Sfidat e 5G-së

Sfidat e 5G-së

11:21, 26/04/2019
A+ Aa A-

Çdo kohë ka kërkesat e veta; dikur problemi i ditës ishte nëse uji vinte me presion, nëse energjia elektrike ishte mjaftueshëm e fuqishme për të ushqyer disa pajisje elektroshtëpiake e kështu me radhë.

Kurse sot?

Ajo që dëgjon më shpesh ngado është nëse interneti është i shpejtë apo i ngadaltë. Shpejtësia e internetit është shqetësim i ditës për njerëzit. Edhe për ne shqiptarët. Pa internet të mirë, nuk ka postime dhe as stories.

Prandaj kohëve të fundit, informacionet rreth shërbimit 5G kanë tërhequr shumë vëmendjen e njerëzve, pavarësisht se ky internet që përçon të dhënat në kohë reale, është më tepër i dizajnuar për bizneset, korporatat, industrinë apo teknologjinë.

Kërkesa e kohës për të futur shërbimin 5G ka qenë një sfidë shumë e madhe në vendet e Bashkimit Europian, ku jo të gjitha shtetet kanë aktualisht një plan për të lehtësuar dhe nxitur futjen e 5G-së.

Vende si Franca, Gjermania, Spanja dhe Suedia kanë të ashtuquajturin ‘Plani për 5G’-në, megjithatë të katërta këto vende kanë modele të ndryshme rregullatore.

Më e avancuar në këtë drejtim është Austria, ku është vet qeveria që ka miratuar një strategji për 5G-në, e cila përfshin dhe shumë politika lehtësuese për kompanitë që do ta mundësojnë këtë shërbim.

5G mund të futet fillimisht në mjedise nga ku mund të arrihet maksimumi i përfitimit. Pjesa më e madhe e kësaj mund të arrihet duke stimuluar sektorin privat dhe duke krijuar ambientin e duhur që kjo teknologji të lulëzojë.

Sa më i kufizuar të jetë mbulimi, aq më të shumta janë kërkesat infrastrukturore; çka do të thotë se rrjeti 5G ka kosto për t’u mundësuar dhe ç’është më e rëndësishmja, ky është një problem më i ndjeshëm për vende të mëdha si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, se sa për vende të vogla si Mbretëria e Bashkuar apo Japonia, për shkak të shtrirjes gjeografike.

Kjo gjithashtu i ka nxitur shumë shtete që të ndryshojnë mënyrën se si e japin ekskluzivitetin e frekuencave tek operatorët e telekomunikacionit, duke u bazuar më së shumti në aspektin rajonal, se sa atë kombëtar, ndryshe nga ç’kanë vepruar për 4G-në, sepse vetëm kështu do të jetë të sigurtë se do të përdoret më me efikasitet.

Qeveritë po përpiqen ta zgjidhin këtë ngërç nëpërmjet bashkëpunimit me kompanitë që ndajnë të njëjtën infrastrukturë si dhe me hapësira publike që mund të ofrohen për të lehtësuar lidhjet e reja.

Ndërkohë, edhe Shqipëria nuk qëndron larg nismave që çojnë drejt teknologjisë 5G. Vetëm pak muaj më parë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, zhvilloi tenderin për frekuencat në spektrin 800 MHz, frekuenca që mundësojnë rritjen e kapaciteteve të rrjetit edhe në zona të thella si edhe mundëson zhvillimin e rrjetit 5G në të ardhmen si dhe aplikacione të gjeneratës së ardhshme (NGA), ku përfshihen Internet of Things, Realiteti virtual dhe i argumentuar, pajisjet e lidhura në rrjet dhe robotika.

Aktualisht, kompania e vetme që ka blerë të drejtën e përdorimit të frekuencave në brezin 800 MHz  është Vodafone Abania, e cila  ka nisur përdorimin e frekuencave duke rritur kapacitetin e rrjetit dhe shpejtësinë e transmetimit të të dhënave.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco