Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

Mashtrimi në turizëm: kullat kthehen në hotele për t'iu shpëtuar taksave

Mashtrimi në turizëm: kullat kthehen në hotele për t'iu shpëtuar taksave

07:03, 06/01/2019
A+ Aa A-

Tirana po përjeton sot një mbingopje në segmentin e strukturave akomoduese me 4 dhe 5 yje, ku në tre muajt e fundit, tre emra të njohur kanë njoftuar hyrjen në tregun shqiptar. Strukturat ekzistuese që pretendojnë këtë standard mbeten të paklasifikuar, duke u përpjekur të mbijetojnë nëpërmjet shitjes nën kosto. Në bregdet, nga ana tjetër, ku nevoja është më e lartë, po lulëzojnë fshatrat turistikë, të cilëve qeveria u shpalli “luftë” verbalisht së fundmi, ndërsa në praktikë u bëri të ditur se duhet që të ndjekin modelin 60% strukturë akomodimi dhe 40% vila private për tregun imobiliar. Modeli që po ndiqet, duke mos pasur një strategji të qartë apo studim që e mbështet dhe indiferenca ndaj problemeve reale si infrastruktura, diversifikimi i ofertës dhe përmirësimi i shërbimit, po rrezikon që ëndrra 10 milionë turistë të kthehet në një flluskë. Shenjat e para janë tërheqja e çekëve dhe polakëve, të cilët kanë ulur numrin e kontratave për vitin tjetër. Nordikët na kanë dhënë afat deri në vitin 2020

Viti 2018 pranohet nga të gjithë si më i miri i turizmit në historikun e Shqipërisë. Kanë mjaftuar shifrat për kontributin në ekonomi dhe numri i lartë i vizitorëve që ëndrra e qeverisë për 10 milionë turistët dhe hotelet me 4 dhe 5 yje të marrë krahë. Por, i gjithë entuziazmi, nuk ka bazë në ndonjë studim për nevojën që ka në të vërtetë tregu shqiptar për kategorinë e hoteleve me 4 dhe 5 yje. Sot, edhe pse janë të regjistruara mijëra struktura, asnjë prej tyre nuk është klasifikuar, një proces që mbahet peng që prej vitit 2015.

Sytë janë hedhur te zinxhirët ndërkombëtarë të menaxhimit të hotelerisë që, në partneritet me kompanitë vendase, shihen si shpresa që do të zgjidhë si me magji problemet që do të hasen. Për operatorët e tregut, kjo strategji nuk është e duhura, pasi turisti që po vjen në Shqipëri është i një kategorie tjetër. “Te kontingjenti i turistëve që vizituan vendin gjatë 2018-s mbizotëronte ai me shpenzime të ulëta”, pohon Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit. Ai shton se po shihet interes vetëm në Tiranë, ku ka një treg të mbingopur për këto shërbime (hotele të mëdha me 4-5 yje) dhe që po shesin nën kosto. Pyetjet që shtrohen shprehin shqetësimin: “Ku po shkojmë dhe pse nuk po e  kuptojmë që mënyra e shfrytëzimit të resurseve tona është e gabuar”, pohon Topuzi. Lexo intervistën e plotë: http://www.monitor.al/hotelet-me-4-dhe-5-yje-interes-per-tiranen-por-tregu-i-mbingopur-2/

Edhe Rrahman Kasa menaxher i agjencisë “Happy Tours”, pohon se historia e brandeve është një pengesë e madhe, sepse kërkesa është e vogël dhe përqendrimi i tyre është në Tiranë, ndërkohë, ne numrin më të madh të turistëve e kemi në bregdet. Madje Shqipërisë po i ikin dhe turistët e mesëm për shkak të problemeve me infrastrukturën. Lexo intervistën e plotë: http://www.monitor.al/si-po-humb-shkelqimi-i-turizmit-me-pak-polake-nordiket-kercenojne-ta-heqin-shqiperine-nga-lista/

Sipas të dhënave të INSTAT, shtetasit e huaj, referuar të dhënave të vitit 2017, kanë kaluar mesatarisht 4,2 netë qëndrimi në Shqipëri, duke shpenzuar mesatarisht 63 euro në ditë, një nivel larg të qenit elitar, ku në hotelet me 5 yje rreth 100 euro kushton vetëm hoteli.

Ëndrra që mund të kthehet në flluskë

Sot po përvijohen dy tendenca që rrezikojnë të kthejnë në një flluskë ëndrrën 10 milionëshe të turizmit. Së pari, brand name (emra të njohur) të lakuar aq shumë nga qeveria, po përqendrohen të gjithë në Tiranë, duke e rritur edhe më tej mbingopjen që ka kryeqyteti me struktura të kësaj kategorie.

Tre zinxhirët ndërkombëtarë të menaxhimit të hotelerisë, që kanë hyrë ose kanë nënshkruar marrëveshje, janë të vendosur pikërisht në zemër të kryeqytetit. Këta të fundit po shesin sot 50% më lirë sesa çmimet që aplikojnë strukturat e njëjta në rajon, ndërkohë që strukturat ekzistuese të investitorëve vendas të paklasifikuar, por që pretendojnë standardin 4 yje, po shesin nën kosto, në nivelin e hoteleve me tre yje.

Së dyti, teksa një mbingopje në Tiranë, tur-operatorët raportojnë për një uri të rritur për zonën bregdetare, e cila nuk vuan vetëm mungesën e strukturave akomoduese, por edhe të infrastrukturës. Turistët e huaj që kthyen sytë nga Shqipëria si polakët apo çekët kanë ulur kërkesën për Shqipërinë dhe operatorët e huaj kanë raportuar këtë situatë pranë tur-operatorëve shqiptarë. Kasa pohon se disa nga operatorët e mëdhenj që janë në Shqipëri, kanë reduktuar numrin e turistëve që do të vijnë në Shqipëri.

Cikli i shkëlqimit të Durrësit dhe Shqipërisë në përgjithësi rrezikon që të mbetet 3-vjeçar, ndërkohë që nordikët kanë vendosur që edhe për vitin 2019 të mbajnë të njëjtin numër si në 2018, por nuk kanë dhënë garanci për 2020, duke vendosur kushte. Ndër të tjera ata kanë kërkuar ndërhyrje në infrastrukturë, përmirësim në shërbime dhe sigurinë ushqimore.

Në këtë situatë, duket se vijat e asaj çfarë ka nevojë realisht turizmi dhe asaj çfarë planifikon të bëjë qeveria nuk priten askund, duke ecur në drejtime të ndryshme dhe duke rrezikuar seriozisht që suksesi të ketë jetëgjatësinë e flluskës që me mbylljen e ciklit do të lërë pas hotele me 4 dhe 5 yje, ku do të “verojnë dhe dimërojnë” politikat dhe draft-strategjitë.

Zyrtarizohet kalimi i kullave në hotele, precedenti i parë

 Një samit i fundit, dedikuar investitorëve në turizëm do të prodhonte në vetvete një seri lajmesh për orientimin që do t’i jepet turizmit në vend, një pjesë e tyre deklarata të njohura dhe të bëra edhe më parë. Po kështu, do të kristalizonte edhe atë që në shumë raste u përfol nën zë, se disa nga kullat që kanë marrë lejen e ndërtimit po pësojnë metamorfozën drejt strukturave mikse, përfshirë hotelerinë me katër dhe pesë yje për të përfituar nga paketa lehtësuese miratuar gati një vit më parë.

Shembulli i parë i kësaj u “vulos” me një marrëveshje që një nga emrat e njohur të hotelerisë i cilësuar si “brand name”, Marriott International nënshkroi me kompaninë Albstar. Bëhet fjalë për kullën që po ngrihet te stadiumi i ri apo projekti i Arenës Kombëtare dhe që në vetvete do të funksionojë si një kompleks që do të përfshijë edhe pjesën e hotelerisë.

Marrëveshja mes palëve u nënshkrua më 27 nëntor, duke marrë edhe bekimin e qeverisë shqiptare me praninë e kryeministrit Edi Rama, i cili, në fjalën e tij, ndër të tjera do të mbronte edhe një herë nismën për hotelet me 5 yje.

“Dua të nënvizoj këtu një fakt. Shumëkush përpiqet ta komentojë së prapthi këtë fokusimin tonë te hoteleria me 5 yje, si të ishte një politikë për të pasurit dhe për një grusht njerëzish.

Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Hoteleria me 5 yje sjell kontribut dhe impakt shumë më të fortë në vetë industrinë e turizmit në tërësi dhe në ekonominë e vendit, sesa hoteleria e kategorisë më të ulët, për imazhin që është kryesori në industrinë e turizmit, për nivelin e lartë të shpenzimeve, për kontributet në punësim, në cilësinë e vendeve të punës, në paga dhe mbi të gjitha, për kulturën që sjell në një sektor ku kultura e mikpritjes është themelore”, tha Rama.

Hyn në treg edhe Hyatt, Kastrati kompani të re për hotelerinë

Hyatt, një tjetër grup ndërkombëtar në fushën e hotelerisë, nënshkroi së fundmi marrëveshjen për të hyrë në tregun shqiptar përmes partneritetit me një kompani shqiptare. Bëhet fjalë për Kastratin, një nga kompanitë kryesore të shitjes me shumicë dhe pakicë të karburanteve, e cila zgjeroi aktivitetin e saj në hoteleri përmes blerjes së ish-Sheraton nga MakAlbania.

Hoteli që dikur mbante emrin e markës Sheraton tashmë njihet thjesht si MAK Tirana ndërkohë që ditëve të fundit, më konkretisht më 27 nëntor 2018, MAK Albania ka kaluar aktivitetin e saj në shoqërinë e re Kastrati Hotels & Tower. Kompania, e cila zotërohet në 80% të saj nga kompania Kastrati sh.a., dhe 20% nga Fulmer Holding, do të jetë përgjegjëse për ish-Sheraton, duke qenë kështu edhe pronarja legjitime pas transferimit.

Kompania është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit më 3 shtator 2018, me një kapital 1 milion lekë. Krijimi i një kompanie të dedikuar për turizmin, ku në objekt të kompanisë thuhet “veprimtari tregtare të import-eksportit, të turizmit; administruese, menaxhuese të një hoteli turistik të një niveli të lartë si dhe të hoteleve të tjera në të ardhmen sipas marrëveshjeve të interesit për çdo rast të veçantë” konsolidon kompaninë edhe në sektorin e turizmit, përpos karburanteve dhe ndërtimit.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me Hyatt, përfaqësues të Kastrati Hotels & Tower thanë se ish-Sheraton do t’i nënshtrohet një ndryshimi rrënjësor dhe investimi që do të zgjasë për të paktën dy vjet, dhe ku synohet që përveç rritjes së kapacitetit akomodues ekzistues, të bëhet edhe plotësimi me pjesën e vilave. Të gjitha këto do të menaxhohen nën markën Hyatt Regency and Residences.

Kujtojmë që Kastrati, nënkompaninë tjetër Kastrati Constuction, ka gjithashtu aktive një leje për ndërtimin e një kulle të pagëzuar fillimisht si Downtown Albania. Ajo zotëron 100% të kuotave pas blerjes së aksioneve që zotëronte BFI Invest, në pronësi të Balfin për projektin që do të zërë vend në krah të ETC te parku “7 xhuxhat”. Në objektin e kompanisë që ka lejen për ndërtimin e kësaj kulle thuhet se ndërtimi do të ketë funksion banimi dhe shërbimesh.

Dhami: Markat, interes për tregun shqiptar, por rezerva për infrastrukturën

Samiti për investitorët në sektorin e turizmit e vuri theksin te mundësia për të tërhequr emra të njohur të hotelerisë në botë, që do të bënin diferencën me kaosin ku noton sektori, por ardhja e markave në shumë raste nuk kufizohet vetëm nga një paketë ligjore lehtësuese.

Një nga problematikat që është ngritur herë pas here është ajo e një infrastrukture të dobët në shumë nga zonat që janë sot destinacione turistike. Nuk bëhet fjalë vetëm për rrugët, por në tërësi kombinimi i të gjithë llojeve të infrastrukturave portale aeroportuale dhe rrugore.

Stela Dhami, Drejtoresha e Colliers International, u shpreh se Colliers ka qenë në komunikim me shumë prej markave ndërkombëtare të menaxhimit të hoteleve, të cilat shprehin interes për tregun shqiptar, si i fundit treg i turizmit për t’u zhvilluar në basenin e Mesdheut, megjithatë këto marka e vënë theksin tek infrastruktura e përshtatshme rrugore, porte dhe aeroporte, sepse përdoruesit e këtyre markave nuk udhëtojnë më shumë se 1 orë e 30 minuta për të arritur në destinacion.

Është një profil përdoruesi që kërkon lehtësi dhe standard në një kohë të shkurtër. Ajo nënvizon se grupe të tjera hoteliere si ACCORE, i cili ka në portofol një seri emrash si Swiss hotel, Rixos, Sofitel, marka që shqiptarët janë të familjarizuar, është duke e parë me interes tregun shqiptar drejt zgjerimit. “Janë të interesuar për projekte ekskluzive, jo të mëdha ku fokusi është hoteli dhe jo rezidenca. Sigurisht interesi është për qendrat e qytetit, pra zonat urbane por edhe në Jug mund të ketë interes”, shprehet Dhami.

Ajo nënvizon se sot sfidë për tregun hotelier në vend nuk është vetëm tërheqja e markave apo brand name, të cilat sjellin padyshim know how (përvojë) që Shqipërisë i nevojitet por duhet të ruhet standardi dhe të plotësohet me aspektet e tjera të nevojshme, që shkojnë me objektivin e 4 dhe 5 yje.

 

“Luftë” fshatrave turistikë, Rama: Ja modeli që do të zhvillojmë

Pasi janë dhënë një seri lejesh për komplekse turistike, resorte dhe fshatra në të gjithë bregdetin, qeveria ka vendosur së fundmi që t’i shpallë luftë teorisë së “fshatrave”. Kryeministri Edi Rama do kritikonte fort modelin që, sipas tij, gjeti të zbatuar kur erdhi në mandatin e parë ku fshatrat turistike janë shitur si vila dhe shërbejnë si lagje verore për banorë dhe jo si asete për zhvillimin e turizmit. Në fakt, pavarësisht kritikave në mandatin Rama 1, është vijuar dhënia e disa lejeve, për po të njëjtin model që kritikohet dhe i është shpallur luftë.

“Nuk kemi për të dhënë më leje për fshatra turistikë që kthehen në lagje banimi, që janë zona banimi për ata që sot kanë mundësi të blejnë edhe një vilë në bregdet dhe pastaj ta mbajnë mbyllur. Investimet e reja në vijën bregdetare do të jenë investime të kombinuara dhe hoteleria është domosdoshmëria që ne kemi.

Madje ne kemi vendosur që në rastin e dhënies së një leje zhvillimi për një resort, jo fshat turistik, resortet patjetër që do të jenë mikse, do të ketë hoteleri dhe akomodim në pjesën për vila individuale, por lejet e zhvillimit do të zbardhen në dy faza, do të bësh një herë pjesën e hotelerisë, pastaj do të marrësh lejen për të ndërtuar vila”, deklaroi Rama para investitorëve. Kjo duket se kërkon të parandalojë precedentët ku investitorët kanë marrë leje për resorte dhe vila dhe pasi kanë përfunduar pjesën e vilave dhe shitur ato kanë lënë të papërfunduar pjesën e hotelit apo resortit që parashikohet në projektin fillestar.

“Historia që fillojmë hapim themele, i shesim në themel, i marrim me këste e në fund përfundojmë që hoteli mbetet në letër dhe pjesa e hotelerisë mbetet një dëshirë e mirë e paralizuar. Ngremë kantierin dhe ikim e mbrapa lëmë një tjetër mëhallë njerëzish që sot kanë disa lekë më shumë dhe e përdorin mëhallën 15 ditë në vit dhe e gjithë ajo pasuri e madhe që është pasuri, mund të jetë private, por është një aset i përbashkët, mbetet një aset i vdekur. Kjo është një histori që për ne duhet të konsiderohet e marrë fund”, shtoi Rama.

 

Modeli i investimit në struktura akomoduese, 60% hotel, pjesa tjetër real estate

Një nga shqetësimet që është lakuar vazhdimisht për lejet e ndërtimit dhe ato zhvillimore të dhëna në bregdet ka qenë fakti që projektet niseshin si resorte dhe përfundonin si shitje vilash në tregun e real estate. Një model i tillë është i jetësuar në një pjesë të mirë të komplekseve të zbatuara në Gjirin e Lalëzit, por edhe në Jug të vendit, në bregdetin e Jonit.

Qeveria ka zbardhur planin e saj lidhur me modelin që do të ndiqet në investimet në struktura akomoduese, duke përcaktuar se në lejet e dhëna të paktën 60% do të jetë në funksionin hoteleri, pra për t’i shërbyer drejtpërdrejt turizmit, kurse pjesa e mbetur prej 40% do të jetë për vila private dhe që i shtohen tregut të real estate. Po kështu, raporti i ndërtimit dhe bregdetit do të jetë në favor të të dytit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në samitin për turizmin u shpreh se ndërtimi në struktura akomoduese do të zërë vetëm 25%, ndërkohë që 75% do të mbetet në pjesën e bregdetit dhe në funksion të turistëve për shfrytëzim. Ajo që do të bëhet në vijim, sipas ministrit, është një plan strikt monitorimi për mënyrën sesi do të zbatohen projektet e reja të investimit në struktura akomoduese.

“Duhen vendosur rregulla sipas një modeli që do ta zhvillojmë bashkë. Nuk duhet të pranojmë as të biem në bumerangun e zhvillimit të turizmit masiv, as në letargjinë e mungesës së shfrytëzimit të të gjithë potencialeve për t’u fokusuar vetëm te turizmi elitar. Modeli ynë që prezantojmë sot dhe do të implementojmë çdo ditë në punën tonë është një sistem miks, duke mbajtur në konsideratë zona specifike dhe karakteristika specifike të asaj çfarë duam të ndërtojmë në vendin tonë.

Në këtë sistem, duhet të ketë rregulla të qarta investimi në hoteleri dhe struktura akmoduese. Modeli ynë i investimit duhet të ruajë një balancë mes hotelerisë dhe real estate. Nuk mund të lejojmë që për nevoja të akomodimit të një turizmi që rritet me 20% në vit, siç ishte 2018, të bëjmë në sy qorr dhe një vesh shurdh dhe të lejojmë investime pa model”, – do të nënvizonte ndër të tjera Klosi.

 

Legjitimimi i miksit hoteleri dhe real estate, shpëton investitorët nga taksat

Modeli miks i investimeve me hotel dhe real estate duket se do të favorizojë një pjesë të mirë të investitorëve të cilët, nëse arrijnë të marrin statusin special për hotele me 4 dhe 5 yje, do të përfitojnë një sërë lehtësish. Kështu, për strukturat akomoduese brand name, që marrin status special, avantazh është ofrimi me 6% TVSh i furnizimit me të gjitha shërbimet e tjera si kafe, restorant, masazhe, SPA përveç furnizimit të shërbimit të fjetjes, që është 6% për të gjithë sektorin.

Së dyti, është vendosur që të bëhet përjashtim nga tatimfitimi për 10 vjet, për çdo investitor me status special me 4 dhe 5 yje. Ky përjashtim zgjat 10 vjet nga momenti kur është marrë autorizimi nga Këshilli i Ministrave dhe afati për të marrë këtë status mbaron në dhjetor 2024. Kjo do të thotë që, deri në këtë vit, pritet shprehja e interesit dhe paraqitja e projektit.

Kryesorja është taksa e infrastrukturës zero, një tjetër lehtësi që qeveria ia dhuroi grupit të investitorëve me 4-5 yje që do të kenë status special. Kjo taksë, normalisht paguhet në nivelin 4% të vlerës së investimit në Tiranë dhe 1-3% të vlerës në rajonet e tjera në vend.

Për të marrë statusin special, një ndër kriteret kryesore është ai i vlerës së investimit. Referuar legjislacionit në fuqi, vlera e parashikuar e investimit është 8 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje. Subjekti që paraqet interes për të investuar në struktura akomoduese me status special duhet të ketë pasur xhiro të paktën 40% të vlerës së investimit në tre vitet financiare të fundit të marra së bashku.

Zyrtarizmi i miksit hoteleri dhe real estate automatikisht i bën investitorët përfitues të lehtësisë, sidomos e lidhur me taksën e infrastrukturës, ndërkohë që përqendrimi në këtë model nuk është vetëm në zonat e bregdetit apo ato që njihen qartësisht si destinacione turistike, por edhe në kryeqytet ku kulla-mania është shfaqur si një tendencë me një sërë projektesh që kanë kaluar edhe provën e Këshillit Kombëtar të Territorit.

    Cilat janë 10 brand name që kanë interes për Shqipërinë

    Prej më shumë se një viti ka një përdorim me doza të shumta të fjalës brand name (markë e njohur) e lidhur me hotelerinë dhe kryesisht me menaxhimin. Ministri për Turizmin dhe Mjedisin ka theksuar se janë të paktën 15 emra të njohur brand name që kanë shfaqur interes për Shqipërinë, nga të cilat ka renditur 10 prej tyre.

    Hilton Garden Inn është hyrja më e fundit në tregun shqiptar të hotelerisë, duke hapur zyrtarisht rezervimet në fund të shtatorit. Pak para hapjes së hotelit, në një takim për mediat, Menaxheri i Përgjithshëm Hilton në Shqipëri, Michael Walker, i pyetur lidhur me interesin për të përfituar statusin special për investitorët në hotele me 4 dhe 5 yje (vetë Hilton në Tiranë është klasifikuar si një strukturë akomoduese me katër yje) u shpreh se kompania ka interes për këtë lehtësi, porse kuadri ligjor për hapat që duhet të hidhen mbetet ende i paqartë. Hilton Garden Inn Tirana është pjesë e Hilton Worldwide Holdings, që raportoi të ardhura neto prej 164 milionë dollarësh në fund të tremujorit të tretë të vitit 2018. Kompania zotëron në portofolin e saj 19 marka, në 109 vende të botës, me më shumë se 5500 struktura.

    Hyatt pritet të hyjë në tregun shqiptar nëpërmjet një marrëveshje me kompaninë Kastrati. Hyatt Hotels Corporation është një kompani hoteliere që zhvillon, zotëron, operon dhe menaxhon franchaise apo licenca, duke dhënë shërbime për hotele dhe resorte rezidenca, duke operuar në katër segmente. Kompania operon pronat e saj nën brandin dhe patentat Hyatt, Park Hyatt, Miraval, Grand Hyatt, Hyatt Regency, Andaz, Hyatt Centric, The Unbound Collection by Hyatt, Hyatt Place, Hyatt House, Hyatt Ziva, Hyatt Zilara, Echale, Hyatt Residence Club, Hyatt Residences, World of Hyatt dhe Hyatt Resorts. Më 30 shtator 2018, portofoli i saj kishte rreth 750 pasuri në 55 vende. Kompania ka zyrat e saj qendrore në Çikago, Ilinois në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Marriott International, e cila nënshkroi hyrjen në tregun shqiptar vetëm dy javë më parë, është një kompani globale në fushën e hotelerisë me 6700 pasuri, në 130 vende, duke raportuar 22 miliardë të ardhura në vitin fiskal 2017. Kompania ka mbi 90 vite në treg dhe ka zyrat e saj qendrore në Uashington, në SHBA. Kompania ka në portofolin e saj një seri markash të njohura në sektor, përfshirë Sheraton, i cili u largua nga Shqipëria në fund të vitit të shkuar, një ikje kjo që ndodhi para se Marriott të përfshinte në portofol edhe Sheraton.

    Falkensteiner Hotels & Residences zotërohet dhe operohet nga një grup në Carinthia dhe Vjenë. Falkensteiner Hotels and Residences më herët njihej si Falkensteiner Hotels. Kompania u deklarua si pjesë e tregut shqiptar dhe aktualisht është njoftuar si menaxhuese e KEP Merli, një nga komplekset turistike në Jug të vendit.

    Lindner, kompania gjermane që ka investuar më drejtpërdrejt në tregun e pasurive të paluajtshme në vendin tonë, përmes Tirana Bussines Park, ka marrë miratimin për të vijuar me ndërtimin e një hoteli brenda kompleksit të saj në zonën e Rinasit. Leja e ndërtimit është dhënë për “MK-Hotel Tirana”, me vendndodhje brenda kompleksit Tirana Business Park, Bashkia e Vorës, me subjekt zhvillues “Tirana Business Park” sh.p.k. Hoteli do të menaxhohet nga MK Hotels, që është një kompani e re nën Lindner Group me një seri hotelesh në Gjermani, Londër, Kroaci.

    Meliá Hotels International është një grup spanjoll që operon në menaxhimin e hoteleve dhe resorteve. Në Shqipëri, ky grup ka një marrëveshje të deklaruar me EdilAl për San Pietro Resort që po ndërtohet në Gjirin e Lalëzit. Melia është themeluar në vitin 1956 në Palma de Majorka dhe është një nga zinxhirët kryesorë hotelierë në Spanjë. Kompania operon aktualisht 370 hotele, në 43 vende

    AlpiTour është një kompani italiane, e krijuar në vitin 1947, e specializuar në transferta për evente speciale, ndërkohë që sot në shërbimet e saj përfshihet operimi turistik, fluturimet, menaxhimi i hotelerisë. Lidhur me këtë të fundit, ky grup menaxhon zinxhirin e VOI Hotels, që përfshin fshatra turistikë, resorte dhe hotele. VOI Hotels ka 14 struktura në disa nga pikat më atraktive botërore si Sardenja, Madagaskar, Zanzibar dhe Kubë. Ende është e paqartë se cili do të jetë partneri i AlpiTour në Shqipëri pasi është lakuar vetëm interesi që kompania ka për të hyrë në vendin tonë.

    Relais And Châteaux u themelua në 1954 dhe është një shoqëri që ka 550 hotele dhe restorante që operohen në mënyrë të pavarur nga mirëmbajtës, shefa kuzhine apo pronarë. Relais and Châteaux operon hotele nga vreshtat e Napa Valley në Provincën Franceze e deri tek plazhet e Oqeanit Indian.

    Kempinski Hotels është grupi më i vjetër i hotelerisë në Europë dhe që ka shfaqur interes edhe për Shqipërinë. Kompania ka nisur aktivitetin e saj në vitin 1897, me zyrat e saj në Gjenevë të Zvicrës. Sot Kempinski Hotels operon një portofol ndërkombëtar në 76 hotele, me pesë yje, në 31 vende. Prej vitit 2017, ky grup zotërohet në pjesën mazhoritare nga një aksioner nga Bahrejni, ndërkohë që grupi tajlandez që kishte shumicën, nga 2004 e deri sot është në minorancë.

    Bluserena është një kompani italiane që menaxhon një seri hotelesh dhe vilash turistike në Itali. Kompania është lakuar së fundmi në disa deklarata të bëra nga përfaqësues të qeverisë, për një interes të shprehur për Shqipërinë. Bluserena, sipas faqes së saj në internet, ka qendrën e saj në Pescara në Itali dhe operon si një degë e Carlo Marescaspa. Aktualisht ka nën menaxhim një seri hotelesh me 4 dhe 5 yje në zona si Sardenja, Sicilia, Kalabria, Pulia, Abruzo dhe Piedmont./MONITOR

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco