Trefish më të larta importet bujqësore sesa eksporti

Trefish më të larta importet bujqësore sesa eksporti

11:17, 25/05/2018
A+ Aa A-

Tregtia e produkteve bujqësore është gjenerator i të ardhurave dhe mirëqenies për qindra njerëz  që direkt ose indirekt janë të lidhura me të.  Eksportet e produkteve bujqësore në vend llogariten 24.6 miliardë lekë (183.4 milionë euro), sipas INSTAT. Importet  në 2017-n u llogaritën 73.8 miliardë lekë (apo 550 milionë euro), ndërsa deficiti tregtar është 367.3 milionë euro.

Kategoria me përqindjen më të lartë të eksporteve ndaj totalit të eksporteve të produkteve bujqësore janë fruta perimet, me 40% të totalit, apo 9.9 miliardë lekë. Kategoria e dytë me përqindjen më të lartë janë produktet ushqimore, me rreth 39% apo 9.5 miliardë lekë.

Kategoria e tretë është e produkteve shtazore. Në 2017-n eksportet e produkteve shtazore llogariteshin 5.1 miliardë lekë, apo 21% e totalit.

Ndryshe nga eksportet, në importe peshën më të lartë e kanë produktet ushqimore. Pesha e tyre ndaj totalit të produkteve bujqësore është 38 për qind. Perimet dhe frutat janë të dytat me 33%, ndërsa kategoria e tretë, produktet shtazore, ka një peshë prej 29%.

Krahasuar me eksportet, importet e produkteve bujqësore ishin tre here më të larta në 2017-n.

Deficiti më i thellë për mishin

Tregtia e produkteve shtazore ka deficitin më të lartë në të gjitha produktet bujqësore. Deficiti tregtar në 2017-n ishte 18.3 miliardë lekë apo 136.5 milionë euro. Në këtë kategori përfshihen produkte si: kafshë të gjalla; peshku dhe kafshë guaskore; produktet bulmetore, vezët, mjalti.

Edhe pse përpunuesit e mishit në vend janë shprehur se janë gati që të zgjerojnë tregun jashtë Shqipërisë, përsëri në vitin 2017 deficiti tregtar i mishit u thellua. Importet e mishit dhe kafshëve të gjalla u rritën me 14% në krahasim me një vit më parë.

Një nga arsyet kryesore për thellim të këtij deficiti është siguria ushqimore.

    Tregtia e produkteve bujqësore në BE

    Ndryshe nga Shqipëria, në vendet anëtare të Bashkimit Europian importet e perimeve dhe frutave zënë 48% të peshës së totalit të produkteve bujqësore, ndërsa për sa i përket eksporteve të të njëjtit lloj peshën më të lartë e zënë ushqimet e përpunuara, me 56%. Kjo për shkak se vendet e Bashkimit Europian kanë industri më të zhvilluar agro-ushqimore.

    Vlera totale e importeve dhe eksporteve e produkteve bujqësore mes BE-së dhe pjesës tjetër të botës ishte 275 miliardë euro në 2017-n.

    Produktet bujqësore mund të kategorizohen në tre kategori më të mëdha: Frutat dhe perimet (pemët, bimët, perimet, frutat, kafe, drithëra, fara dhe vaj); ushqimet (disa lloje të përpunuara prej perimeve dhe produkte shtazore) dhe produkteve shtazore (mish, peshk, bulmet, vezë dhe mjaltë).

    Ushqimet përdoronin rreth 56% të eksporteve të produkteve bujqësore në 2017-n, perimet 22% dhe produktet shtazore 22%. Perimet llogariten 48% e produkteve bujqësore të importuara, ndërsa ushqimet 32% dhe produktet shtazore rreth 20%.

    Marrësit kryesorë të eksporteve bujqësore të Bashkimit Europian janë Shtetet e Bashkuara (16% e totalit të eksporteve bujqësore), të ndjekura nga Kina me 8% dhe Zvicra me 6%. Për Bashkimin Europian importet e produkteve bujqësore kanë origjinë nga Brazili dhe Shtete e Bashkuara (me 8% secili), janë partnerët kryesorë në import. Ma pas ndiqen nga Norvegjia dhe Kina me 5% secili./Monitor

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco