Borxhi i Jashtëm rritet me 162 milionë euro

Borxhi i Jashtëm rritet me 162 milionë euro

13:38, 12/09/2018
A+ Aa A-

Borxhi i jashtë i ekonomisë shqiptare u rrit me 162 milionë euro në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku total i detyrimeve që sektori publik dhe privat në Shqipëri ka ndaj kreditorëve jo rezidentë arriti në 8.11 miliardë euro. Rritja gjatë tremujorit të dytë ka ardhur në pjesën më të madhe nga rritja e borxhit të bizneseve, me 125 milionë euro më shumë.

Besohet se efektin kryesor e ka dhënë kredia e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, njofton Scan.tv.. Kjo kredi u mor me qëllim zëvendësimin e overdrafteve që KESH kishte pranë bankave tregtare në Shqipëri, me interesa më të ulëta. Pjesa tjetër e rritjes së borxhit të jashtëm erdhi nga sektori bankar, që e rriti stokun e detyrimeve të jashtme me 42 milionë euro. Ndërkohë, qeveria shqiptare e uli lehtë ekspozimin në borxhe jashtë vendit, me 7 milionë euro më pak krahasuar me tremujorin e parë.

Në vitet e fundit, rritja e borxhit të jashtëm të ekonomisë shqiptare ka qenë mjaft e moderuar dhe e përqendruar sidomos te qeveria shqiptare. Sektori bankar dhe ai privat përgjithësisht nuk ka pasur nevojë për linja financimi nga jashtë, edhe sepse tregu i brendshëm ka qenë përgjithësisht mjaft likuid. Qeveria mban 43% të totalit të borxhit të jashtëm, e ndjekur nga sektori bankar me 17.5% dhe nga sektori privat jo bankar me 17.3%.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco