FOTO/ Industria Detare, sektori premtues për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë

FOTO/ Industria Detare, sektori premtues për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë

16:05, 08/06/2019
A+ Aa A-

Në 8 Qershor, çdo vit bota celebron Ditën Botërore të Oqeaneve, si një ditë për apelim dhe  më shumë  vëmendje të aktorëve politik bërës, vendimmarrës e zbatues dhe mbarë shoqërisë me fokus të veçantë te qytetarët, për të ruajtur e mirë përdorur ujërat detare, biodiversitetin, zonat e mbrojtura bregdetare dhe përdorimin me kriter të botës nënujore.

Shqipëria gëzon një pozicion gjeografik të favorshëm ndaj ka potencialin të marrë një vend të rëndësishëm sa i përket zhvillimit të aktiviteteve detare (lundrim, peshkim, ndërtim dhe riparim anijesh, lundrim turistik etj). Por pavarësisht kësaj zhvillimi i sektorit detar ka ende shumë rrugë për të bërë dhe ende nuk është shfrytëzuar potenciali i plotë që ka ky sektor.

Sektori detar në Shqipëri, po shënon rritje të ndjeshme në vitet e fundit, si burim i zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit. Në vendin tonë ky sektor është i angazhuar kryesisht drejt transportit detar, atij të mallrave dhe pasagjerëve. Të dhënat e INSTAT tregojnë se për vitin 2017 volumet e transporteve në 4 portet shqiptare kanë shënuar një rritje prej 7.1% krahasuar me 2016-ën dhe numri i lëvizjes së pasagjerëve me ketë transport pasagjerëve është rritur me 16.9% krahasuar me 1 vit më parë. Shifra të rëndësishme në këtë transport shënojnë dhe eksportet e mallrave, 62.8% e eksporteve kryen përmes transportit detar dhe 48.6% të importeve përmes këtij transporti.

    Ky sektor në vendin tonë me synimin për të qenë i konkurrueshëm sipas standardeve evropiane, po gjen mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për të nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend.

    Mbështetja financiare dhe ekspertiza e Qeverisë Norvegjeze , e implementuar nga UNDP Shqipëri synon të garantojë  parakushtet, që ekonomia detare në Shqipëri të zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme në përputhje me kërkesat mjedisore.

    Norvegjia, vend lider në sektorin detar, në Evropë dhe përtej saj, është angazhuar për të ofruar kontribut të çmuar në këtë sektor. Në Ditën Botërore të Oqeaneve Per Strand Sjaastad, Ambasadori Norvegjez në Republikën e Shqipërisëka theksuar rëndësinë e mbështetjes së qeverisë norvegjeze për zhvillimin e sektorit detar shqiptar për të zhvilluar bashkëpunimin e bizneseve dhe autoriteteve publike, ndarë përvojat më të mira dhe parandaluar ndotjen. Ai thekson se Shqipëria ka potencial real të avancojë në ekonominë blu : - ‘Shqipëria ka  potencial të madh për të rivendosur veten në pozicionin e një vendi detar, ashtu siç ka qenë shumë kohë më parë. Bëhet fjalë për shfrytëzimin e mundësive në një treg në rritje, me zhvillim  të qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit ‘.

    Limya Eltayeb, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP Shqipëri në kuadër të 8 Qershorit dhe mbështetjes që UNDP po ofron për zbatimin e projektit të qeverisë norvegjeze në këtë sektor është shprehur: - ‘ Në këtë ditë të gjithë duhet të kujtojmë se si ujërat e pastra janë jetësore për botën tonë blu. Së bashku, të gjithë aktorët dhe qytetarët duhet të angazhohemi të mbrojmë dhe ruajmë zonat bregdetare dhe ujërat detare të Shqipërisë. Të dhënat e INSTAT tregojnë qartë potencialin e zhvillimit të kësaj industrie si një sektor premtues. Agjenda 2030, ku Shqipëria ka marrë angazhimet e saj, përshpejtimi dhe mbështetja e një rritjeje të qëndrueshme të sektorit detar është kyç për UNDP dhe për ekonominë e vendit’ Në fund  Eltayeb apeloi : - ‘Përdorni me mençuri ujërat e detit, gjeneratat e ardhshme do të na falënderojnë! ‘

    Tendencat e reja ekonomike detare parashikojnë se zona detare e Shqipërisë është një nga portat më të rëndësishme të lidhjes lindje-perëndim -lindje dhe rritja e eksplorimit të burimeve natyrore detare janë mundësi reale për një qasje  të  qëndrueshme dhe fuqizim të industrisë detare në vend.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    barbarosa08/06/2019 16:46

    Po, sektori detar eshte nje potencial i madh per Shqiperine!!! Nuk jam dakord me shkruesin e ketij artikulli: sektori detar nuk eshte i pashfrytezuar mjaftueshem, perkundrazi, fuqimisht, duke masakruar faunen nenujore, vjedhur pasurite arkeologjike. Ujerat shqiptare -fushe beteje e trafiqeve, shkeljeve te renda ligjore, dinamitit, peshkimit te specieve te mbrojtura si koralet, dateri, tkastraveci i detit, gjueti pa kriter nen ombrellen e qeverise.....mjere bregdeti shqiptar...

    Shto koment

    Denonco