200 VIP-at në kurthin e ndërtimit Foto ilustrim

200 VIP-at në kurthin e ndërtimit

07:52, 23/09/2018
A+ Aa A-

Renditja e 200 kompanive më të mëdha sipas xhiros në vitin 2017 dhe ecuria e tyre është një pasqyrë e saktë e asaj që po ndodh me ekonominë shqiptare: një rritje që po mbahet në këmbë nga gazsjellësi TAP dhe një orientim i parave të lira në ndërtim (40% e hyrjeve të reja janë nga ky sektor). Në renditje mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese, ato që vetëm faturojnë, ndërsa përpunuesit po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt fundit të listës…

Nga Ornela Liperi, Monitor

Nëse do të kuptosh se në çfarë drejtimi po shkon ekonomia shqiptare, mjafton të shohësh ecurinë e 200 sipërmarrjeve më të mëdha, të cilat në vitin 2017 qarkulluan 7.3 miliardë euro, ose rreth 63% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kompanitë me rritjen më të madhe janë ato të lidhura me gazsjellësin TAP, projekti më i madh që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë prej rreth 1.5 miliardë eurosh.

Projekt, që për fat të keq, pritet të përfundojë në 2019-n, duke ndërprerë një nga burimet më të mëdha të rritjes ekonomike, që siç kanë paralajmëruar edhe institucionet ndërkombëtare, duhet zëvendësuar me sektorë me vlerë të shtuar të lartë.

Por, çfarë po ndodh në realitet? Ka një orientim të dukshëm drejt ndërtimit, kryesisht atij rezidencial. Nga 27 hyrje të reja në listën e 200 më të mëdhenjve, 40% e tyre i përkisnin sektorit të ndërtimit, kryesisht rezidenciale. Si asnjëherë tjetër në renditjen e 200 më të mëdhenjve ka 32 kompani ndërtimi, ose të lidhura me këtë sektor. Për krahasim, në vitin 2012 kishte 16 sipërmarrje ndërtimi dhe në 2014-n numri i tyre ishte 17, pjesa më e madhe e të cilave ishin në segmentin e infrastrukturës rrugore.

“Dashuria” shqiptare për ndërtimin është e vjetër në historinë e re të tranzicionit. Të dhënat e përditësuara të INSTAT për vitin 2016, tregojnë se 74.3% e investimeve të brendshme në ekonomi shkuan pikërisht në sektorin e ndërtimit. Në krahasim me 1996-n, që është viti i parë që INSTAT e raporton këtë të dhënë, ndryshimi, për një vend që është mbushur kudo me beton, është fare i vogël. Në 1996-n, pesha e ndërtimit në investimet e brendshme ishte 79.7%.

Investimi në ndërtim mund të ndikojë në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, duke shkuar në linjë të kundërt me atë që kanë rekomanduar ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare.

Përveç ndikimit të TAP dhe revanshit të ndërtimit, fotografia e 200 më të mëdhenjve mbetet e njëjtë. Mbizotërojnë kompanitë që shesin e rishesin naftë, duke rritur artificialisht xhiron, ka pa fund biznese tregtare që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal, ndërsa industria përpunuese sa vjen e po zbret gjithnjë e më shumë në renditje. Për kompani të reja, as që bëhet fjalë. Me aktivitet të qëndrueshëm janë bankat, sigurimet e telekomunikacionet.

Ka vijuar dhe dukuria e subjekteve, që po realizojnë qarkullime të larta, por kanë asete minimale, një grusht punonjësish dhe që janë shumë të paqëndrueshme, me rritje të shpejtë të xhiros e mbyllje një vit më pas. Ato mbizotërojnë në tregti, por vitet e fundit janë shtuar dhe në sektorin e telekomunikacioneve përmes faturimit të impulseve telefonike.

Nuk mungojnë as lojërat e fatit, që aksioni “Fundi i marrëzisë” i vitit 2013 vetëm sa u ka sjellë më shumë fat dhe po njohin rritje të qëndrueshme dyshifrore vit pas viti.

Prej disa vitesh janë ndër 200 më të mëdhenjtë edhe subjektet e agjencive të udhëtimit, por kjo ka ardhur më shumë si rrjedhojë e ndryshimeve në raportimet kontabël, të cilat janë të detyruara të raportojnë si të ardhur edhe vlerën e biletave që tregtojnë, jo vetëm të komisioneve, siç ndodhte më parë.

“Monitor” ka hartuar renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend sipas të ardhurave, bazuar në listën me emra nga Tatimet dhe xhirove të deklaruara nga subjektet në bilancet e dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Në numër mbizotërojnë subjektet me aktivitet në fushën e tregtisë, të ndjekura nga ndërtimi, financa, nafta, industria përpunuese (shih grafikun).

10 MË TË MËDHENJTË

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)

Për të katërtin vit radhazi, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka deklaruar një ecuri pozitive, me të ardhura të qëndrueshme, që kur kaloi nën administrimin e shtetit në janar të vitit 2013. Të ardhurat nga aktiviteti në 2017-n ishin 53.5 miliardë lekë (rreth 404 milionë euro), me një rritje prej 3.3% me bazë vjetore, ndërsa të ardhurat totale operative (përfshirë të ardhurat e tjera, kryesisht penalitetet për pagesa me vonesë) arritën në 60.4 miliardë lekë). Për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të shpenzimeve nga importet e larta, të detyruara nga situata e thatësirës, fitimi para taksave ra nga 21.4 në 2016-n, në 3.4 miliardë lekë. 2018-a pritet të jetë viti i fundit i mbizotërimit të operatorit të shpërndarjes, pasi ai është ndarë tashmë në tre kompani bija të shpërndarjes, furnizimit dhe shërbimit, si një detyrim ligjor, në bazë të paketës së energjisë, por synon edhe një menaxhim më të mirë.

Kastrati sh.a.

Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë në vend, Kastrati SH.A. ka ruajtur vendin e dytë në 2017-n, teksa aktiviteti i saj ka qenë me tkurrje të lehtë për të tretin vit radhazi. Kompania raportoi 43.1 miliardë lekë të ardhura (rreth 324 milionë euro), me një tkurrje prej 2.2% me bazë vjetore, sipas të dhënave nga bilanci i saj. Luigj Aliaj, drejtues në këtë shoqëri, thotë se xhiro në kompanitë e tregtimit të karburanteve nuk është shumë e rëndësishme, pasi është e varur nga çmimet e naftës. Në raport me të ardhurat, fitimet mbeten minimale, në 1.2 miliardë lekë para taksave, me një normë përfitueshmërie prej 2.7%.

Spiecapag

Spiecapag, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë, në kuadër të gazsjellësit TAP. Në Shqipëri ka dy kompani, SPIECAPAG – Shqipëria dhe SPIECAPAG Transadriatica, të krijuara në vitin 2016. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së Spiecapag.

SPIECAPAG – Shqipëria është ngjitur në vendin e tretë në 2017-n, nga i nënti një vit më parë, pasi pati rritje të ardhurash prej 85% në 28 miliardë lekë, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk kishte dorëzuar ende një bilanc në datën kur “Monitor” kontrolloi në QKB për të).

Edhe sipërmarrja tjetër, SPIECAPAG Transadriatica, që ka si objektiv aktiviteti ndërtimin e linjës furnizuese të gazsjellësit TAP u rendit e 11-a, pas një trefishimi të të ardhurave në 17 miliardë lekë.

Joint Venture Renco Terna – dega e Shqipërisë, është një tjetër kompani që kryen punime infrastrukture për TAP dhe ka parë katërfishim të të ardhurave në 2017-n, për të arritur në 3.4 miliardë lekë (vendi i 72-të).

Bankers Petroleum

Bankers Petroleum, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos Marinzën, ka zbritur këtë vit në vendin e katërt, pavarësisht rritjes së të ardhurave në vitin 2017. Qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 24 miliardë lekë, me një zgjerim prej rreth 17%. Përmirësimi i koniunkturës së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar pozitivisht për Bankers, që vijon gjithsesi të deklarojë humbje, që për vitin 2017 u reduktuan në 4 miliardë lekë. 2017 ishte viti i parë i plotë kur Bankers ishte nën kontrollin e kinezëve të Geo-Jade Petroleum Corporation (“Geo-Jade”), e cila bleu në shtator të 2016-s të gjitha aksionet e zakonshme të emetuara dhe në qarkullim të Bankers Petroleum Ltd.

Europetrol Durrës Albania

Europetrol Durrës Albania ka kaluar sërish në operatorin e dytë të tregtimit të naftës në vend dhe është prej disa vitesh ndër 10 më të mëdhenjtë. Pas rënies së një viti më parë, kompania ka zgjeruar ndjeshëm të ardhurat me 44% në 21.7 miliardë lekë. Fitimi i kompanisë ishte vetëm 123 milionë lekë në vitin 2017.

Genklaudis

Genklaudis SH.A. është renditur në 2017-n si operatori i tretë më i madh i naftës në vend, duke ia lënë vendin e dytë Europetrol Durrës Albania. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 20.7 miliardë lekësh, me një rritje prej 30% me bazë vjetore. Pas humbjeve të vitit të kaluar, ka rezultuar me një fitim minimal.

Kurum Albania

Kurum Albania është ngjitur sërish në dhjetëshe, pasi falimenti për efekt ristrukturimi i shpallur në mars të vitit 2016 duket se ka funksionuar. Të ardhurat e prodhuesit dhe përpunuesit të çelikut arritën në rreth 20 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 44%. Arif Shkalla, drejtor i financave pranë Kurum, pohon se kreditë janë ristrukturuar dhe po shlyhen normalisht, prodhimi po rritet ndjeshëm, eksportet kanë rifilluar, shoqëria iu është rikthyer fitimeve dhe brenda 7 vjetësh, planifikon të shlyejë gjithë kreditorët.

Më 16 mars 2016, kompania hapi procedurën e falimentit në Gjykatën e Tiranës dhe më pas, më 15 prill, u hap procedura e falimentit për efekt ristrukturimi, teksa kompania parashikoi që në të ardhmen e afërt, do të kishte pamundësi pagese të detyrimeve afatshkurtra, ndaj u vendos që të kërkonte falimentimin për efekt ristrukturimi. Në 2016-n u bë verifikimi i gjendjeve financiare dhe i pretendimeve të kreditorëve, që rezultoi rreth 226 milionë euro, u negociua me kreditorët dhe në mes të vitit 2017 u miratua plani i organizimit të kompanisë që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave deri në vitin 2023 dhe u ristrukturuan kreditë.

Riorganizimi i shoqërisë, ristrukturimi i kredive, së bashku me rritjen e çmimeve të metaleve në tregjet ndërkombëtare bënë që performanca e kompanisë të përmirësohej ndjeshëm në vitin 2017. Të ardhurat e tatueshme arritën në 20 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 70%. Për herë të parë pas dy vitesh radhazi me humbje, Kurum deklaroi fitime operative prej 932 milionë lekësh dhe fitim në bilanc prej 364 milionë lekësh. Më e dobët ishte performanca e hidrocentraleve, të ardhurat e të cilëve ranë me 30% për shkak të thatësirës.

Banka Kombëtare Tregtare

Banka Kombëtare Tregtare, që prej disa vitesh, është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, kredinë, depozitat dhe të ardhurat, ka vijuar të ruajë pozicionin e saj në 10 më të mëdhenjtë. Qarkullimi i saj vjetor, sipas raportimit në bilanc, ishte rreth 19.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10% në raport me vitin e mëparshëm. Banka deklaroi fitime para taksave prej 8.4 miliardë lekësh.

Z. Seyhan Pencapligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) është shprehur optimist në një intervistë të mëparshme për “Monitor” lidhur me ecurinë e 2018-s. “Do të jetë një tjetër vit pozitiv në sektorin bankar dhe ne presim përmirësim të mëtejshëm të portofolit të kredive të këqija. Këto mund të konsiderohen si hapa drejt normalizimit pas periudhës së krizës, e cila prodhoi një efekt negativ në të gjitha aspektet e sistemit bankar, madje edhe për ekonominë në tërësi. Pritshmëritë pozitive për rritjen ekonomike dhe nismat e Partneritetit Publik Privat të qeverisë po nxisin optimizmin më tej. Gjithashtu, ne kemi vendosur objektiva optimistë për 2018-n, kemi synimin që të financojmë rritjen ekonomike të vendit”, ka pohuar ai.

Eroil

Eroil, me aktivitet në tregtimin me shumicë të karburanteve, është një hyrje e re ndër 10 më të mëdhenjtë në vend, pas trefishimit të aktivitetit në 18 miliardë lekë. Pavarësisht xhiros së lartë, fitimi ishte vetëm 2.6 milionë lekë. Kompania është krijuar në 2013-n dhe në vitin 2016 hyri ndër 100 më të mëdhatë, duke u renditur në vendin e 29.

Vodafone Albania

Operatori më i madh i telefonisë së lëvizshme në vend, Vodafone, ka raportuar të ardhura prej 17.2 miliardë lekësh në vitin 2017, pothuajse të pandryshuara nga një vit më parë, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit).

Daljet nga Top 10

Në vitin 2017 janë shënuar dy dalje nga 10 më të mëdhenjtë. E para është Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila ka zbritur nga vendi i katërt në vendin e 18, pasi të ardhurat e prodhuesit të energjisë ranë ndjeshëm me 37%, në 11.2 miliardë lekë. Arsyeja kryesore e rënies lidhet me thatësirën e 2017-s, që detyroi kompaninë të kufizonte prodhimin. Kjo çoi dhe në një rënie të fitimeve para taksave nga 1.8 miliardë lekë në 2016-n, në 506 milionë lekë. Aktiviteti i kompanisë është rimëkëmbur në pjesën e parë të 2018-s, si rrjedhojë e reshjeve të bollshme.

Raiffeisen Bank është dalja tjetër nga 10 të mëdhenjtë, duke zbritur nga vendi i 10 në të 19-in, pas rënies së të ardhurave me 12% në 10.6 miliardë lekë. Gjithsesi, banka përmirësoi ndjeshëm rezultatin financiar, teksa fitimi para taksave arriti në 4.5 miliardë lekë, nga 4.4 miliardë lekë që kishin qenë humbjet vitin e mëparshëm.

ULJE-NGRITJET E NAFTËS

Katër sipërmarrje në fushën e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve renditen ndër 10 më të mëdhenjtë në 2017-n. Kastrati është pozicionuar prej vitesh si operatori më i madh në tregtimin e naftës dhe po fiton terren çdo vit e më shumë, i ndjekur nga Europetrol Durrës Albania dhe Genklaudis. Subjektet e tjera kanë luhatje të mëdha vit pas viti. Në 2017-n është Eroil ai që iu afrohet të mëdhenjve pas trefishimit të aktivitetit.

Aktivitet pozitiv kishte Bolv Oil, që deklaroi rritje të të ardhurave me 22%, në 9.2 miliardë lekë.

Gega Center GKG u rrit me 14.4%, teksa deklaroi të ardhura prej 3.7 miliardë lekësh. Edhe kompania tjetër e grupit, Gega Oil shënoi rritje të ndjeshme me 75% të të ardhurave, në 2.5 miliardë lekë.

RDA Petrol rriti të hyrat me 11.5%, në 2.8 miliardë lekë.

Tenet dhe Krasniqi SA janë hyrjet e reja të 2017-s, duke deklaruar xhiro përkatësisht 1.9 dhe 1.8 miliardë lekë.

2 A & 2 E dhe AFT panë rënie të të ardhurave përkatësisht me 18.6 dhe 8.8%.

Nafta vijon të jetë sektori me rikonfigurime të mëdha, mbyllje të kompanive, rritje apo rënie stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke tërhequr gjithnjë aktorë të rinj, ndonëse ka norma fitimi shumë të ulëta, sidomos tregtimi me shumicë.

Everest Oil, që në 2014-n ishte tregtuesi i tretë më i madh, në 2017-n ka dalë nga lista e më të mëdhenjve, pas tkurrjes së fortë për tre vjet radhazi.

Tjetër dalje nga lista janë Klodi SH.A që, pas rritjes së ndjeshme të të ardhurave, filloi rënien në 2016-n e më pas në 2017-n dhe A.K.F. Petroleum.

Sun Petroleum Albania, e cila në fillim të 2018-s i dha fund aktivitetit, ishte në vitin 2017 ndër kompanitë kryesore, me të ardhura 3.8 miliardë lekë, duke shënuar rritje prej 18.4%. Por në mes të muajit prill 2018, Sun Petroleum Albania ndërpreu furnizimin me naftë, ndërkohë që deri në ditën që ndërpreu aktivitetin kishte shitur te klientët qindra tollona, në një skemë që rezultoi minipiramidë, duke lënë detyrime të shumta të papaguara në shtet, furnitorë e klientë. Kompania është tashmë nën hetim nga Prokuroria për mashtrim ndaj klientëve, shtetit e të tretëve.

Ionian Refinind and Trading Company – IRTC, e cila nga shtatori 2016 deri në fund të vitit 2017 shfrytëzoi rafinerinë e përpunimit të naftës ARMO, nuk figuron në listën e Tatimeve dhe nuk ka deklaruar bilanc për vitin 2017. Të dhënat e fundit i përkasin 2016-s, kur subjekti deklaroi të ardhura prej 1.7 miliardë lekësh. Në dhjetor 2017, IRTC ndërpreu aktivitetin, duke lënë pas detyrime të papaguara prej 4.7 miliardë lekësh, kryesisht taksë qarkullimi, sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet. Por, një tjetër subjekt i lidhur me IRTC rezulton në listën e më të mëdhenjve, Tosk Energy, që ka dyfishuar të ardhurat në 4.6 miliardë lekë në 2017-n. Mësohet se ky subjekt tregton naftën e përpunuar nga ARMO. Në qershor të vitit 2016, Tosk Energy e bleu CFD Conseils Sarl, një shoqëri e së drejtës zvicerane, e përfaqësuar nga z. Christophe Darbord, i cili është administrator i ARMO.

Të gjithë operatorët e tregtimit të karburanteve (pa përfshirë prodhuesin Bankers), qarkulluan 164 miliardë lekë, rreth 1.2 miliardë euro (rritje 25% me bazë vjetore), ose gati 17% të xhiros së 200 VIP-ave. Në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot.

TELEKOMUNIKACIONET NË RËNIE

Tregu i telefonisë celulare po riformatohet me shpejtësi, në linjë me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe internetit. Ai po orientohet drejt datave, broadband, teknologjive të reja dhe shërbimeve nëpërmjet celularit dhe internetit, duke përfshirë shërbimet financiare dhe bankare, si dhe transportin. Interneti e ka bërë komunikimin më të lirë, duke ndikuar në uljen e ndjeshme të trafikut ndërkombëtar, që është një nga burimet kryesore të të ardhurave të kompanive.

Kjo ka sjellë rënie të lartë të të ardhurave të tregut të telefonisë, që dominohet nga operatorët celularë. Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të ardhurat totale të sipërmarrësve nga komunikimet elektronike për vitin 2017 ranë me 13% në raport me një vit më parë, duke arritur në 37 miliardë lekë. Edhe normat e fitimit janë ulur ndjeshëm, larg viteve të arta kur subjektet kishin një normë përfitueshmërie prej rreth 50%.

Vodafone mbetet më i madhi në tregun e telefonisë celulare dhe ka arritur të mbajë të ardhurat e pandryshuara në 17.2 miliardë lekë.

Telekom Albania, operatori i dytë më i madh në treg, pa një rënie të të ardhurave me 14% në 9.1 miliardë lekë. Sipas deklarimeve në bilanc, për herë të parë që kur nisi aktivitetin, Telekom Albania deklaroi një humbje të thellë prej 4.8 miliardë lekësh, nga fitimet minimale prej 156 milionë lekësh të një viti më parë.

Edhe për Albtelecom, rënia e të ardhurave ishte dyshifrore. Qarkullimi i operatorit të telefonisë fikse dhe celulare ra me 11.5% në 8.2 miliardë lekë.

Plus Communication ka vijuar të jetë në listën e më të mëdhenjve, teksa ka ushtruar aktivitet deri në nëntor, duke deklaruar të ardhura prej 2.5 miliardë lekësh (-18.3%). Kompania e katërt e telefonisë celulare, një investim i sipërmarrësve shqiptarë, u tërhoq nga tregu në fund të 2017-s, tetë vjet pasi kishte filluar aktivitetin. Ekzistenca e grupeve dhe “klubeve” brenda operatorëve të mëdhenj, mosndërhyrja e autoriteteve, mosrregullimi i tregut dhe vonesa në licencën 3G e vunë kompaninë në vështirësi dhe në vitin 2014, humbjet ishin 1.4 miliardë lekë, nga 1.8 miliardë lekë që ishte totali i të ardhurave, çka krijoi probleme dhe në shlyerjen e një kredie sindikatë, të marrë për zhvillimin e aktivitetit (të cilën më pas e morën përsipër aksionerët).

Abcom është një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet), që ka parë ngadalësim të aktivitetit dy vitet e fundit. Pas rënies së lehtë të të ardhurave në 2016-n, kompania u zgjerua me 2.5% në 2017-n, në 1.8 miliardë lekë.

Vitet e fundit po shënojnë rritje operatorët që veprojnë në tregun e telekomunikacioneve përmes shitjes së shërbimeve në tregjet e huaja ose menaxhimin e faturimit të trafikut telefonik.

INFO TELECOM ka vijuar të ketë të ardhura të larta, që arritën në 14.9 miliardë lekë, me një rritje prej 9.3%, duke u renditur e 12-a në vend sipas qarkullimit vjetor. Sipas specifikimeve në bilancin zyrtar, 99% e të ardhurave të kompanisë janë nga eksportet e shërbimeve (dhe 99% të shpenzimeve janë importe) dhe vetëm 1% janë të ardhura nga shërbimet e komunikimeve elektronike nga Shqipëria. Kjo kompani ka shënuar edhe ndryshim të aksionerëve. Marin Gjonaj ka blerë 60% të aksioneve të Anisa Skëndaj në maj 2018, sipas lëvizjeve të reflektuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Z.Gjonaj më herët zotëronte 40% të aksioneve të Info Telecom dhe ka marrë në këtë mënyrë kontrollin 100% të kompanisë. Ai ka blerë dhe aksionet e znj.Skëndaj në dy kompanitë e tjera Digicom dhe Pro Marketing, duke krijuar grupin Gjonaj.

BWB, e krijuar në 2014-n, me aktivitet në instalimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e impianteve për rrjete telefonie fikse dhe mobile, si dhe menaxhimin e faturimit për trafikun telefonik brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka katërfishuar të ardhurat në 8.4 miliardë lekë.

ALPI-COM HOLDING (blerja apo disponimi mbi pjesëmarrje në kapital në korporata/ telekomunikacion), raportoi të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh, me një rënie prej 37% me bazë vjetore.

FLED COMMUNICATION me aktivitet në shitje, blerje, tregtim të trafikut telefonik me shumicë, që në 2016-n deklaroi të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh, ka pezulluar aktivitetin në shtator të 2017-s, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

DISTRIBUTORËT, NË RRITJE NGA PËRMIRËSIMI I KONSUMIT

Distributorët, të përqendruar në segmentin FMCG (mallrat e konsumit që lëvizin shpejt nga raftet) që janë mjaft të ndjeshme ndaj prirjeve të konsumatorëve për të shpenzuar, kanë pasur përgjithësisht një vit pozitiv. Konsumi final i popullatës, sipas të dhënave të INSTAT u rrit mesatarisht me 2.7% në 2017-n, me një përshpejtim të lehtë në krahasim me 2.51% një vit më parë.

Grupi AGNA, me dy kompanitë AGNA dhe Alfa, është pozicionuar si distributori më i madh në vend. AGNAkishte një qarkullim vjetor prej 14.1 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 10.2%, duke u renditur e para. Alfa renditej në vend të katërt, me të ardhura prej 9.4 miliardë lekësh (rritje 10.4%).

Inter Distribution Service (pjesë e grupit INFOSOFT), është operatori i dytë më i madh në tregun e distributorëve. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 6.1% në 13.6 miliardë lekë.

Philip Morris Albania është zgjeruar me 6%, në 10.6 miliardë lekë, duke kaluar në vend të tretë.

Marketing & Distribution ka zbritur në distributorin e pestë më të madh në vend, pas rënies së të ardhurave në tre vitet e fundit. Në 2017-n deklaroi të hyra prej 8 miliardë lekësh, me një tkurrje prej 23% me bazë vjetore.

Rritje kanë raportuar dhe Elka SA dhe Albanian Distribution & Development, përkatësisht me 46.3% dhe 12.6%.

Në zgjerim është Balkan Monark Trade, një hyrje e re në 2016, që ka shënuar rritje të shpejtë për të dytin vit radhazi, duke u zgjeruar me 43%, në 2.1 miliardë lekë. Primall ka dalë nga 200 të mëdhenjtë, pas përgjysmimit të xhiros në 2017-n.

Kompanitë e distribucionit në përgjithësi kanë raportuar gjithmonë marzhe të ulëta fitimi, që luhaten në rreth 2%.

TREGTIA ME PAKICË

Elektroshtëpiaket

Neptun mbetet tregtuesi më i madh i produkteve elektroshtëpiake dhe elektronike në vend. Në 2017-n, të ardhurat e Neptun u rritën me 11.3%, në 7.5 miliardë lekë.

Globe Shops, një hyrje e re në 200 më të mëdhenjtë në 2016-n, ka ruajtur ritmet e larta të rritjes, duke u zgjeruar me 26% në 1.8 miliardë lekë.

Një hyrje e re në 2017-n është AZA Elektroshtëpiake, me të ardhura 1.7 miliardë lekë (19.2% rritje).

 Tregu i veshjeve, në zgjerim të vazhdueshëm

Dyqani më i madh i veshjeve në Shqipëri është ITX ALBANIA, në pronësi të grupit Zara Holding B.V, e cila po shënon rritje të shpejtë vit pas viti. Në vitin 2017, të ardhurat e tij ishin rreth 3.1 miliardë lekë, me një rritje prej 19.3% në raport me vitin e mëparshëm (të dhënat janë sipas deklarimit në Tatime, pasi kompania nuk ka dorëzuar bilanc në vitin 2017).

LC WAIKIKI Retail AL sh.p.k është operatori i dytë më i madh i tregtimit të veshjeve në Shqipëri, i fokusuar në shitjen e veshjeve me çmime të lira. Sipas deklarimeve në bilanc të të dhënave nga Tatimet, qarkullimi i saj vjetor në 2017-n ishte 3 miliardë lekë, me një rritje prej 42.5% me bazë vjetore, duke iu afruar ITX Albania.

Kid Zone (Jumbo) me aktivitet në tregtimin me pakicë (lodra, veshje për fëmijë, mjete kancelarie, rroba, dekorues dhe orendi të ndryshme shtëpiake) pa rritje të qarkullimit vjetor me 12.8%, në 1.6 miliardë lekë.

Zinxhiri i supermarketeve

Tregtia me pakicë po riformatohet vitet e fundit, teksa dyqanet e vogla po mbyllen dhe zinxhirët e supermarketeve po zgjerohen. Ulja e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, efektive nga 1 prilli 2018, pritet të formalizojë më shumë tregun, duke i dhënë hov të mëtejshëm rrjeteve të organizuara të tregtimit me pakicë.

Rrjeti i supermarketeve Spar Albania (pjesë e grupit Balfin), ka shënuar rritje të fortë në vitin e dytë të aktivitetit. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 41% në 4.9 miliardë lekë. Në dhjetor 2016, Spar përthithi edhe kompaninë tjetër të grupit me aktivitet në fushën e ndërtimit RFZ Building dhe një nga më fitimprurëset, si një mënyrë për t’i neutralizuar humbjet e rrjetit Spar.

Conad Albania, raportoi të ardhura prej 2.7 miliardë lekësh, me një rënie të lehtë prej 3.4% në raport me vitin e mëparshëm.

Eco Market Food, pas rritjes së shpejtë në 2014-n, ka raportuar stanjacion të të ardhurave në vitet e mëpasshme. Në 2017-n, qarkullimi ishte rreth 1 miliard lekë, pothuajse e pandryshuar nga një vit më parë dhe prej dy vitesh ka dalë nga lista e më të mëdhenjve.

Big Market, një prej zinxhirëve më të mëdhenj të supermarketeve në vend, nuk figuron në listën e më të mëdhenjve, pasi i deklaron të ardhurat për çdo subjekt të veçantë më vete. Kompania realizon mbi 2 miliardë lekë të ardhura në vit.

Tirana Cash & Carry (me të njëjtin aksioner si Big Market) është rritur me 17.4% në 1.9 miliardë lekë.

Rossmann-Lala, rrjeti gjerman i marketeve, po rezulton një nga bizneset më të qëndrueshme, një rritje dyshifrore vit pas viti. Në 2017-n, të ardhurat u rritën me 13.1% në gati 2.3 miliardë lekë.

Megatek, hipermarketi më i madh “Bëje vetë” DIY në Shqipëri, ka vijuar me rritje të qëndrueshme të aktivitetit. Të ardhurat e tij ishin 2.1 miliardë lekë në 2017-n, me një zgjerim vjetor prej 27%.

SHËRBIMET TELEVIZIVE, NËN PRESION

Tregu i televizioneve po gjendet në presionin e ndryshimeve teknologjike, internetit dhe zhvendosjes së preferencave të klientëve drejt shërbimeve alternative. Edhe pa këto ndryshime, tregu i televizioneve në Shqipëri kishte të ardhurat për reklamat për banor më të ulëtat në rajon, në një kohë që rritja e konkurrencës ka shtuar presionin për programe cilësore.

Digitalb, ofruesi i platformës me pagesë televizive, është operatori më i madh i shërbimeve televizive në Shqipëri. Në 2017-n, të ardhurat e kompanisë ishin 5.3 miliardë lekë, me një rënie prej 6.2% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Top Channel ka vijuar dhe për 2017-n të jetë televizioni më i madh në vend nga të ardhurat, me një qarkullim vjetor prej 1.4 miliardë lekësh, me rënie prej 15% me bazë vjetore, duke dalë nga lista e 200 të mëdhenjve.

Edhe Televizioni Klan, i dyti më i madh sipas të ardhurave, ka parë rënie të lehtë të qarkullimit vjetor në 2017-n, në 1.15 miliardë lekë, me një tkurrje prej 1.2%.

Në rënie të fortë ishte Media Vizion (Vizion Plus), të ardhurat e së cilës zbritën në 400 milionë lekë, me një tkurrje vjetore prej 15%.

LULËZIMI I NDËRTIMIT

Nëse ka një sektor që po ecën me ritme të shpejta dhe rritje të lartë është ai i ndërtimit, si në sektorin inxhinierik, ashtu dhe atë rezidencial. Qarkullimi vjetor i 26 kompanive të përfshira direkt në ndërtim u rrit me 31% në 2017-n, me bazë vjetore. Pothuajse të gjitha sipërmarrjet panë zgjerim dyshifror, disa edhe treshifror.

Në fakt, në 9 muajt e 2017-s, ndërtimi sipas INSTAT kontribuoi në gati gjysmën e rritjes ekonomike, që arriti në 3.84%, më e larta që nga viti 2008, ndërsa në tremujorin e fundit, efekti i këtij sektori ishte më i ulët. Rol kanë dhënë edhe punimet për ndërtimin e projektit të gazsjellësit TAP. Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve ku janë të përfshira.

ALB-STAR ka kaluar në 2017-n në operatorin më të madh të ndërtimit në vend, me një rritje të të ardhurave prej 23%, në 8.5 miliardë lekë. Kompania është e specializuar në punimet inxhinierike dhe sipas të dhënave në faqen e saj të internetit ka realizuar punime për pedonalen e Korçës, Unazën e Madhe në Tiranë, Ujësjellësin Pogradec etj. Edhe një prej subjekteve të grupit, Vibtis, me aktivitet në tregti, import-eksport i produkteve industriale ka shënuar rritje 78% të të ardhurave, në 2.8 miliardë lekë.

Gener 2 (me aktivitet në ndërtime civile rezidenciale e qendra tregtare) ishte në vitin 2017, operatori i dytë më i madh në fushën e ndërtimit, me një rritje prej 18.5%, në 8.45 miliardë lekë.

Turkja LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET, e angazhuar në punimet për HEC-in e Devollit, që në vitin 2015 ishte më e madhja, ka zbritur në vend të tretë, pasi të ardhurat janë ulur me 14% në 6.1 miliardë lekë.

COPRI – AKTOR, sipërmarrja greke e angazhuar në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, pavarësisht problemeve me qeverinë shqiptare për shembjen e një pjese të rrugës, ka katërfishuar të ardhurat në 6 miliardë lekë.

RAFAELO 2002, me aktivitet në tregtimin e hekurit, ndërtime rezidenciale e hoteleri është një nga kompanitë më të mëdha në vend, me të ardhura 5 miliardë lekë dhe zgjerim prej 38% me bazë vjetore.

Rritje kanë raportuar Gjikuria (në ndërtim HEC-esh, banesash e rrugësh), me 13.5%; STRABAG, me 12.2%; Joint Venture Dondi Kubota (Ndërtimi i impiantit të trajtimit të Ujërave të Zeza të Tiranës), me 32%; Salillari me 10%; Shijaku me 67%; Stërkaj me 15%; Alb Building me 85% etj., A.N.K me 60% etj.

Fusha sh.p.k., e cila fitoi tenderin për ndërtimin e qendrës së Tiranës dhe ka bërë propozimin për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, -një projekt, që i kalon 100 milionë euro investime, ku vetëm Teatri kushton 30 mln euro- raportoi të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, apo rreth 18 mln euro!.

Nuk kanë munguar as hyrjet e reja.

2T, në fushën e ndërtimeve, e krijuar që në vitin 2000, me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe projekte rezidenciale është një hyrje e re, teksa ka arritur të dyfishojë të ardhurat, në 2.2 miliardë lekë.

Një tjetër kompani ndërtimi, degë e shoqërisë së huaj kuvajtiane, Combined Group Contracting Company (K.S.C.) ka dyfishuar të ardhurat në 2.24 miliardë lekë, duke hyrë në 200 më të mëdhenjtë.

G.P.G Company, e krijuar që në vitin 1996, me aktivitet në fushën e ndërtimit të rrugëve e të tjera, ka parë rritje të aktivitetit me 47% në 1.87 miliardë lekë. Kompania është aktive në tenderët e pushtetit lokal.

Projektet e rrugëve me koncesion

Rritja e sipërmarrjeve pritet të vazhdojë, pasi disa prej tyre janë pjesë e planit 1 miliard euro, që përfshin dhënien e disa rrugëve me koncesion.

Gjoka Konstruksion, e cila ka fituar garën për të zbatuar projektin e Rrugës së Arbrit, një kontratë me vlerë 240 milionë euro, ka nisur zyrtarisht punimet.

Për projektin e Rrugës Thumanë – Fushë-Krujë – Vorë – Kashar, me fond limit rreth 245.7 milionë euro, qeveria po vlerëson ofertat, por në avantazh është Gener 2, që kishte paraqitur një ofertë të pakërkuar më herët dhe është shpërblyer me 8.5 pikë.

Kompania A.N.K ka marrë bonusin prej 8.5% të pikëve, pasi ka paraqitur një ofertë të pakërkuar lidhur me ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, një projekt me vlerë të përafërt investimi prej 100 milionë eurosh.

Për rrugën Orikum-Himarë, qeveria ka dhënë bonusin me 6% të pikëve për kompaninë Gjikuria sh.p.k. e cila ka bërë një ofertë të pakërkuar për segmentin nga Porti i Jahteve në Orikum deri tek Ura e Shën Elizës në Dukat. Kjo është faza e parë për këtë rrugë, e cila llogaritet me kosto 70 milionë euro, ku përfshihet ndërtimi, mirëmbajtja me kosto 50.5 milionë euro dhe interesat me rreth 19.5 milionë euro. Ende qëndron pezull pjesa që lidhet me fazën e dytë Orikum-Himarë, që përfshin edhe pjesën e tunelit të kësaj rruge, që mundëson shmangien e Llogorasë.

Sektori rezidencial

Ecuri pozitive kishin kompanitë e përqendruara në ndërtime rezidenciale, në linjë edhe me rritjen e lejeve nga Bashkitë. Sipas të dhënave të INSTAT, në total, në gjithë vendin në 2017-n janë dhënë 819 leje ndërtimi, me një rritje prej 88.3%, ose 384 leje më shumë.

Përqendrimi më i madh i lejeve ka qenë në kryeqytet. Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje, me një rritje prej 118% në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë. Në rritje ka qenë dhe sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet, nga 209.3 mijë metra katrorë në 2016-n, në 522 mijë metra katrorë për 2017-n. Pra për sipërfaqe, rritja ishte 2.5 herë. Sipërfaqja e planifikuar për ndërtim në Tiranë, është sa 60% e totalit për gjithë Shqipërinë.

Nga sipërmarrjet që merren me projekte rezidenciale janë raportuar dyfishim të ardhurash, duke bërë që disa prej tyre të hyjnë për herë të parë në listën e 200 më të mëdhenjve.

EDIL – AL – IT, e angazhuar në një sërë projektesh ndërtimi, ka dyfishuar të ardhurat në 2 miliardë lekë, duke hyrë për herë të parë në listën e 200 më të mëdhenjve.

Park Construction Albania, me ndërtimet në ish-uzinën Enver në Tiranë, ka rritur me shpejtësi të ardhurat, duke i trefishuar në 2017-n, në 1.9 miliardë lekë.

Alba Konstruksion është një tjetër hyrje e re në fushën e ndërtimit për banesa rezidenciale, që ka parë rritje të të ardhurave me 70%, në 1.88 miliardë lekë në 2017-n.

Curri, po në fushën e ndërtimit, e krijuar në 1993, ka shënuar edhe ajo rritje të fortë në 2017-n, me 52%, në 1.6 miliardë lekë.

Prodhimi i çimentos

Në 2017-n ka një ndryshim në renditjen e prodhuesve të çimentos. Për herë të parë, si kompania më e madhe në vend ka kaluar Antea Cement, pas rritjes së shpejtë të të ardhurave në 2017-n, që u zgjeruan me 52%, për të arritur në 6.8 miliardë lekë. Kjo performancë pozitive erdhi pas rënies prej 22% vitin e mëparshëm, teksa rimëkëmbja reflekton përmirësimin e eksporteve dhe rigjallërimin e aktivitetit të ndërtimit në vend.

Fushë Krujë Cement Factory ka kaluar në vend të dytë, me të ardhura prej 6.7 miliardë lekësh dhe rënie prej 8%.

Rritje të ndjeshme ka shënuar edhe Colacem Albania (+56%, në 1.8 miliardë lekë).

Elbasan Cement Factory ka deklaruar rritje minimale të ardhurash, prej 3.3%, në 1.6 miliardë lekë.

Industria mbështetëse

Rritja e ndërtimeve rezidenciale i ka dhënë një dorë edhe industrisë mbështetëse. Tregtuesit dhe përpunuesit e materialeve të ndërtimit kanë deklaruar në përgjithësi rritje dyshifrore të të ardhurave në 2017-n. Më i madhi në treg është Brunes, me aktivitet në tregtimin e materialeve të ndërtimit, qeramikë dhe hidrosanitare, që ka zgjeruar qarkullimin vjetor me 12%, në 3.1 miliardë lekë. Everest, me aktivitet në prodhimin e profileve të aluminit u rrit me 45%, në 2.7 miliardë lekë.

DAST (Delta Adhesive Structural Tech) me aktivitet në pajisje hidrosanitare, inerte, pa një rritje të aktivitetit me 27%, në 2 miliardë lekë.

Prodhuesi i profileve të aluminit, Alumil raportoi të ardhura prej 2 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.

CALL CENTER NË RËNIE, NGA FOREX DHE PRESIONI I QEVERISË ITALIANE

2017-a ishte viti i parë i provës i sektorit të call center, i cili në fund të 2016-s, u përball me zemërimin e qeverisë italiane, për vendet e punës që kjo industri, e cila po rritej me shpejtësi në Shqipëri, po ia merrte Italisë. Qeveria italiane vendosi masa të ashpra për delokalizimin, me synim frenimin e zgjerimit të mëtejshëm të call center në Shqipëri.

Ky presion duket se ka filluar të japë efekt dhe operatorët e call center janë larg rritjeve dyshifrore të viteve të kaluara, teksa në të kundërt po raportojnë rënie të aktivitetit.

Albania Marketing Service (Teleperformance), më i madhi në treg, raportoi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh, të pandryshuara nga një vit më parë.

Për Albacall, ky ishte viti i parë me rënie të të ardhurave prej 3.3%, në 3 miliardë lekë.

Intercom Data Service, ka raportuar rritje totale të të ardhurave me 14%, në 3 miliardë lekë, por të ardhurat nga aktiviteti direkt në call center ishin në rënie.

Përveç tre subjekteve të sipërpërmendura nuk ka hyrje të reja nga ky segment te 200 më të mëdhenjtë.

Në përgjigje të presionit italian, sektori ka filluar të rikonfigurohet. Një pjesë e subjekteve po shkojnë drejt ofrimit të shërbimeve më të sofistikuara, si web marketing. Po zgjerohet dukshëm grupi i kompanive që ofrojnë shërbime Forex (veprime me kursin e këmbimit), ose të ashtuquajturin ‘binary option’ (një opsion binar është një opsion financiar ku pagesa është ose një sasi e caktuar monetare ose asgjë), veprime këto që janë shpesh spekulative dhe mbeten të pakontrolluara. Disa sipërmarrje call center po marrin tashmë licencë për të vepruar me këto produkte pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Por, operatorët e call center pohojnë se presioni i qeverisë italiane dhe aktiviteti i Forex, që po u merr punonjësit, po e fundosin aktivitetin e tyre. Ata parashikojnë që tregu do të përqendrohet në 4-5 kompani të mëdha dhe të tjerat do të mbyllen gradualisht.

Ndërsa sektori i Forex, që amortizoi rënien e call center dhe tërhoqi një pjesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore, duket i paqëndrueshëm. Një grup institucionesh, duke përfshirë AMF-në, Krimin Ekonomik, Pastrimin e Parasë dhe Tatimet, kanë nisur hetimet, kontrollet dhe verifikimet në terren. Fenomeni i personave që kanë ngritur aktivitete që operojnë si agjentë për të ofruar shërbime investimi (kryesisht Forex dhe kontrata CFD) është evident dhe po hetohet nëse ato përdoren si instrument për pastrimin e parave nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

FATI ËSHTË GJITHNJË ME LOJËRAT E FATIT

Në vitin 2017 nuk kishte as Kampionat Botëror dhe as Europian, por kjo nuk e ka penguar industrinë e basteve dhe lojërave të fatit që të vijojë rritjen me ritme të shpejta, teksa numri i pikave sa vjen e po shtohet.

Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro. Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e shqiptarëve për loto e kazino janë rritur me 9.3%, apo rreth 11 milionë euro më shumë.

Biznesi më i madh është te kazinotë. Nga deklarimet zyrtare, kazinotë elektronike rezultojnë kategoria ku shqiptarët tentojnë të provojnë fatin, në zgjedhjen e bardhë apo e zezë, lojërat me fruta, slot machines etj. Në subjektet e licencuara nga Autoriteti si kazino elektronike, rezultojnë të jenë shpenzuar 10 miliardë lekë, ose rreth 78 milionë euro. Kazinoja elektronike më e madhe në vend APEX – AL, e ndjekur nga ADRIATIK GAME, ASTRA ALBANIA Sh.a. Rritja e qarkullimit vjetor për kazinotë ka qenë minimale në 2017-n (shih tabelën).

Në të kundërt, kompanitë e basteve sportive kanë parë rritje të ndjeshme të të ardhurave në 2017-n, ndonëse një vit i zakonshëm pa Kampionate Botërore apo Europiane, i ndikuar nga shtimi i pikave nëpër qendrat e qyteteve. Për Top Start, Lotto Sport, ITSGA, rritja vjetore ka qenë afër 20%. Në total, shpenzimet për loto ishin 5.8 miliardë lekë, ose rreth 48 milionë euro në vitin 2017.

INDUSTRIA PËRPUNUESE, MES RËNIES DHE SHANSEVE PËR RIMËKËMBJE

Në renditjen e 10 sipërmarrjeve më të mëdha private të vitit 2005 (pa përfshirë bankat), katër i përkisnin sektorit të industrisë përpunuese (Seament, ish-Darfo – sot Albchrome, AM Group-Deka dhe Coca-Cola). Sot sipërmarrjet përpunuese gjenden nga fundi i listës. Birra Tirana, prej dy vitesh, nuk është më në listën e 200 të mëdhenjve.

Përfaqësuesit e kompanisë janë ankuar për konkurrencën nga Kosova dhe futjen e produkteve të birrës, duke shmangur taksat. Bloja, fabrika e përpunimit të miellit, nga vendi i 53 në 2015-n ka dalë fare nga renditja e 200 të mëdhenjve, për shkak të përgjysmimit të të ardhurave. FPM, Fabrika e prodhimit të mobilieve, një nga eksportuesit më të mëdhenj të mobilieve, ka dalë gjithashtu nga lista e më të mëdhenjve, pasi në dy vitet e fundit, xhiro e saj ka zbritur në rreth 1 miliard lekë.

Teksa numri i subjekteve të ndërtimit e tregtisë sa vjen e shtohet në renditjen e më të mëdhenjve, e kundërta ndodh me industrinë përpunuese. Sipërmarrjet kryesore në këtë segment kanë aktivitet të qëndrueshëm, por hyrjet e reja mungojnë dhe të dobëtit po dalin. Industritë me vlerë të shtuar të lartë mungojnë dhe në pjesën më të madhe, shfrytëzojnë pasuritë natyrore të vendit.

Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh, është shumë i varur nga çmimet e naftës. Kurum po e merr veten nga dalja nga procesi i falimentit pas ristrukturimit.

Eksportuesi i kromit, Albchrome, ka rezultuar me ecuri pozitive, duke u zgjeruar me 30%, në 9.8 miliardë lekë.

Gjithsesi, perspektiva e industrisë minerale mbetet pozitive. Sipas të dhënave nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë, ky sektor është para një hovi të ri prej investimeve të reja, me rreth 25 milionë euro në sektorin e përpunimit, me dy linja të reja nga AlbChrome në Bulqizë dhe Tete Albania në Spaç, që pritet të rrisin dukshëm vlerën e eksporteve në fund të këtij viti dhe gjatë 2019-s. Rritja e çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe së fundmi kromit, ka riaktivizuar investime të reja në nxjerrje. Po vihet në punë miniera e kromit në Vlahën të Kukësit, me një investim 10 milionë euro nga kompania turke Ekin Maden Ticaret dhe Beralb riaktivizon edhe një herë vendburimet e bakrit, pas një “pushimi” dyvjeçar.

Coral, me aktivitete në prodhimin, përpunimin dhe eksportin e peshkut ka rritur të ardhurat minimalisht me 3%, në 1.8 miliardë lekë. Ky sektor, me potencial të lartë, pengohet nga kuotat e kufizuara për eksport. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, kuotat e vendosura nga BE-ja prej 1600 tonësh në vit përmbushen shumë shpejt. Pas plotësimit të kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës. Prej disa vitesh sipërmarrësit kanë kërkuar rritjen e kuotave, problem të cilit ende nuk i është dhënë zgjidhje, pavarësisht paralajmërimeve të sipërmarrësve se do të jenë të detyruar të zhvendosin aktivitetin në shtetet fqinjë.

Në industrinë përpunuese ushqimore, Coca-Cola është sipërmarrja më e madhe, me rritje 11.5%, në 3.6 miliardë lekë. Më pas renditen Kombinati i Mishit, me rënie 8.5% në 2.5 miliardë lekë; dhe EHW, me 1.7 miliardë lekë të ardhura, duke shënuar zgjerim prej 6% me bazë vjetore.

Të mëdhenjtë e këpucëve

Fital, Albaco Shoes dhe Donianna janë tre prodhuesit më të mëdhenj të këpucëve në vend. Fital është zgjeruar ndjeshëm me 27%, në 2.3 miliardë lekë.

Në listë vijon Albaco Shoes, që është zgjeruar me 10%, në 2 miliardë lekë.

Në vend të tretë ka kaluar Donniana, me të ardhura prej 1.8 miliardë lekësh në vitin 2017.

Eksportet e këpucëve kanë shënuar ecuri pozitive vit pas viti, duke u rritur me 20% në vitin 2016.

Eksportuesit e këpucëve kanë investuar në mbylljen e ciklit, duke dalë si prodhues të pavarur (rasti i Donianna), duke qenë një hap para industrisë së tekstileve, e cila në pjesën më të madhe vijon të kryejë vetëm disa procese, kryesisht prerje, qepje, hekurosje (Cut-make-trim).

Rënia e industrisë së miellit

Industria e përpunimit të miellit po vijon të vuajë pasojat e konkurrencës rajonale. Bloja, që ishte sipërmarrja më e madhe e këtij lloji në vend para dy vitesh, ka dalë nga renditja e të mëdhenjve dhe ka raportuar rreth 1.4 miliardë lekë qarkullim vjetor. Shoqëria Anonime Mielli ka deklaruar rënie të ardhurash me 4%, në 1.8 miliardë lekë, duke qenë e vetmja e mbetur në listën e 200 të mëdhenjve. Edhe Atlas ka deklaruar 30% rënie të ardhurash, duke zbritur në të ardhura prej vetëm 719 milionë lekësh, teksa aktiviteti i saj në fillim të 2018-s është transferuar tek Atlas Millis.

Adi Haxhiymeri nga Fabrika Bloja, ka paralajmëruar vazhdimisht se jo vetëm aktiviteti i tyre ka prekur fundin, por siguria e konsumatorëve është cenuar rëndë. Shqetësimi i industrialistëve shqiptarë të blojës ka si shkak importin nga Kosova të miellit serb, që po hyn në Shqipëri me çmime gati 20% më të ulëta se prodhimet e fabrikave tona. Sipas tyre, ky miell nuk plotëson standardin minimal për proteinat (12%), futet edhe kontrabandë, nuk kontrollohet nga doganat dhe ka manovra shmangie taksash që nisin që nga importi prej Serbisë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë që importet e miellit nga Serbia janë trefishuar gjatë tre viteve të fundit (shih grafikun).

KONCESIONET

Dy koncesionarët më të mëdhenj janë Bankers Petroleum (nxjerrje e naftës) dhe Albchrome (nxjerrje kromi), me të ardhura përkatësisht 24 dhe 9.8 miliardë lekë.

Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, ka deklaruar të ardhura prej 6 miliardë lekësh, me një zgjerim vjetor prej 14%, teksa fluksi i pasagjerëve që udhëtojnë përmes Rinasit po vjen në rritje vit pas viti. Norma e fitimit të TIA ishte rreth 40% në 2017-n.

ALEAT, që ka me koncesion prodhimin e dokumenteve të shqiptarëve, ka deklaruar rënie të të ardhurave për të dytin vit radhazi me 23% në 2.2 miliardë lekë.

S2 Albania, që zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, që u kundërshtua nga bizneset, ka raportuar të ardhura prej 1.5 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm, por ka dalë nga lista e më të mëdhenjve, për shkak të rritjes së subjekteve të tjera.

BIZNESI I VËSHTIRË I SPITALEVE PRIVATE

Edhe pse kanë kaluar mbi pesë vjet nga lulëzimi i biznesit të spitaleve private, të gjitha vazhdojnë të raportojnë humbje, kur përvoja ndërkombëtare referon një cikël trevjeçar, kur përgjithësisht sipërmarrje të tilla fillojnë e japin fryte. Në 2017-n, pesë nga gjashtë spitalet private në vend panë rënie të të ardhurave, ndërsa kanë nisur shitblerjet.

Në renditjen e 200 më të mëdhenjve janë dy spitale private. Spitali Amerikan raportoi të ardhura prej 5.2 miliardë lekësh (rreth 40 milionë euro), me një rritje prej 15% me bazë vjetore. 50% e të ardhurave vjen nga shërbimet spitalore e ambulatore (rreth 50%), sipas specifikimeve në bilanc, ndërsa 35% vjen nga laboratorët, radiologjia, kardiologjia etj. 15% e të ardhurave ishin nga hemodializa, një shërbim koncesionar. Humbjet e grupit gati u dhjetëfishuan në 339 milionë lekë.

Sipas shpjegimeve në bilanc, humbja e akumuluar e Grupit vjen kryesisht si rezultat i humbjeve të akumuluara të viteve të kaluara si dhe investimeve në njësitë e reja. Por grupi nuk shfaqet i shqetësuar për vazhdimësinë e aktivitetit, pasi humbjet vijnë si rrjedhojë e investimeve, ndërsa aktiviteti gjeneron flukse parash.

Spitali Hygeia, i dyti më i madh në vend, raportoi qarkullim vjetor prej 2.6 miliardë lekësh, me një rënie prej 3% me bazë vjetore në 2017-n, duke shënuar vitin e parë me tkurrje të ardhurash. Humbjet u thelluan me 15%, në 433 milionë lekë, sipas bilancit zyrtar. Edhe vetë kompania, në analizën e bilancit, për të tretin vit radhazi pranon gjendjen e vështirë të saj, duke pohuar se aftësia e shoqërisë për të përmbushur detyrimet dhe për të vazhduar në vijimësi varet nga fondet e marra nga shoqëria mëmë. Spitali ka një stok kredie prej 2.7 miliardë lekësh, deri në fund të 2017-s, të cilin e ka marrë në vitin 2010 nga dy institucione ndërkombëtare, BERZH dhe Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim, pagesën e të cilave e ka shtyrë vazhdimisht. Pas disa muajsh negociata, në gusht 2018 u finalizua transaksioni për shitjen e Hygeia te Spitali Amerikan. Spitali, që kishte një investim fillestar prej 60 milionë eurosh, është shitur simbolikisht për 1 milion euro, sipas deklarimeve zyrtare, ndërsa 29.5 milionë euro të tjera do të shkojnë për shlyerjen e kredive.

ENERGJIA (PRIVATE) NË RRITJE

2017-a ishte një vit i vështirë për prodhimin e energjisë elektrike në vend, për shkak të thatësirës përtej së zakonshmes, duke e orientuar tregun drejt importit. Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i energjisë ra me 37%, ndërsa importet bruto (energji në marrje) u rritën me 86,3%.

Nevoja për importe ka bërë që operatorët e tregtimit të energjisë të shohin rritje të fortë të të ardhurave. GSA, operatori më i madh i tregtimit të energjisë, ka zgjeruar të ardhurat me 137%, në 11.9 miliardë lekë. Rritja ishte e fortë edhe për GEN-I Tirana, me 178%, në 7.6 miliardë lekë.

Ayen Energy Trading, një hyrje e re, ka parë rritje të ardhurash prej 60%, në 1.7 miliardë lekë. Turqit e Ayen Energy kanë ndërtuar deri tani hidrocentralin më të madh privat të energjisë, për sa i përket fuqisë së instaluar, me 74.6 MW, dhe HEC Peshqesh me fuqi 27.9 MW. Ayean AS Energy kishte të ardhura prej gati 600 milionë lekësh në 2017-n. “Ayen Enerji” dhe “Fusha SH.P.K” fituan në mes të 2018-s koncesionin për ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit. Sipas kontratës, konsorciumi fitues do të investojë rreth 125.3 milionë euro për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin e Vjosës. Hidrocentrali do të ketë fuqi të instaluar prej 111 megavatësh dhe prodhim vjetor energjie 366.6 milionë kilovat.

Një zhvillim pozitiv i 2017-s ishte hyrja në tregun e prodhimit të Devoll Hydropower. Hidrocentrali i dytë më i madh privat në vend, sipas fuqisë së instaluar, HEC-i Banjë i Devoll Hydropower, me fuqi 73 MW, ka prodhuar në vitin 2017 me 141 mijë MWh. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 159% në 2 miliardë lekë, duke e futur atë për herë të parë në listën e 200 të mëdhenjve. Statkraft, kompania që ka në pronësi Devolli Hydropower ka filluar ndërtimin e hidrocentralit të dytë, atë të Moglicës, që do të jetë sa dyfishi i atij të Banjës, pasi do të ketë kapacitet të instaluar prej 184 MW dhe një prodhim mesatar vjetor prej 450 GWh.

Tendencë të kundërt ka pasur Energjia Ashta, me fuqi të instaluar prej 48.2 MW, që ka raportuar të ardhura prej 1.4 miliardë lekësh, me një rënie prej 35%, duke dalë nga lista e 200 të mëdhenjve.

TREGU I AUTOMJETEVE TË REJA, RRITJE MODESTE

Ndryshe nga 2016-a, kur targimet e automjeteve të reja shënuan rritje prej 40% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, 2017-a ka shënuar rritje modeste. Në total, sipas të dhënave nga Automobile Club Albania, janë targuar gjithsej 2,644 automjete të reja, me një rritje të lehtë prej 4%, ose 99 makina më shumë. Shteti mbetet një klient i rëndësishëm i këtyre operatorëve.

Mektrin Motors, që një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit e ka edhe nga shitja e mjeteve të përdorura, ka kaluar në operatorin më të madh të tregtimit të automjeteve në vend. Të ardhurat e tij pothuajse u trefishuan në 2017-n, duke arritur në 3.6 miliardë lekë. Shitjet e automjeteve të reja nga ky operator arritën në 151, me një rritje prej 25%, apo 30 makina më shumë. Një hyrje e re është dhe Mektrin Truck, e hapur në fund të 2014-s, që ka zgjeruar me shpejtësi të ardhurat në 1.7 miliardë lekë.

Hyunday Auto Albania pa rritje të të ardhurave me 30%, në 2.8 miliardë lekë, teksa u targuan 414 automjete (rritje 17%)

Porsche Albania (Audi, SEAT, Volkswagen Makina Tregtare, përfaqësuesi ekskluziv i Volkswagen) ka kaluar në operatorin e tretë më të madh në këtë segment, sipas të ardhurave, por është i pari për nga numri i automjeteve të reja të shitura. Teksa shitjet e automjeteve u rritën nga 659 në 667, të ardhurat u zgjeruan me 10% në 2.4 miliardë lekë.

Auto Star Albania, përfaqësuesi zyrtar i Mercedes-Benz në Republikën e Shqipërisë, ka rritur të ardhurat me 18%, në 2 miliardë lekë. Koncesionari targoi 100 automjete të reja, 39 më pak se një vit më parë.

Classic ka rritur të ardhurat me 5.6% në 1.6 miliardë lekë, por aktiviteti i saj është përqendruar kryesisht në rieksporte, teksa kompania ka targuar vetëm 11 automjete të reja.

Albania Motor Company (Ford) pa një rënie të të ardhurave me 10% në gati 1.1 miliardë lekë, duke mos arritur të renditet te 200 të mëdhenjtë. U targuan gjithsej 271 automjete, 39 më pak se një vit më parë, duke u renditur i treti në numër, pas Porsche Albania dhe Hyunday Auto Albania.

Dyfishim të shitjeve të automjeteve të reja, në 147, ka deklaruar edhe Automaster, që tregton markat Fiat, Jeep.

HYRJET E REJA

Krahas sipërmarrjeve të ndërtimit, nuk kanë munguar as këtë vit hyrjet e reja nga sektorë të tjerë në renditjen e 200 kompanive më të mëdha edhe nga sektorë të tjerë.

Albania Experience është krijuar në 2005, si agjenci turistike dhe makina me qira. Ka raportuar dyfishim të aktivitetit, në 2.6 miliardë lekë, por një pjesë i dedikohet ndryshimit të mënyrës së raportimit të të ardhurave.

R.H.B Belinë, e krijuar në vitin 2012, ka deklaruar 2.23 miliardë lekë të ardhura në 2017-n, pasi mori në fund të vitit 2016 lejen koncesionare për një rafineri të re për përpunimin e naftës bruto, në Balldren të Elbasanit. Kapaciteti i përpunimit të naftës bruto është 600 tonë/24 orë, sipas lejes koncesionare.

BFI Trade e grupit Balfin, me aktivitet tregtimin e materialeve është një hyrje e re në 200 më të mëdhenjtë, duke rezultuar me të ardhura prej 2.17 miliardë lekësh, pothuajse dyfishim me bazë vjetore.

4 A-M, e krijuar në 2009-n, me aktivitet në punime elektrike, tregtim me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, ia ka dalë të hyjë mes 200 VIP-ave, me të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh, pothuajse dyfishim.

TENET, e krijuar në mars të vitit 2017, 50% në pronësi të Kastrati, me aktivitet në transport dhe tregtim me shumicë, i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera të tyre, realizoi 1.9 miliardë lekë të ardhura.

RENDITJA E 200 SIPËRMARRJEVE MË TË MËDHA NË VEND, SIPAS TË ARDHURAVE (MLN LEK)

    BURIMI: TATIMET, QENDRA KOMBËTARE E BIZNESIT (QKB). PËRPUNIME TË MONITOR

    * Nuk kanë dorëzuar bilanc në QKB

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco