Bizneset e huaja largojnë nga Shqipëria, 190 mln euro

Bizneset e huaja largojnë nga Shqipëria, 190 mln euro

17:37, 11/09/2018
A+ Aa A-

Bizneset e huaja që kanë investuar në Shqipëri nuk i përdorin paratë e fituara për të zgjeruar më tej aktivitetin e tyre, por i transferojnë ato menjëherë në vendet e tyre, duke nxjerrë shifra të mëdha parash nga ekonomia shqiptare.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, kompanitë e huaja transferuan jashtë ekonomisë shqiptare rreth 190 milionë euro fitime.

Sipas të dhënave të sapo publikuara në Bilancin e Pagesave, rezulton se shifra e fitimeve që bizneset e huaja po transferojnë jashtë është rritur nga viti në vit me ritme të shpejta.

Sipas BSH, në dy vitet e fundit, fitimet e transferuara jashtë gati janë dyfishuar, nga 108 milionë euro që ishin në gjashtëmujorin e parë të 2016-ës në 190 milionë euro këtë gjashtëmujor.

Image

Rritja e fitimeve të transferuara jashtë është rezultat i disa faktorëve. Së pari maturimit të një sërë investimeve të huaja. Këto investime janë kryer para disa vitesh dhe tani kompanitë, po transferojnë fitimet e tyre jashtë. Por përtej këtij fakti, rritja e fitimeve që transferohen jashtë tregon mungesë besimi në ekonominë shqiptare.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria është një nga vendet e fundit në Europë me për peshën e fitimeve të riinvestuara.

Sipas FMN-së, në Shqipëri pesha e investimeve të huaja që vjen nga fitimet e riinvestuara është vetëm 15%, kur në vendet e tjera të rajonit, ajo varion nga 40 deri në 60 për qind.

Shumica e bizneseve të huaja që kanë investuar në Shqipëri nxitojnë që të nxjerrin sa më parë fitimet jashtë vendit, pasi nuk kanë besim në ekonominë shqiptare.

Risku i tyre buron së pari nga pasiguritë politike, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit dhe klima e rënduar e biznesit në vend. Si rrjedhojë në vend që t'i investojnë sërish fitimet që kanë realizuar këtu, ato nxitojnë për t'i nxjerrë sa më parë jashtë vendit.

Kjo ka pasoja të mëdha negative për ekonominë, pasi përveçse nxjerr shuma të mëdha parash jashtë vendit, nëse do të ishin investuar këto ato para do të krijonin më shumë punësim dhe të ardhura për familjet shqiptare.

Tregu në Shqipëri është duke u tkurrur, pasi popullsia po ulet siç konfirmohet nga të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave. Rënia e popullsisë së bashku me rënien e fuqisë blerëse të familjeve e bënë Shqipërinë një treg jo shumë interesant për investime të reja nga jashtë. Fitimet e kompanive të huaja që kanë investuar sakaq në Shqipëri duhet të ishin një burim i mirë për të rritur investimet e huaja.

Ndaj transferimi i tyre jashtë është një sinjal i zymtë për ecurinë e investimeve të huaja gjatë viteve në vijim, veçanërisht tani që po përfundojnë edhe dy projektet e mëdha si gazsjellësi TAP dhe Kaskada e Devollit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco