Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

‘Gropa e borxhit dhe taksa e përjetshme’

‘Gropa e borxhit dhe taksa e përjetshme’

18:38, 31/10/2018
A+ Aa A-

Nga Julian Saraçi

Borxh, borxh, borxh! Borxh deri sa të bëhet taksë e përjetshme!

Sipas ligjit, pra në formën zyrtare borxhi përkufizohet si vijon: “Borxh shtetëror është shuma e përgjithshme e borxhit të shtetit, e emetuar në monedhën kombëtare dhe/ose në një monedhë zyrtare të ndryshme nga monedha kombëtare, i cili nuk përfshin detyrimet financiare të bashkive/komunave apo të ndonjë autoriteti tjetër të pushtetit vendor. Për efekt të përllogaritjes së borxhit shtetëror, në rastin kur një  detyrim i papaguar është emetuar në një monedhë të ndryshme nga monedha kombëtare, ai vlerësohet në monedhën kombëtare, sipas kursit zyrtar të këmbimit, të shpallur nga Banka e Shqipërisë, në çastin e vlerësimit.”

Qeveria përgatit buxhetet vjetore dhe akoma më në detaje cdo vit parashikon të ardhurat që do të mbledhë, kryesisht ato tatimore dhe më tej ato prej institucioneve publike fitimprurëse dhe planifikon shpenzimet e saj qeveritare, të cilat mund ti ndajmë për thjeshtësi në investime kapitale afatgjata dhe për nevojat e përditshme si psh zyrat e agjensitë shtetërore. Për vendet në zhvillim, planifikimi bëhet në deficit, pra gjithmonë parashikohet që të ardhurat vjetore do të jenë më të ulëta se shpenzimet totale vjetore, e kësisoj formohet një deficit buxhetor. Shuma e këtyre deficiteve përgjatë viteve përbën atë që ne e quajmë borxh shtetëror. Për të qenë të drejtë, borxhi mund të rritet jo vetëm për të mbuluar deficitet, por edhe për të investuar në ekonomi.

Në mënyrë që të shlyejmë borxhin total, nevojitet që cdo vit të dalim me suficit (tepricë të ardhurash) dhe ky suficit përgjatë viteve të shërbejë për shlyerjen graduale të borxhit total. Për statistikë, Shqipëria kurrë nuk ka rezultuar me suficit, as me balancë neutrale, por gjithmonë me një nivel të caktuar deficiti.

Duke u nisur nga fjalia e mësipërme, unë kam të drejtë logjike ta përkufizoj borxhin publik si një paaftësi e vazhdueshme ekzekutive, një mungesë vullneti për ta ulur nivelin e tij, një pragmatizëm politik dhe miopizëm afatshkurtër kombëtar dhe si një abuzim legjislativ për të cuar para drejtësisë shpërdoruesit e fondeve publike duke rritur shpenzimet dhe të gjithë ato që kryejnë evazion kolosal duke sjellë më pak të ardhura për shtetin tonë.

Deficiti buxhetor mund të mbulohet me 3 mënyra. Së pari, duke rritur nivelin e tatimeve e taksave, ose duke rritur performancën e tyre në procesit e mbledhjes. Së dyti, duke ulur shpenzimet qeveritare të spektaklit e ato pragmatiste për të marrë më shumë vota në zgjedhje. Së fundi, duke marrë borxh, i cili mund të jetë i brendshëm apo i jashtëm, afatshkurtër apo afatgjatë, në lekë apo në valutë të huaj. Po cfarë ka ndodhur me borxhin e Shqipërisë? Le të bëjme disa pohime objektive.

1. Borxhi në Shqipëri ka ardhur në rritje, sidomos pas vitit 2012, duke arritur pikën më të lartë në vitin 2015 me mbi 72%. Kjo ka sjellë një rritje të interesave që paguajmë, për shkak sesa më i lartë të jetë borxhi publik i një vendi, aq më i madh është risku i perceptuar nga huadhënësit. Po ashtu borxhi publik ka efekt negativ mbi nivelin e inflacionit, pasi rrit sasinë e parasë në ekonomi, pa e rritur ekonominë reale në mënyrë efektive.

2. Po të shohim, nga 2007 e në vijim ka patur një tendencë për të kaluar nga borxhi afatshkurtër në atë afatgjatë, pra kjo tregon perspektivën pragmatiste të politikanëve për të zgjidhur hallet e mandatit të tyre qeverisës, duke ngarkuar vendin me një borxh të madh.

3. Borxhi për Frymë është një tregues që përllogaritet si raporti i borxhit total të marrë nga qeveria me numrin e popullsisë në vitin ushtrimor. Ky tregues ka ardhur në rritje vit pas viti. Në vlerë absolute Borxhi për Frymë në 2018-n përllogaritet të jetë 395,015 lekë, në 2017 llogaritet 382,650 dhe në 2012 afërsisht 250,000 dhe në 2010 pothuajse 245,000 lekë. Një mungesë e qartë vizioni politik, i cili reflektohet në pasoja të rënda ekonomike afatgjata.

4. Në vitin 2018 përqindja e rritjes së stokut të borxhit me bazë vjetore është 3.13% krahasuar me 2017 ku rritja e stokut të borxhit ishte 2.29%. Pika më e lartë e rritjes së stokut ka qenë në 2014 me 10.49%, mirëpo rënia e tij vitet e fundit nuk është objektive, për arsye se pjesa më e madhe e borxhit është borxh i jashtëm në EURO me rreth 57%. Kështu që një ndër shkaqet kryesore ka qenë edhe zhvlerësimi i monedhës Euro përkundrejt valutës vendase.

5. Kosto e borxhit në total apo totali i interesave që paguajmë në 2018 parashikohet të jetë 41.5 mld lekë. Në 2018-n rritja e kostove të borxhit për frymë përllogaritet të jetë 9.61 pikë përqindje. Një vit më parë kostot e borxhit për frymë u rritën me 4.64 pikë përqindje Për sa i përket kostove të borxhit për frymë për periudhën nga 2010-2018, treguesi shënoi vlerën më të lartë në 2013, kur përllogaritej të ishte 14 952 lekë. Kostot e borxhit për frymë nga kanë qënë në rritje gjatë viteve të fundit, kryesisht për shkak të interesave, të cilat janë dyfishuar në krahasim me një vit më parë. 

Të gjithë këto statistika dhe fakte tregojnë që borxhi në Shqipëri vitet e fundit është rritur dhe vazhdon të rritët, interest janë në nivelet më të larta dhe në rritje gjithmonë e më tepër dhe secili prej nesh detyrohet të marrë mbi supet e veta një barrë shumë të lartë cdo vit, të cilën nuk e meriton. Sot, ne kemi arritur në pikën që po marrim borxh për të paguar interesat dhe kjo është shenjë që sinjalizon që kemi arritur në prag të falimentimit total si shtet.

Borxhi publik është një barrë për shoqërinë, dëmton rëndë investimet private, rritjen ekonomike, shpresën e popullit, thellon varfërinë, rrit varësinë financiare dhe është argument që shpenzimet qeveritare janë të fryra dhe performance e realizimit të të ardhurave të mbledhura qesharake.

Borxhi është një taksë që po na ngarkohet ne dhe brezave pas nesh, fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona dhe unë sot plotësisht pohoj që ulja e borxhit publik duhet të jetë një angazhim kombëtar dhe detyrë patriotike e secilit duke filluar nga vullneti politik dhe te puna jonë e përditshme, nga maja e piramidës shoqërore deri te baza e saj! Të gjithë duhet të hedhim nga një grusht dhè te gropa e borxhit e ta mbulojmë përpara sesa ne të jemi brenda gropës së borxhit dhe ajo të na mbulojë ne!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco