboi Bancpost. Përveç blerjes së Bancpost, në janar 2018, Banka Transilvania u bë aksionare e Victoriabank të Moldavisë, pasi mori 39.18% të aksioneve në një marrëveshje që shënoi investimin e parë nga një bankë jo-moldave në tregun vendas në një dekadë. Më pas, aksionet e Bankës Transilvania në Bankës Victoriabank u rritën në 44.6%, në një ofertë blerjeje.

Lëvizjet e italianëve

Përveç bankave greke, Societe Generale dhe grupit bankar OTP, një tjetër lojtar kyç në tregun e Bashkimeve dhe Blerjeve (M&A) në Europën Juglindore gjatë 2018, ishte edhe grupi bankar italian Intesa Sanpaolo. Në korrik të 2017, Intesa Sanpaolo ia shiti njësinë e saj në Kroaci, Bankën Veneto, tek huadhënësja kroate, Banka Privredna. Kjo e fundit e absorboi në tetor të 2018, Bankën Veneto. Më pas, grupi bankar italian, nëpërmjet njësisë së saj Intesa Sanpaolo Bank Albania, përfundoi blerjen e degës shqiptare të Bankës Veneto.

Tregu M&A në rajon me shumë mundësi do të vazhdojë të jetë aktiv edhe gjatë 2019, pasi OTP do të vazhdojë me blerjet e saj, ndërsa lojtarë të rinj thuhet se po analizojnë mirë situatën për të bërë blerjet e tyre. Departamenti i Menaxhimit të OTP Bank tha në një prezantim para aksionerëve gjatë mbledhjes vjetore në fillim të 2019, se pas blerjes së njësisë së Societe Generale në Kroaci po shikon edhe për blerje të aseteve të tjera bankare në këtë shtet.

Bankat me fokus zgjerimin

Banka hungareze nuk është e vetmja që po mendon të zgjerojë blerjet e saj në rajonin e EJL-së. Në maj të këtij viti, Banka Ndërkombëtare Raiffeisen e Austrisë njoftoi se po kërkon të blejë asete në Kroaci, pasi vetëm rritja organike nuk do të jetë e mjaftueshme për të rritur pjesën e saj në një treg me potencial të kufizuar rritjeje. Në të njëjtën kohë, banka shtetërore turke Halkbank, tashmë e pranishme në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, thuhet se është duke shqyrtuar edhe zgjerimin e saj të mëtejshëm në Moldavi. Përforcimi i sektorit bankar në rajonin e Europës Juglindore pritet të vazhdojë gjatë gjithë 2019, konfirmoi edhe një sondazh i kryer nga disa prej bankave kryesore në rajon./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco