Shtohen ndërtuesit/ Bizneset që po mbyllen dhe ato që po lulëzojnë

Shtohen ndërtuesit/ Bizneset që po mbyllen dhe ato që po lulëzojnë

14:20, 16/06/2019

Nga Ornela Liperi

Hapja e një dyqani të vogël në lagje, si për tregti ushqimesh a veshjesh, shërbime të ndryshme apo dhe bar e kafene nuk ka më gjasë të rezultojë shumë fitimprurës.

Konkurrenca është shtuar nga qendrat tregtare, zinxhirët e supermarketeve, apo dhe linjat e organizuara të bareve e lokaleve, që po tërheqin gjithnjë e më shumë klientë.

E gjithë kjo, përballë një konsumi të frenuar, si rrjedhojë e tkurrjes së popullsisë, e emigracionit dhe plakjes së popullsisë.

Të dhënat e INSTAT për ndërmarrjet aktive, sipas aktivitetit, tregojnë se numri i bizneseve në tregti e shërbime është në rënie, me mbi 4 mijë subjekte të kësaj kategorie që u mbyllën në 2018-n (reduktim neto).

Në total, në fund të vitit 2018, kishte 35 mijë ndërmarrje që ushtronin aktivitetin në tregtinë me pakicë, pjesa më e madhe e tyre të vetëpunësuar, të ndjekura nga 18.5 mijë biznese në shërbime ushqimore dhe pije. Në total, të dy këto aktivitete përbëjnë 33% të ndërmarrjeve aktive në vend.

Rriten bizneset profesionale

Tashmë ka ardhur koha kur dijet dhe profesioni të shpërblejnë më shumë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se shërbimet profesionale janë ato që po hapen më shumë vitet e fundit, teksa po mbyllen subjektet tregtare dhe ato të bar- kafeneve.

Bizneset që kanë shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute në 2019-n janë ato në “Aktivitete të drejtimit të ndërmarrjeve dhe aktivitete të konsultimit”. 186 subjekte të reja (shtesa neto) të kësaj kategorie u hapën në 2018-n, duke arritur në total në 793. Ndonëse numri total i tyre është i ulët në raport, me biznesin tradicional të shqiptarëve, atë të tregtisë (ku ka gjithsej 35 mijë subjekte), biznesi i shefave dhe i konsulencës ka arritur një rekord në 2018-n sa u përket hyrjeve të reja në treg. Në raport me vitin 2013, numri i tyre është katërfishuar.

Bizneset e konsulencës u rrit ndjeshëm vitet e fundit edhe për shkak se shumë profesionistë dolën nga skema e sigurimeve për shkak të tatimit prej 23% mbi pagat mbi 130 mijë lekë (nga 1 janari kufiri u rrit në 150 mijë lekë), dhe u regjistruan si biznese private, si një skemë për shmangin e këtij tatimi të lartë, duke shfrytëzuar hendeqet fiskale (bizneset me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë kanë tatim fitimi zero). Kjo nxiti dhe autoritetet fiskale që të rishikonin legjislacionin këtë vit përmes një pakete ligjore që synonte uljen e shmangieve nga këta individë.

Në vend të dytë është kategoria e “aktiviteteve të shëndetit”, me 129 ndërmarrje të reja të hapura, duke e çuar numrin e tyre në total në 3,321. Vitet e fundit është zhvilluar ndjeshëm mjekësia dhe laboratorët privatë, si një kompensim i mungesës së cilësisë së shtetit në këtë shërbim jetësor.

Biznesi i tretë me rritjen më të lartë në vlerë absolute është ai i shërbimeve të teknologjisë dhe informacionit, me 117 të tilla. Megjithatë, numri total i këtyre subjekteve prej rreth 1,200 të tilla mbetet i ulët në epokën globale të dixhitalizimit.

Shërbimet juridike e të kontabilitetit po bëhen të preferuara, me 116 subjekte të reja të hapura, duke e çuar numrin e tyre në total në 3,376.

Teksa sipas të dhënave të Moneyval, vetëm 8% e transaksioneve të pasurive të paluajtshme kryhen përmes agjencive, duket se ka një hapësirë të lartë për këtë aktivitet. Numri i subjekteve të reja ishte 115, duke arritur në total në 847. Kërkesa për ndërtime cilësore është rritur vitet e fundit, me shtimin e vilave dhe apartamenteve luksoze. Kjo ka nxitur dhe aktivitetet në punime të specializuara ndërtimi, me 109 subjekte të reja, duke e çuar numrin e tyre në total, në 1,848.

Ndërmarrjet e reja, rriten të mëdhatë

Gjatë vitit 2018, u hapën gjithsej 20.2 mijë ndërmarrje të reja, me një rënie prej 18% në raport me vitin e mëparshëm.

Ata që po tkurren janë pikërisht të vegjlit, teksa numri i bizneseve të reja të hapura me 1-4 të punësuar ra me 20% në raport me vitin e mëparshëm, ndonëse mikrondërmarrjet përbënin 94% të të rejave.

Pozitive ishte rritja e subjekteve të mëdha, teksa u hapën 60 ndërmarrje, me më shumë se 50 punonjës, ose 50% më shumë në krahasim me një vit më parë. Gjysma e tyre ishin në aktivitetin e prodhuesve të shërbimeve, 14 në industri dhe 3 në ndërtim.

Tregtia, bien të vegjlit, rriten të mëdhenjtë

Aktiviteti i tregtisë sa vjen e po orientohet drejt zinxhirëve të mëdhenj si rrjetet e supermarketeve apo qendrat tregtare.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 2018-n u mbyllën 2,627 subjekte tregtare mikro me 1-4 punonjës (gjysma e bizneseve të mbyllur në 2018-n) dhe u hapën gati 400 të tjera, që kishin më shumë se 5 punonjës. 26 prej tyre ishin të mëdha, me më shumë se 50 punonjës.

Shtohen ndërtuesit

Vrulli i ripërshpejtuar i ndërtimeve në tre vitet e fundit, sidomos në kryeqytet, është reflektuar dhe në rritjen e kompanive që operojnë në këtë sektor.

102 ndërmarrje të reja ndërtimi janë hapur (neto) vitin e kaluar në vend. Ndryshe nga vitet e mëparshme kur ato ishin përgjithësisht të vogla, me 1-4 punonjës, tashmë po lulëzojnë sipërmarrjet e mëdha. Asnjë biznes i vogël me 1-4 punonjës nuk rezulton të jetë shtuar në 2018-n.

Në të kundërtën janë hapur 49 ndërmarrje me 10-49 punonjës dhe 32 subjekte që kanë më shumë se 50 punëtorë.

5,200 biznese të vogla u mbyllën në 2018-n, u “zëvendësuan” nga fermerë

Regjistri i Ndërmarrjeve në fund të vitit 2018 numëron 162.835 ndërmarrje aktive, numër pothuajse i njëjtë me vitin e kaluar, raportoi INSTAT në publikimin për Regjistrin e Ndërmarrjeve Ekonomike 2018. Në raport me një vit më parë, rezulton që personat fizikë, kryesisht bizneset e vogla, janë ulur me 5,216 subjekte, duke zbritur në 93 mijë.

Mbyllja e bizneseve të vogla është një dukuri që ka nisur prej disa vitesh, si rrjedhojë nga konkurrenca nga qendrat e mëdha dhe zinxhirët e supermarketeve, por që në 2018-n u përshpejtua dhe më tej, për shkak të uljes së kufirit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë. Në raport me dy vjet më parë, numri i bizneseve të vogla të mbyllura arrin në 7,9000.

Ndërkohë janë rritur subjektet e regjistruara si fermerë, me 4,400 më shumë, duke arritur në 40.9 mijë fermerë, si rrjedhojë e masave për formalizimin e bujqësisë dhe orientimin e fermerëve për t’u pajisur me NIPT në mënyrë që të përfitojnë nga subvencionet. Subjektet juridike janë shtuar me 1,166 njësi, duke u rritur në 28.8 mijë.

Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare është e përqendruar kryesisht në aktivitetin tregtar, dukuri e cila vihet re edhe në ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2018. Ndërmarrjet tregtare zënë 23,2% të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2017, krahasuar me 25% të regjistruara gjatë vitit 2017.

Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë 1,2% të totalit të ndërmarrjeve aktive dhe kontributi i tyre në punësim llogaritet në 48,1% në vitin 2018, nga 47,8% në vitin 2017.

Në Bashkinë e Tiranës janë përqendruar pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, ndërsa në Bashkinë e Fushë-Arrëzit shënohet numri më i ulët.

Gratë menaxhojnë 25,7% të ndërmarrjeve aktive gjithsej krahasuar me 29,7% gjatë vitit 2017. Sa u përket ndërmarrjeve aktive që operojnë në Bashkinë e Tiranës, gratë menaxhojnë 33,2% të tyre. Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht ndërmarrje me 1 – 4 të punësuar, të cilat zënë 91,2% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë. Në ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar, gratë drejtojnë 19,6% të ndërmarrjeve.

Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 3,8% të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 3,9% në vitin 2017 dhe punësojnë 9,6% të të punësuarve gjithsej. Ndërmarrjet nga vendet e Bashkimit Europian përfaqësojnë 64,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 52,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë dhe Durrës, me 81,7%.

Në fund të vitit 2018 regjistrohen 172.554 njësi lokale nga të cilat 161.227 ushtrojnë aktivitetin ekonomik në 1 vendndodhje. Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin në më shumë se një vendndodhje janë 1.608, të cilat përfaqësojnë vetëm 1,0% të ndërmarrjeve aktive gjithsej. Numri i të punësuarve në to është 26,6% e të punësuarve gjithsej. Aktivitetet financiare kanë numrin më lartë të të punësuarve për ndërmarrjet që kanë më shumë se një vendndodhje.

Njësitë lokale janë përqendruar në Bashkitë e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit me 54,1% të numrit të përgjithshëm të njësive lokale aktive.

Për nga ndarja rajonale, rajoni më i zhvilluar është rajoni qendër ku përfshihen qarqet Tiranë dhe Elbasan, ku janë përqendruar 41,3% e ndërmarrjeve aktive. Pothuajse e njëjta situatë është edhe me ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2018, me 48,7%. Të punësuarit në këtë rajon zënë 54,3% të të punësuarve gjithsej. Aktiviteti ekonomik tregtar mbizotëron ndaj aktiviteteve të tjera, me 31,6%. Kjo dukuri është e njëjtë si në nivel qarku, ashtu edhe në nivel bashkie.

/Botuar në Monitor.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco