Zhdukja e qeseve plastike, çfarë po ndodh

Zhdukja e qeseve plastike, çfarë po ndodh

07:43, 22/07/2018
A+ Aa A-

Mbi 100 milionë euro investime rrezikohen nëse shkohet drejt eliminimit të plotë të qeses në vend. A do ta zgjidhë ky vendim problemin e ndotjes në Shqipëri, apo thjesht do të rëndojë në xhepat e konsumatorëve? Dritë në horizont për industrinë vendase të riciklimit

Thuajse çdo dyqan, i vogël apo i madh, ka afishuar në vende të dukshme se tashmë çdo qese për blerjet e tyre kushton nga pesë deri në dhjetë lekë për fije. Sonila, shtëpiake, si çdo ditë ka dalë dhe sot për të bërë pazarin e shtëpisë. Nga data 5 korrik, ajo ka filluar që të paguajë për qeset ku vendos mallrat që bën pazar, ndonëse çmimet e tyre prej kohësh kanë nisur që të aplikohen në disa prej zinxhirëve të supermarketeve. Sajmiri, tregtari ku Sonila bën çdo ditë pazaret, llogarit se për çdo tre ditë ai duhet të furnizohet me qese, shpenzimet mujore për të cilat shkojnë deri në 25 mijë lekë. Këtë kosto duhet ta transferojë te konsumatori final.

Sot, Sonilës, blerjet e paradites i kushtuan rreth 25 lekë vetëm qese. Edhe tregtarët e tjerë, njësoj si Sajmiri, kanë vendosur njoftimin për klientët se tashmë për çdo qese që ata përdorin për të futur produktet që blejnë, do të duhet që të paguajnë. Shitësit shprehen se konsumatorët nuk e kanë pritur edhe aq mirë. Një pjesë e tyre refuzojnë që të paguajnë për qeset që marrin, ndërkohë që shitësit nuk mund t’i japin pa para.
“Pjesën më të madhe të blerësve i kam klientë të rregullt, dhe e kam të vështirë t’u kërkoj para për qesen, – shprehet Sajmiri. Por, edhe në rast se do të vazhdoj për një kohë të gjatë kështu, duke i dhënë pa para, nuk do t’ia dalë dot me shpenzimet.

Një nga vështirësitë që ai rendit për këtë nismë është kultura e blerësve. Shitësit me pakicë tregojnë se çmimi nuk i ka dekurajuar konsumatorët në përdorimin e qeseve, por më së shumti ka rënduar xhepat e tyre. Prej fillimit të korrikut ka nisur të zbatohet Vendimi i Këshillit të Ministrave për ndalimin e prodhimit, importit dhe tregtimit të qeseve nën 35 mikronë.
Dy muaj pas miratimit të këtij vendimi, Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit, shkruan në faqen e saj zyrtare se do të gjobitet çdo biznes që tregton qese plastike nën 35 mikronë, me një vlerë nga 1 milion deri në 1.5 milionë lekë të reja. Më tej, në njoftimin e Ministrisë, thuhet se këto masa janë në radhë të parë për prodhuesit e importuesit e mëdhenj, por ligji nuk i përjashton as tregtarët më të vegjël: supermarketet, marketet, dyqanet, apo çdo subjekt që pas dy muajsh do të tregtojë mallra me këto ambalazhe.

Të gjithë dyqanet e shitjes me pakicë kanë afishuar në vende të dukshme të biznesit të tyre, që tashmë qeset (ato mbi 35 mikronë) nuk jepen më falas, por kushton 5 lekë/fije ato që janë të vogla dhe 10 lekë për fije ato që janë të mëdha. Arsyeja kryesore për marrjen e kësaj mase drastike, sipas ministrit Klosi është diktuar nga situata e rënduar në mjedis, si pasojë e konsumit të qeseve plastike.

Bizneset që preken direkt, pas xhepave të konsumatorëve

Vendimi hyri në fuqi dy muaj pas miratimit, për t’i dhënë kohë biznesit që të marrë masat për shndërrimin e teknologjisë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila ka njoftuar në faqen e saj se këto biznese do të jenë objekt kontrolli, janë rreth 70 biznese që operojnë në këtë fushë. Një ndër këto biznese, të cilët që prej fillimit të korrikut prodhojnë vetëm qesen sipas parametrave të mirëpërcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave, është Ju-Ar Plast.

Drejtuesit e kompanisë e kanë mirëpritur vendimin në lidhje me parametrat që duhet të kenë qeset. Aktualisht, për shkak se qeset nën 35 mikronë janë ndaluar, kompania e tyre po përballet me fluks pune. Fabrika e tyre gjendet në periferi të Tiranës, të gjitha makineritë janë vënë në punë dhe po punon me kapacitet të plotë. Këto ditë, sasia e shitur e qeseve plastike ka arritur 3 tonë.

Sipas drejtuesve të kompanisë, plastika që vjen prej qeses zë rreth 5% të ndotjes në të gjithë botën, dhe pjesën më të madhe e zënë gomat e makinës. Megjithatë, jo për të gjitha fabrikat, periudha prej 2 muajsh ka qenë e mjaftueshme. Vendimi i qeverisë, sikurse ka rënduar në xhepat e konsumatorëve, ka rënduar edhe tek ata që kanë investuar në këtë industri, duke u bazuar në ligjet që janë në fuqi.

Petrit Xheli, administrator i kompanisë Xhelips, tregon se makineritë që i bleu vetëm pak kohë më parë me vlerë 220 mijë dollarë, tashmë i kanë dalë jashtë përdorimit prej vendimit të qeverisë. Ai parashikon që këtë vit, kompania e tij do të dalë me humbje. Sipas tij, vendimi i marrë në mënyrë të papritur, ndikoi edhe në veprimtarinë e aktivitetit të tij, ku një pjesë e tregtarëve nuk po merrnin më qese, për shkak të paqartësisë që shkaktoi në treg.

Petrit Xheli shton për “Monitor” se vendimi i duket absurd për ndalimin e qeses, ku të gjitha ushqimet dhe produktet ambalazhohen me plastikë, e cila në të shumtën e rasteve është e patretshme. Gjatë dy muajve të parë, të vetmet subjekte që blinin qese ishin bizneset e mëdha.
Fabrika e tij e përpunimit të plastikës numëron 47 të punësuar, një pjesë të mirë e të cilëve janë pushim për shkak të daljes nga puna të makinerive. Xheli shpreson që makineritë së paku t’i shesë në vendet e rajonit, si Kosova apo Maqedonia.
Ai është i mendimit që, në raste të vendimmarrjeve të tilla, duhet që bizneset të lajmërohen me vite kohë më parë dhe të mos investojnë në makineri dhe pajisje që nuk hyjnë në funksion pas pak muajve.

A është “qesja” zgjidhja e problemit të ndotjes?

Vullnet Haka, president i Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës në Shqipëri, thotë për “Monitor” se masa e re që është marrë nuk duhet të krijojë iluzionin se do të rregullojë situatën e mbetjeve në Shqipëri. Ndikimi i vendimit për industrinë e tyre pritet të jetë pozitiv, por për sa i përket problemit të ndotjes, ai do të zgjidhet vetëm me menaxhimin e tyre në burim. Më shumë se 50% e mbetjeve urbane janë mbetje inorganike.
Sipas propozimit të Shoqatës së Riciklimit bëhet ndarja e mbetjeve që në burim, ku hidhen të ndara në tre grupe të ndryshme: mbetjet organike, inorganike dhe mbetjet e rrezikshme që kalojnë në një proces tjetër menaxhimi. Sipas llogaritjeve të tyre, mbetjet inorganike përgjigjen për rreth 60% të mbetjeve. Ndërsa 40% janë mbetje organike.

Mbetjet organike, pasi transferohen në landfill, kompostohen dhe prej tyre çlirohet gaz dhe energji, në fund ajo që prodhohet është plehu organik. Rezultat i këtij procesi është zero mbetje. Për sa u përket mbetjeve inorganike, ato ndahen në disa grupe, si plastika, qelqi, metale të ndryshme, druri, inerte, konfeksione dhe të tjera mbetje. 85% e tyre mund të ripërdoren, riciklohen ose në rastin e drurit të bëhen paletë, ndërsa vetëm 15% e tyre mbetet për djegie.

Të gjitha mbetjet inorganike adresohen ose te ripërdoruesi, materiale të cilat, me gjysmë procesi pune ose direkt, mund të ripërdoren për procese të ndryshme.
Haka shton se hierarkia për menaxhimin e mbetjeve logjikisht është:
-Reduktim
-Ripërdorim
-Riciklimin
-Asgjësim (Incenerim ose Groposje)

Drejt eliminimit të plotë

Një prej shqetësimeve të prodhuesve të qeseve plastike është se një ditë mund të ketë një vendim për eliminimin total të prodhimit të qeseve plastike, dhe mbi 100 milionë euro investime për ndërtimin e fabrikave të përpunimit të plastikës të dalin nga tregu.

Për drejtuesit e disa prej kompanive kryesore të përpunimit të plastikës faji nuk është i kompanive që prodhojnë plastikë, por i mungesës së menaxhimit të mbetjeve në burim nga grumbulluesit, apo nga qeverisjet vendore të vendit. Heqja nga përdorimi i qeseve për ta është një masë radikale.

Përpunuesit e plastikës thonë pse duhet të hiqen vetëm qeset kur plastika ka një përdorim shumë të gjerë, duke sjellë si shembull edhe ambalazhet e ushqimeve. Në rast se do të merret vendimi për eliminimin e plotë të qeses si produkt, përpunuesit e plastikës, investimet e të cilëve nuk janë të pakta dhe kanë peshë në punësim, kërcënojnë se do ta çojnë në gjykatë. Për prodhuesit e plastikës, vendimi për ndalimin e qeses së plastikës është kapje pas hallkës më të dobët. Ndërkohë që shishet prej plastike, apo prodhimi i mjeteve të tjera prej plastike kërkon shumë më tepër vite për t’u shpërbërë.
Për ta duhet të rritet ndërgjegjësimi i popullatës për ndarjen në burim të mbetjeve.

Pritet të rritet formalizimi

Një ndër aspektet pozitive të këtij ligji është vendosja në një sistem gjurmueshmërie. Çdo qese që prodhohet tani duhet që të ketë inicialet identifikuese të prodhuesit; shenjat treguese për llojin e plastikës që është përdorur për prodhimin e qeses apo ambalazhit; shenjën e aditivit vetëshkatërrues që është përdorur; datën, muajin, dhe vitin e prodhimit; shenjën identifikuese që tregon se qesja është riciklueshme dhe duhet depozituar dhe mbledhur e ndarë nga mbetjet organike; si dhe shenjën e përdorimit në kontakt të drejtpërdrejtë me produktin ushqimor, nëse është prodhuar për atë qëllim.

Gjithashtu, vendimi i qeverisë i detyron të gjithë prodhuesit, importuesit dhe tregtuesit, si dhe çdo subjekt tjetër ekonomik, privat apo publik, që të mbajë dhe të ruajë informacionin mbi hallkën e mëparshme, për një periudhë jo më të vogël se 36 muaj, me qëllim identifikimin dhe gjurmimin e procesit të daljes në qarkullim të këtyre qeseve.
Në këtë mënyrë, sipas z. Haka, rritet përgjegjësia e prodhuesit, si dhe bëhet më e lehtë monitorimi dhe kontrolli i tyre. Masa e re do të sjellë edhe formalizimin e këtij tregu. Tashmë, sipas prodhuesve kryesorë, në treg janë vendosur disa standarde në prodhim.

Dritë për ricikluesit

Edhe pse kanë investuar miliona euro në teknologji, industria e riciklimit ka hasur shumë vështirësi. Disa prej fabrikave janë mbyllur, ndërsa një pjesë e mirë e tyre nuk operojnë me kapacitet të plotë dhe vetëm disa ditë gjatë muajit, edhe pse potenciali në këtë industri është i lartë.

Vendimi i ri pritet që të ketë ndikim pozitiv edhe për industrinë e ricikluesve. Të gjitha kompanitë të cilat prodhojnë qese në vend, nëse përdorin mbi 50% të produktit material të ricikluar nga bizneset vendase përjashtohen nga taksa ambalazhit.

Taksa e ambalazhit për një prodhues të qeseve plastike kushton rreth 100 lekë për kilogram. Sipas zotit Vullnet Haka, kjo do të zbusë edhe kostot për prodhimin e qeseve plastike. Edhe për mjedisin, ndikimi do të jetë pozitiv, duke qenë se do të ruhen burimet dhe do të përfitohet nga ekonomia cirkulare. Qeset me standardin e ri janë më të trasha dhe prodhuesit argumentojnë se do të mund të përdoren disa herë, ndërsa shtojnë se kur qesja është e trashë, është më e vështirë që të kontaminohet dhe në këtë mënyrë rritet interesi i grumbulluesve për ta mbledhur në terren.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se riciklimi i mbetjeve në Shqipëri ka ruajtur të njëjtën tendencë me rënie. Në vitin 2016 u ricikluan 17.2% e sasisë totale, ndërsa në vitin 2015, 25,3%, në vitin 2014, 21,6%, dhe në vitin 2013, rreth 24,0%. Edhe kompanitë më të mëdha, sipas pasqyrave financiare të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, raportojnë ulje të qarkullimit vjetor. Sipas aktorëve të tregut, situata në 2017-n është edhe më keq se në 2016-n. Aktualisht, për shkak të kërkesës së prodhuesve të qeses për materiale të ricikluara nga industritë vendase të riciklimit është rritur edhe puna në këto kompani.

Në kompaninë Ju-Ar Plast, 60% e kapacitetit të kompanisë po shfrytëzohet nga materialet e ricikluara nga industria vendase e riciklimit. Ndërsa pjesa tjetër është marrë nga jashtë. Gjithashtu, një nga pikat në vendimin e qeverisë për sa i përket kritereve që duhet të kenë qeset e prodhuara është edhe përzierja e materialit me një lëndë që bën të mundur tretjen më të lehtë të plastikës së qeses (aditivin biodegratues). Me anë të kësaj lënde të përdorur në prodhimin e qeses, tretja e qeses nëse hidhet në natyrë mund të bëhet brenda tre viteve. Koha mesatare për tretjen e një qese plastike (përfshirë edhe ato pa standard) është rreth 10 vjet, më e ulët se koha që kërkojnë produktet e tjera të plastikës.
Aditivi, sipas zotit Petrit Xheli, e ka rritur koston me rreth 30 lekë për kilogram të plastikës së përpunuar në formën e qeses.

Tatimet, nën monitorim

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është një ndër institucionet që po bashkëpunon për zbatimin e vendimit të qeverisë shqiptare për të ndaluar prodhimin, importimin dhe përdorimin e qeseve plastike, me qëllim mbrojtjen e mjedisit.
Në takimin e zhvilluar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, me njësitë e specializuara zbatuese, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Vasilika Vjero, nënvizoi faktin se administrata tatimore e mbështet këtë nismë dhe është fokusuar tek elemente, si edukimi, formalizimi i sipërmarrjes dhe garantimi i të ardhurave.

“Ne do ta shtrijmë bashkëpunimin tonë me strukturat e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Inspektoratin Qendror Teknik në drejtim të mbledhjes dhe administrimin e informacionit për sasinë e qeseve plastike mbajtëse. Aktualisht, njësitë tona janë duke operuar në terren, në bashkëpunim edhe me strukturat e qeverisjes vendore”, tha znj. Vjero.

Administrata Tatimore do të ketë në fokus të gjithë operatorët (70 subjekte në total), të cilët prodhojnë qese plastike mbajtëse apo dhe produkte të plastikës, por edhe subjektet që i tregtojnë ato. Administrata tatimore u bën thirrje subjekteve që t’i tregtojnë këto produkte vetëm kundrejt pagesës që duhet të jetë qartësisht e identifikuar në kuponin tatimor apo faturën tatimore. Për të garantuar zbatimin e ligjit do të ushtrohen kontrolle në territor apo dhe vizita fiskale të paralajmëruara./Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco