Dështoi taksa e pronës? Ministria e Financave merr në pyetje bashkitë

Dështoi taksa e pronës? Ministria e Financave merr në pyetje bashkitë

07:35, 05/05/2019
A+ Aa A-

Një vit pas hyrjes në fuqi të metodologjisë së re për mbledhjen e taksës së pronës sipas vlerës së tregut dhe mosfunksionimit të saj, Ministria e Financave u është rikthyer edhe njëherë bashkive, për t’i pyetur se cilat janë problemet që kanë hasur.

Në një intervistë për Scan, Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë sqaron se pse nuk po funksionon metodologjia e përcaktuar. Për vitin 2018,  të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme arritën në 5.2 mld lekë, me rritje 10.6 për qind krahasuar me vitin 2017, ndërsa pritshmëritë këtë vit ishin më të mëdha për shkak të formulës së re, ndërkohë që të dhënat fiskale tregojnë se vijon vjelja e dobët e kësaj takse nga ana e pushtetit vendor.

Ndërkohë revista Monitor njofton se Buxheti i bashkive arriti në vlerën e 83,1 miliardë lekëve ose 665 milionë euro vitine kaluar me një rritje 9,7% në raport me një vit më parë. Të ardhurat nga burimet e veta vendore janë thelbësore për një qeverisje vendore të mirë dhe të pavarur. Në buxhetin vendor, kjo kategori të ardhurash përfaqësoi rreth 29.1% ndaj burimeve financiare totale në vitin 2018, me një vlerë rreth 24 miliardë lekë.

Ndërsa, për rreth 50.8% të bashkive (31 nga 61 bashki) janë të ardhurat nga tarifat, të cilat përfaqësojnë mbi 50% e këtyre nga burimet e veta vendore të bashkisë. Në bashkitë Bulqizë, Kamëz, Kukës, Kuçovë, Patos, Pukë dhe Skrapar, tarifat vendore kontribuojnë me më shumë se 70% në të ardhurat nga burimet e veta vendore të bashkisë.

Bumi i ndërtimeve rrit të ardhurat në Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit

Kapaciteti i bashkive për të gjeneruar të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore, gjithashtu, paraqet diferenca të theksuara ndërmjet bashkive. Rreth 61.8% e të ardhurave totale nga taksat vendore mblidhet në Bashkinë e Tiranës, ndjekur nga ajo e Durrësit me rreth 5.2%, kryesisht nga efekti i të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Panoramë e ngjashme paraqitet edhe në rastin e të ardhurave nga tarifat vendore. Bashkia e Tiranës mbledh rreth 43.0% të totalit, ndjekur nga bashkitë e Kamzës dhe Durrësit, me 5.8% dhe 4.7%, përkatësisht.

Praktikisht, pesha e bashkive ndaj totalit të të ardhurave si nga taksat ashtu dhe nga tarifat vendore, sugjeron për një hendek të madh në terma të kapaciteteve fiskale ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe 60 bashkive të tjera. Përjashtuar Bashkinë e Tiranës, diferencat mes bashkive vijojnë të jenë të theksuara midis bashkive qendra qarku (bashkitë e mëdha) dhe 49 bashkive të tjera.

Diferencat e theksuara midis bashkive në terma të kapaciteteve fiskale parashtrojnë nevojën për instrumente kompensues apo zbutës të tyre, për të lejuar përmbushjen e funksioneve apo ofrim të shërbimeve publike, në sasi dhe cilësi.

Të ardhurat nga taksat zënë 60% të të ardhurave vendore

Të ardhurat nga taksat përfaqësojnë një burim të rëndësishëm financiar në strukturën e të ardhurave nga burimet e veta vendore. Në vitin 2018, taksat vendore kontribuuan me rreth 59.7% në të ardhurat nga burimet vendore, raport ky rreth 4.8 pikë përqindjeje nën mesataren afatgjatë (prej rreth 64.5%). Në terma nominalë, të ardhurat nga taksat vendore regjistruan një nivel prej rreth 14.5 miliardë lekësh, në rritje me rreth 14.1% në terma vjetorë.

Në nivel bashkie, rreth 43.2% e të ardhurave nga taksa për pasuritë e paluajtshme realizohet në Bashkinë e Tiranës, rezultat i përqendrimit të një numri të lartë banesash dhe ndërtesash në këtë territor.Bashkia e Durrësit renditet e dyta për nga pesha në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme me rreth 8.4% ndaj totalit për periudhën e konsideruar. Në terma kumulativë, bashkitë Durrës dhe Tiranë gjeneruan mbi 50% të të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme për vitin 2018.

Të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore, ndonëse me peshë të moderuar, kontribuuan me rreth 628.9 milionë lekë (në rritje me rreth 8% në terma vjetorë) në kategorinë e të ardhurave nga taksa mbi pronën.Në ndryshim nga elementi i përqendrimit të të ardhurave nga taksa e ndërtesës në një numër të kufizuar bashkish, të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore rezultojnë të jenë të shpërndara ndërmjet bashkive. Niveli më i lartë i kësaj takse u mblodh në Bashkinë e Fierit (rreth 10.9% e totalit), ndjekur nga bashkitë Divjakë (5.1% e totalit), Roskovec (4.0%) dhe Ura Vajgurore (3.9%), lidhur dhe me karakterin bujqësor të ekonomive të këtyre bashkive.

Ndërtimet e reja, bashkitë vjelin 7,2 mld taksa, 75% shkojnë për Tiranën

Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja vijojnë të përfaqësojnë një burim të rëndësishëm dhe qenësishëm në buxhetin vendor. Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo taksë përfaqësuan rreth 49.9% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore dhe rreth 29.8% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta. Këta dy tregues sinjalizojnë për varësi të lartë të buxhetit vendor nga kjo taksë dhe rreziqe të shtuara varësisht natyrës ciklike të saj.

Në vitin 2018, Bashkia e Tiranës arkëtoi rreth 5.5 miliardë lekë (në rritje me rreth 57.6% në terma vjetorë) ose rreth 75.6% të të ardhurave totale nga kjo taksë. Niveli i të ardhurave nga kjo taksë është në linjë me të dhënat mbi numrin e lejeve të ndërtimit (në vitin 2018 bashkia Tiranë rezulton të ketë dhënë rreth 79 leje më shumë se në vitin 2017). Në të kundërt, bashkia Pustec rezulton të mos ketë gjeneruar të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për vitin 2018.

Në Bashkinë e Durrësit, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja rezulton të jetë tkurrur me rreth 40.1% në terma vjetorë (ndonëse, numri i lejeve të ndërtimit të dhëna rezulton të jetë në rritje). E njëjta prirje vihet re edhe në Bashkinë e Shkodrës ku nga rreth 128.6 milionë lekë në vitin 2017, në vitin 2018 u mblodhën rreth 99.4 milionë lekë në vitin 2018. Në Bashkinë e Vlorës, të ardhurat nga kjo taksë rezultojnë të jenë thuajse pesëfishuar gjatë periudhës së konsideruar.

Sipas analizës së Co Plan, rritja e kontributit të kësaj takse në buxhetin vendor do të kërkonte njëkohësisht parashikime dhe angazhime afatmesme deri/dhe afatgjata në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike vendore për zhvillimet e reja. Gjithashtu, duke qenë një burim të ardhurash i fundmë dhe jo i vazhdueshëm, bashkitë duhet të gjejnë zgjidhje dhe të aftësohen për t’u bërë ballë detyrimeve financiare të sotme dhe atyre të ardhshme, përballë një buxheti të kufizuar – kjo do të krijonte kushte të favorshme dhe do të ishte në përputhje me konceptin e barazisë ndër-gjeneracionale.

Praktikisht, të ardhurat e realizuara sot nga kjo taksë do të duhej të investoheshin për të siguruar infrastrukturat e nevojshme publike si dhe operimin e tyre në të ardhmen, pa rënduar në buxhetet e gjeneratave të ardhshme.

Taksat nga biznesi i vogël, me rënie

Të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël regjistruan një vlerë prej 329.5 milionë lekësh në 2018, me një rritje të lehtë prej 5.9% krahasuar me vitin 2017. Në terma afatgjatë dhe në vijim të ndryshimeve të ndërmarra, të ardhurat nga kjo taksë vijojnë të ulin në mënyrë progresive kontributin e tyre në totalin e të ardhurave nga burime të veta vendore.

Me ndryshimet legjislative të ndërmarra në vitin 2016, qeverisja vendore humbi një prej instrumenteve për të tërhequr dhe për të nxitur krijimin e ndërmarrjeve të reja në territoret në administrim. Ndonëse në masë më të ulët, të ardhurat nga taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier kontribuoi pozitivisht në rritjen e përgjithshme të të ardhurave nga taksat vendore. Për vitin 2018, të ardhurat nga kjo taksë shënuan një nivel prej rreth 214.1 milionë lekësh, në rritje me rreth 17% në terma vjetorë.

Për vitin 2018, rreth 44.6% e të ardhurave nga taksa e hotelit u mblodhën në Bashkinë e Tiranës, ndjekur nga Bashkia e Sarandës me rreth 11.6% të të ardhurave totale. Ndërkohë, niveli i të ardhurave të mbledhura nga bashkitë e tjera me potencial turistik rezulton të jetë relativisht i ulët. Kjo mund të sinjalizojë për probleme strukturore në lidhje me regjistrimin e strukturave akomoduese dhe raportimin e numrit të pushuesve, përfundon Monitor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco