Koncesioni ‘Tiranë-Durrës’ dhe impaktet në ekonomi-Nga Vjoldi Danaj

Koncesioni ‘Tiranë-Durrës’ dhe impaktet në ekonomi-Nga Vjoldi Danaj

15:40, 21/05/2019
A+ Aa A-

Duke parë, dëgjuar dhe lexuar këto vendime që merren nga qeveritë shqiptare ndër vite më lind pyetja nëse bëhet ndonjëherë ndonjë analizë e mirëfilltë financiare për impaktet që do ketë marrja e këtyre vendimeve. Cilat do të jenë pasojat dhe cilat përfitimet? Në shumë vende të bashkimit Europian pjesa më e madhe e Autostradave (rrugë me standarde te larta sigurie) janë me pagesë, nën kontrollin e shtetit ose të koncesionarve.

Në këto vende paralelisht me autostradat ekzistojnë dhe dy lloje rrugësh alternative pa pagesë të cilat janë:

Rrugë jashtë zonave te banuara, pra unazë të qyteteve/fshatrave por që cilësia e tyre dhe kushtet e sigurisë janë edhe këtu të standardeve të larta. Nëse do të bënim një krahasim me rrugët e vendit tonë ato mund të krahasoheshin me 2 rrugët e reja (Levan-Vlorë dhe Tiranë-Elbasan).

Rrugët mes qendrave të banuara por që edhe në to cilësia dhe siguria është e lartë.

Sasia monetare e mbledhur nga tarifa e rrugës përdoret nga vendet Europiane jo vetëm për mirëmbajtjen e vetë rrugës së tarifuar por edhe te rrugëve të mësipërme që përdoren si alternativë.

Por le të rikthehemi në vendin tonë dhe te analizojmë pak impaktin që ky vendim do të ketë për ekonominë dhe individët. Vihet re mungesa e rrugëve alternative të cilat nuk u krijojnë probleme përdoruesve sepse në të vërtetë ato rrugë që paraqiten si alternative përveç se rrisin kostot e përdorimit si pasoj e shtimit të km-ave krijojne edhe periudha kohore më të gjata për destinacionet që aktualisht përshkohen në gjysmën e kohës.

Nëse rruga aktuale Tiranë – Durrës është 36 km dhe koha e nevojshme është 40 minuta, 2 alternativat e tjera janë rreth 43 km që do të thotë 7 km më e gjatë dhe nëse do kishim parasysh amortizimin e mjetit që shkon mesatarisht 1Euro për Km do të thotë që kostoja e udhëtimit rritet me 7 euro, pra me 850 Lek. Por koha e nevojshme për ti përshkuar rrugët dytësore është 80 minuta (dyfishi i rrugës aktuale).

Pra edhe këto vonesa përkthehen ne kosto për përdoruesit. Për ta shpjeguar më qartë këtë situatë të bëjmë disa analiza për impaktin ekonomik që krijon te bizneset dhe qytetarët.

Në Shqipëri ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve të Europës, mbi 70% e sipërmarrjeve e zënë ato familjare pa hyrë në detaje të madhësisë së tyre por vetëm thjeshtë për faktin që aksionerët ose pronarët janë të të njëjtit rreth familjarë. Për të kuptuar kontributin që sipërmarrjet private japin në ekonominë e vendit vetëm duke analizuar krahun e punës le të bëjmë disa analiza të thjeshta.

Sipas të dhënave të INSTAT në Shqipëri në vitin 2018 fuqia punëtore ka qenë 1.213.000 persona nga kjo shifër 508.728 vet janë të punësuar në sektorin privat jo bujqësor dhe 453.384 janë të punësuar në sektorin privat bujqësor pra në sektorin privat janë të punësuar gjithsej 962.112 persona që do të thotë 79% e forcës punëtore dhe 34% e totalit të popullsisë (duke qenë se sipas INSTAT në 1 Janar 2019 popullsia e Shqipërisë ka qenë 2.862.427 banor) nëse kësaj shifre i shtojmë edhe rreth 15% që hidhet si hipotezë e të punësuarve në të zezë kemi rreth 50% të popullsisë të punësuar te sipërmarrjet private.

Gjithmonë duke u bazuar në deklarimet e INSTAT rroga mesatare në sektorin privat është 45.759 lek (416.750 USD) që e shumëzuar me të punësuarit në këtë sektor na jep një vlerë 400.960.176 USD që qarkullojnë në ekonominë kombëtare.

Normalisht impakti ekonomik i sipërmarrjeve është më i madh sepse duhen shtuar taksat dhe tarifat që duhet të paguajnë dhe investimet e ndryshme që kryejnë. Por mbështetja që sipërmarrjet private është kaq e vogël saqë mund të thuhet se është inekzistente ndodh që shpeshherë sulmohen me rritjen e presioneve fiskale ose shtimin e tarifave të pa nevojshme në këtë moment si kjo tarifa e rrugës.

Në aksin Tiranë-Durrës gjenden rreth 28% e bizneseve private të cilat sipas INSTAT në rang kombëtar janë 174.306 kompani.

Të hipotizojmë se minimalisht një biznes përdor 2 makina që përdorin minimalisht 1 herë në ditë rrugën e tarifuar pra 48.806 (sipërmarrje) x 2 makina x 4 Euro (rruga vajtje-ardhje) = 390.448 Euro në ditë në total ndërsa kostoja mujore për secilën sipërmarrje minimale e rrugës është: 2 (makina) x 4 Euro x 26 (ditë pune) = 208 Euro e cila mund të jetë rroga minimale e një punonjësi që me shtimin e kësaj kostoje mund të rrezikoj që për ta përballuar mund të sjell edhe shkurtimin e punonjësve.

Nëse kjo hipotezë do të ndodhë do kemi një shtim të papunësisë me 48.806 vetë që do përkeqësonte edhe më shumë situatën makroekonomike të vendit.

Të provojmë ta shohim situatën edhe në këndvështrimin e qytetarëve. Nga të dhënat e INSTAT dimë që në rrethin e Tiranës numri i popullsisë është 895.160 banor dhe minimalisht 30% (268.548 banor) e këtyre kane një makinë dhe mund ta përdor aksin Tiranë-Durrës 1 herë në muaj.

Kostoja për person do të ishte 4 Euro = 500 lek pra 1% e rrogës mesatare kurse në tërësi;  268548x 4 = 1.074.192 Euro në muaj që i hiqen konsumit dhe qarkullimit në ekonomi.

Në situatën aktuale ekonomike aspak pozitive që gjendet sot vendi, në mungesën totale të investimeve ne infrastrukturë, nivelit të lartë të papunësisë etj mendoj se vendosja e kësaj tarife është e panevojshme dhe mund ta përkeqësoj edhe më shumë situatën dhe ekonominë e vendit.

Më e rëndësishme dhe frytdhënëse do të ishte sikur të mendohej për një strategji të mirëfilltë makroekonomike që do ti jepte impulse pozitive ekonomisë dhe jetesës në vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco