Droga godet ekonominë e Vlorës, shënohet rënia më e madhe që nga 2012-a

Droga godet ekonominë e Vlorës, shënohet rënia më e madhe që nga 2012-a

07:19, 30/05/2019
A+ Aa A-

Vlora është një qark me plot burime natyrore, me turizëm të zhvilluar, bujqësi me ullishte dhe agrume, mirëpo ekonomia e saj nuk po shkon aspak mirë. INSTAT zbuloi se në vitin 2017, ekonomia e Qarkut të Vlorës shënoi rënien më të madhe me 3.3%.

Kjo ishte rënia më e fortë që nga viti 2012. Gjatë dekadës ekonomia e Vlorës ka mbetur në vendnumëro, duke u rritur me vetëm 0.1%. Edhe pse me mundësi për prosperitet, Vlora nuk ka parë ditë të bardha, edhe pse është ndër qarqet që ka prurje të mëdha nga Ekonomia e zezë, çka nuk duket se i ka sjellë më shumë të ardhura ekonomisë vlonjate, por vetëm ka shtuar kriminalitetin dhe vrasjet në qytetin bregdetar. Ekonomia e Vlorës dha një kontribut negativ në ekonominë kombëtare me 0.19% në 2017.

Të ardhurat për frymë në rajonin e Vlorës ranë me 2% në 2017-n, pas një rritjeje të fortë që kishin shënuar në 2016-n, duke treguar që përmirësimi i të ardhurave nuk ishte i qëndrueshëm.

Studimet vendase dhe ndërkombëtare për krimin e organizuar e rendisin Vlorën si qendrën kryesore të zhvillimit të trafiqeve dhe eksportit të lëndëve narkotike me jashtë. Pozicioni gjeografik, Porti dhe afërsia me Italinë e kanë bërë Vlorën atraktive për trafikantët. Shumë familje e kanë të lidhur jetesën me ekonominë e zezë, teksa numri i vrasjeve mafioze është më i lartë në këtë qark.

    Një Studim i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në lidhje me Krimin e Organizuar tregon se qytetet kryesore nga të cilat transportohet droga e fortë nga Shqipëria në Itali, janë Vlora dhe Durrësi. Porti i Vlorës është pika transballkanike për transportin e drogave të forta nga Lindja në Perëndim. Gjithashtu gjatë vitit 2016, qyteti mbolli dhe trafikoi sasi të mëdha të hashashit.

    Edhe pse Vlora është një nga qendrat më të mëdha të eksportit të drogës kjo nuk e ka ndihmuar ekonominë e saj të rritet përkundrazi. Të ardhurat ekonomisë zezë të përqendruara në pak të duar, duket se janë shpenzuar më së shumti jashtë qarkut, duke mos e ndihmuar qarkullimin në ekonominë e Vlorës.

    Nga ana tjetër, qyteti i Vlorës duket se ka rënë në depresion për shkak të kësaj situate, pasi sipas të dhënave të INSTAT, është qarku me rënien më të madhe të lindshmërisë. Studime të tjera kanë gjetur se Vlora ka potencialin më të lartë të emigracionit në vend.

    Ekonomia e Vlorës dominohet nga bujqësia, tregtia dhe turizmi. Bujqësia zuri 28.1% të ekonomisë së qarkut më 2017, ndërsa tregtia dhe turizmi 18.9%. Industria dhe ndërtimi zunë 10 dhe 11% secila në tërësinë ekonomisë së qarkut. Pesha e bujqësisë nga viti 2012 u rrit (ishte 24% në 2012), kurse pesha e turizmit në ekonominë e qarkut u ul (ishte gati 20% në 2012)./MONITOR

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Thanas30/05/2019 12:43

    Pershendetje Saimir! Jam nje vlonjat i ikur nga Vlora (moshatari yt jam, se te njoh, nese je datelindja '65-'66 dhe rri tek lokali i V.Hysos), por qe marr fryme vetem kur vij ne Vlore dhe me dhemb Vlora po aq sa edhe ty. Me vjen shume keq kur femijet e mi me thone "c'behet keshtu ne Vlore?", pasi degjojne qe nuk ka jave qe te mos kete ose vrasje, ose hedhje ne ere makinash, shtepish, ose marrje peng. Dhe ne gjykimin tim, pa qene i profesionit, keto vijne nga veprimtaria e droges. Keshtu qe nuk mund te themi qe nuk jemi ne te paret e kesaj pune. Nga ana tjeter, ti pret qe qeveria te kujdeset per mbarevajtjen e Vlores? As mos e prit. Ata e dine se Vlora eshte te pakten 70% e kuqe dhe e mashtrojne me nje "lungomare" te qelbur, ku hodhen miliona euro dhe fituan me shume se ç'hodhen, sepse e dine qe vlonjatet shkojne te votojne si dele per PS, edhe pa buke te mbeten. Jam me shqetesimin tend, por duhet te pranojme qe jemi popull jo i zgjuar dhe pergjithesisht fodull. Te pershendes.

    Saimir Mezini 30/05/2019 10:15

    Thojini te vertetat siç jane jo si ju intereson ! Nuk mund te behet nje propagande e tille kunder nje qyteti dhe jerzve qe jetojne ne te ne kete menyre ! Nuk mund te futen ne nje " thes" trafikanti me njeriun e thjeshte qe po " peshtyn" gjak ne kete qytet per te mbijetuar ! Shkruani per shoqerine e tragetit Vlore - Brindisi qe ka varrosur gjithe bisneset me çmimin me te larte te biletave prej 20 vjetesh dhe asnje qeveri nuk ka nderhyre ! Mos eshte faji i vlonjateve sepse duan te paguaj e me shume ? Licensat jepen ne Ministrine e Transportit dhe jo ne qytetin e Vlores ! Eshte e pa pranueshme qe dita dites privohen vendet e pune ne kete qytet dhe zhvendosen ne qytete te tjera , veçanerisht ne Fier ! Nuk eshte faji i qytetit dhe i qytetareve ! Merrni guximin dhe thoni te verteten siç eshte !

    Saimir Mezini 30/05/2019 10:06

    Me habit zelli i jashtzakonshem ne kuader te nje propagande kunder qytetit te Vlore ! Pershkruhet si : " qendra kryesore e zhvillimit te trafikut te lendeve narkotike me jashte " , nderkohe qe te dhenat nga hetimet e nderkombetareve jane krejt ndryshe ! Jane qytete te tjera qendra te kultivimit magazinimit , perpunimit si dhe transportit te ketyre lendeve , aq sa kane detyruar sberbimet e huaja qe te instalojne dhe te bejne hetime te gjata per kete veprimtari ! Elbasani , Durresi( Shijaku , Kruja ) , Fieri , Kavaja etj , jane bere axhenda kryersore e investigimeve dhe ju perseri vazhdoni me Vloren !Si çdo lajme tjeter ne Shqiperi edhe ky propagande ! E keni mese te qarte rolin dhe forcen e propagandes ne luften qe zhvillohet ( tregtare dhe kriminale ) dhe keni kohe qe e kryeni me shume zell ! Shume deshire tregoni ne shkaterrimin e ketes se nje qyteti ! Zoti ju dhe te dhjetfishin e asaj qe deshironi per kete qytet ! Behuni nje here te vetme me " shtylle kurizore " dhe thoni te vertetat ! Nuk eshte Vlora por jane qeverite qe nuk e duan !!!!!

    Shto koment

    Denonco