Rënia e euros gërryen kursimet e shqiptarëve

Rënia e euros gërryen kursimet e shqiptarëve

19:53, 22/04/2018
A+ Aa A-

Pasuria e qytetarëve shqiptarë në banka është ulur me 40 miliardë lekë si pasojë e zhvlerësimit të monedhës kombëtare. Rënia e shpejtë e euros ndaj lekut ka gërryer kursimet e të gjithë individëve, por edhe bizneseve që i kanë ruajtur ato në euro.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit shkurt, qytetarët shqiptarë kishin 4.1 miliardë euro depozita në sistemin bankar. Aktualisht 1 euro këmbehet mesatarisht me 129.29 lekë që do të thotë se vlera në lekë e kursimeve që qytetarët kanë në euro është 526 miliardë lekë.

Por vetëm tre vjet kur euro këmbëhej me 140 lekë, e njëjta sasi depozitash konvertohej në 566 miliardë lekë. Kjo do të thotë se vetëm si pasojë e kursit, qytetarët shqiptarë që kanë kursime në euro, kanë humbur plot 40 miliardë lekë ose rreth 310 milionë euro.

Pjesa më e madhe e humbjeve ka pas muajit maj të vitit të kaluar, kur në prag të zgjedhjeve euro nisi të zhvlerësohej me shpejtësi ndaj lekut. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë në fillim të muajit maj, një euro këmbëhej me 135 lekë përafërsisht. Në vetëm një vit nga ky zhvlerësim, kursimet janë tregur me mbi 20 miliardë lekë duke lënë qytetarët që i kanë depozitat në valutë më të varfër.

Shumica e kursimeve janë në euro

Prej vitesh një pjesë e madhe e qytetarëve kanë preferuar t’i ruajnë kursimet e tyre në euro. Madje në vitin 2015, për herë të parë sasia e depozitave në euro tejkaloi ato në lekë.

Preferenca për të ruajtur kursimet në euro është e lidhur me besueshmërinë më të lartë të kësaj monedhe ndaj lekut. Ekonomia e Eurozonës ka stabilitet çmimesh, një inflacion më të ulët dhe për rrjedhojë monedha europiane e humb vlerën shumë më ngadalë se sa leku për shkak të efektit që buron nga inflacioni.

Ndryshe nga stabiliteti që ofron euro, leku shqiptar në të kaluarën shpesh ka përjetuar humbje të madhe të vlerës. Në fillim të viteve 90, Shqipëria u përball me inflacion vjetor deri në 220 për qind, çka bëri që shumë shqiptarë të humbasin një pjesë të madhe të kursimeve nga inflacioni.

Për shkak të këtyre rrethanave shumë qytetarë kanë parë euron si monedhë më të sigurtë për të ruajtur kursimet e tyre. Por edhe pse inflacioni në eurozonë ka qenë minimal, ata kanë humbur shuma të konsiderueshme për shkak të zhvlerësimit të euros në tregun e brendshëm. Një zhvlerësim që për shumë ekspertë lidhet me paratë e trafiqeve të drogës, të cilat sipas tyre, janë shkaku i rënies së euros.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Sirius22/04/2018 22:48

Humbet vetem po te kthesh Euron ne Leke. Po perse ta bejne nje gje te tille? Ata qe i kursejne nuk i kursejne per ti shpenzuar. Kursi Euro Lek eshte nje kurs fiktiv i BSH-se per te maskuar inflacionin qe llogaritet ne Leke. Se shpejti BSH do te detyrohet te rrise interesat e Lekut, dhe kjo duan apo jo do ta coj lekun ne pikiate. Nuk eshte cudi qe pas nje viti Euro te kembehet me 150 Leke. Eshte kohe optimale per te kthyer leket ne Euro.

Shto koment

Denonco